Kryeministri Edi Rama tha se studentët e mjekësisë që do arrijnë rezultate të lartë gjatë studimeve, do mbështeten financiarisht nga shteti, por me kushtin që kur të përfundojnë studimet nuk mund të ikin menjëherë jashtë shtetit, por do duhet më parë të punojnë për tre vite në Shqipëri dhe vetëm atëherë mund ta marrin diplomën.

Këtë deklaratë kryeministri e bëri para gjimnazistëve që u nderuan me Medalje te Artë, pasi përfunduan studimet me mesatare 10.

“Sigurisht që, tek mjekësia, tek ato që janë degët prioritare do të fokusohemi dhe nga 20 në vit, me këtë sistem që kemi zgjedhur ne do të financojmë mes 200 dhe 400, në varësi se nuk i parashikojmë ne, në varësi nga numri që kemi dhe duke parë dhe mesataren sesi ka qenë, midis 200 dhe 400 ne do japim një pagë për çdonjërin por ama askush që do hyjë në këtë sistem nuk do ta marrë diplomën përpara 3 vjetësh. Që do të thotë, je mjek, do të financojmë, do punosh 3 vjet mjek, patjetër, këtu dhe pastaj do marrësh diplomën me të gjitha nderimet e nevojshme dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë, pa problem”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë kur një mjek ka punuar në vendin e tij për tre vite e ka më të lehtë të gjejë punë në vendet e huaja.

“Aq më tepër që është e padiskutueshme që 3 vjet eksperiencë në vendin tënd, edhe në kushtet e vështira të vendit tënd, në rast se të qëllon që të punosh në kushte të vështira se ka gjithmonë e më shumë kushte të mira për të punuar në një pjesë gjithmonë e më të madhe të sistemeve, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënd nëse shkon jashtë, në vend se të ikësh direkt sa ke mbaruar shkollën për të kërkuar atje të punosh në profesion”, shtoi ai.