
Miq dhe familjarë të aktorit të mirënjohur, të kolosit të kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja, u bashkuan në përkujtim të 80-vjetorit të tij, në premierën e shfaqjes së dokumentarit “Rikardi, Përcjellja e fundit”. Në mjeshtërinë e regjisorit Mevlan Shanaj, Rikardi erdhi sërish në skenë, pothuajse 3 vite nga ndarja e tij nga jeta.
Miq dhe të pranishëm u folën të emocionuar nga ky dokumentar. Të shumta kanë qenë reagimet pas shfaqjes. Në faqen sociale facebook ka reaguar edhe shkrimtarja Majlinda Rama, e cila shkruan se ky dokumentar
“Një karafil i kuq si homazh për aktorin e madh shqiptar, Rikard Ljarja, në 80-vjetorin e tij të lindjes. Do të ishte dokumentari i titulluar “RIKARD”, realizuar me mjeshtëri nga regjisori i njohur Mevlan Shanaj dhe skenar të Zonjës së letrave, Natasha Lako, ai që do të merrte gjithë vëmendjen në këtë ditë të shënuar (1 prill), ditën e lindjes së Rikardit. Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako na sollën një dhuratë të çmuar, një punë të bërë me shumë dashuri, që fisnikëroi vetë çiftin realizues, por që arriti të shpalosë Rikard Ljarjen në të gjithë dimensionin e vet, si aktor, regjisor, muzikant, shkrimtar, piktor, njeri i mendimit dhe intelektual i madh. Shumë emocionuese ishte edhe pjesëmarrja e gjithë elitës intelektuale, si asnjëherë tjetër në sallën e madhe të kinema “Millenium”. Përjetuam lot, emocione dhe dolëm me zemrën plot!”, shkruan Rama.


Regjisori Mevlan Shanaj solli në Kinema Millenium një dokumentar kushtuar artistit të madh Rikard Ljarja, që ishte dhe një nga miqtë e tij. Xhirimet për dokumentarin ishin bërë në Tiranë, Shkodër dhe nëpër disa pika të tjera të Shqipërisë. Dokumentari “Rikard” është produksion nga Black box -Tan Kazazi. Regjisori Shanaj tregon se para tre vjetësh nisi dhe puna për realizimin e këtij dokumentari. “Ky dokumentar u premtua ditën që u përcoll më 20 prill para tre vjetësh në kulmin e kovidit. Nuk mundëm të ishim në përcjellje, por kur Marjeta u kthye nga Shkodra atë mbrëmje e mora në telefon dhe i premtova se do bëj një dokumentar për Rikardin. Së bashku me skenarin e Natashës nisi rrugëtimi i dokumentarit për një ndër njerëzit më të famshëm të ekranit tonë dhe një ndër miqtë e mi të afërt prej gati 50 vjetësh! Më 1 prill do të kishte 80 vjetorin”, shprehet Shanaj. Regjisori Mevlan Shanaj thotë se Rikard Ljarja ishte figura më komplekse artistike në Shqipëri. “Ka filluar jetën artistike si muzikant ( piano, fizarmonikë, fagot dhe kompozime). Aktor gati 50 role, regjisor mbi 12 filma dhe skenarë! Mbi 100 piktura dhe së fundi 6 romane. Askush nga ne nuk ka një cv kaq të pasur! Mbi të gjitha veç krijimtarisë komplekse kishte madhështinë e modestisë!”, tregon Shanaj. Si regjisor Mevlan Shanaj ka trajtuar dhe më parë në projektet e tij figura madhore, ku tani ai thotë se është dhe dokumentar kushtuar artistit Rikard Ljarja. “Është një hob i im trajtimi i figurave madhore artistike, duke filluar nga Tefta Tashko, Marie Kraja, Lasgush Poradeci, Pandi Raidhi, Vangjush Furrxhi, Ndrekë Luca, Xhanfise Keko dhe ja tani Rikard”, shprehet Shanaj. Rikard Ljarja lindi në Shkodër më 1 prill 1943 dhe u nda nga jeta më 20 prill 2020, në moshën 77 vjeçare.