Në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë në Akademinë e Shkencave në Shqipëri është përkujtuar kompozitori i njohur slloven Bojan Adamiç.

I larguar nga vendi i tij për shkaqe ideologjike menjëherë pas luftës së dytë botërore, ai mbërriti  në Shqipëri në 4 Maj 1947, ekzaktësisht 75 vite më parë. Gjatë qëndrimit të tij ai njohu shumë mirë kulturën, traditat dhe folkun e vendit tonë. Në vitet 1947-1948 Bojan Adamiç bashkëpunoi me orkestrën e Radio Tiranës, punoi me muzikë shqiptare dhe mbajti koncerte pianoje.

“Shqipëria ka qenë pjesa sekrete e jetës së babait tim. Ai i shkroi nënës sime 25 letra, ku i tregonte se sa e bukur ishte Shqipëria dhe duke e ftuar te vinte këtu. Nëna nuk mund të vinte sepse nuk kishte pasaportë. Ndaj jam e lumtur që jam këtu bashkë me tim bir, duke ndjekur gjurmët e babait tim. Ai i vlerësonte vallet shqiptare. Sipas tij, ishin pa koreografi, por pasioni dhe qëndrimi i valltarëve ishin fisnik dhe entuziazmues”, tha Alenka Adamic, e bija e kompozitorit Bojan Adamic.

Studiuesit po bëjne hulumtime për të parë nëse ka ndikime shqiptare kompozimet e tij. E bija, thotë se nuk ka dijeni për krijime të tjera me ndikime të vendit tonë, përveç një bashkëpunimi me Dhora Lekën. Megjithatë ajo ka besim se ai duhet të ketë muzikë me ndikim shqiptar duke qenë se ishte magjepsur nga folku./Xh.M