Kryeministri Edi Rama priti sot në takim kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, e cila mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua sot në Tiranë.

Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga takimi i zhvilluar me kryeministren italiane Meloni.

“Kënaqësi takimi i parë me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë i dhuroi kryeministres Meloni librin “Libera” të shkrimtare shqiptare Lea Ypi, e cila jeton në Itali.

“Ypi ka studiuar në Universitetin “La Sapienza” dhe ka shkruar këtë libër që është përkthyer në shumë gjuhë, për fëmijërinë e saj para dhe pas komunizmit. Në këtë libër mund të kuptosh diferencat e shumta mes shokëve italianë dhe atyre shqiptarë”, tha Rama.

Kryeministrja Meloni e falënderoi Kryeministrin Rama për dhurimin e librit dhe organizimin shumë të mirë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Ndërsa në një deklaratë për mediet pas përmbylljes së samitit BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt këtë të martë në Tiranë, Kryeministrja Meloni tha se ajo mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Integrimi/anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE vlen për Shqipërinë, Bosnjën, etj. Ne sigurisht që e mbështesim anëtarësimin e tyre. Janë hapa që bëhen nga të dyja palët dhe që kërkojnë kohë”, tha Meloni./atsh/Revista Time