Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e ndihmës financiare humanitare prej 1 milion eurosh për Ukrainën.

Lajmi u bë i ditur nga faqja zyrtare e Kryeministrisë, duke cituar VKM-në e sotme.

“Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, llogaria ekonomike 605, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 000 000 (një milion) eurosh”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Ky fond, sipas vendimit, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022.

Për zbatimin e këtij vendimi, qeveria shqiptare ngarkoi Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim hyri në fuqi menjëherë dhe u botua në “Fletoren zyrtare”./Xh.M