Edi Rama aludon se prokurorët e SPAK po veprojnë në mënyrë selektive, duke hetuar vetëm brenda oborrit të selisë rozë, ndërkohë që sipas tij nuk po marrin parasysh kërkesën e DASH në dokumentin ku shpallet non grata Sali Berisha.

Zhgënjimi i Kryeministrit Rama nga puna e SPAK-ut, duket të jetë kaq i madh sa që pas Kongresit edhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare më shumë se për problemet e brendshme të partisë, ai fjalimin e tij e përqëndroi te disa mesazhe drejtuar kësaj strukture të drejtësisë, që i kërkon të veprojë.

Kreu i mazhorancës përpiqet t’ju bëjë të kuptojnë prokurorëve të SPAK-ut se kur ju kërkohet të veprojnë kjo jo për t’ju bërë qejfin SHBA, por për të bërë drejtësi për vendin e tyre.

Si shembullin që standardi i SPAK-ut vihet në dyshim, sjell hetimin ndaj Ardian Dvoranit nisur nga denoncimi i Ilir Metës, ku sipas tij vetë ky i fundit duhet të kishte përfunduar në dyert e SPAK-ut.

Kryeministri i kujton drejtuesve të strukturës së posaçme anti-korrupsion që nuk kanë nisur asnjë hetim për kolegët e tyre që Vettingu i hoqi nga sistemi sepse nuk justifikonin pasuritë.

Për zgjedhjen e Presidentit foli shkurt dhe rivijëzoi për kundërshtarët kufijtë që nuk do të preken si për këtë  proces ashtu dhe të zgjedhjes së Avokatit të Popullit, që sqaron që janë në pritje të kandidaturave nga opozita që ta votojnë.

Rama ju shprehu rezervat për performancën e kryebashkiakëve për disa prej të cilëve deklaroi se nuk do ngurronte të denonconte personalisht për abuzim me detyrën, nëse nuk do ishte në pritje që SPAK-u të përqëndrohet tek çështjet e parashtruara.

Asambleja Kombëtare miratoi ndryshimet që ju bën rregullores së funksionimit të saj, kryesisë dhe degëve si dhe lista me detyrimet financiare që duhet të paguajnë si kuota vjetore çdo anëtar të kësaj force, ku studentët e pensionistët kanë detyrimin më të vogël prej 50 Lekësh ndërsa biznesmenët kuotën më të lartë prej 8 mijë Lekësh në vit./Xh.R