Qentë mund të qajnë nga gëzimi kur ribashkohen me pronarët e tyre, ka zbuluar një studim i ri.


Ata mund të jenë vërtetë të emocionuar kur shohin shoqëruesit e tyre pas një periudhe të gjatë mungese, kanë thënë studiuesit japonezë, shkruan BBC.

Lotët besohet se thellojnë lidhjen mes qenve dhe pronarëve të tyre.

Studimi, i bazuar në sjelljen e 22 qenve, shqyrtoi reagimet e qenve që u ribashkuan me pronarët e tyre dhe me njerëz të tjerë që njihnin.

Për të testuar teorinë e tyre, akademikët në Universitetin Azabu dhe Universitetin Mjekësor Jichi vendosën shirita letre nën sytë e qenve gjatë ndërveprimit normal me pronarët e tyre dhe një minutë para se të ribashkoheshin me ta pas pesë ose shtatë orësh ndarje.

Ata zbuluan se kur qentë panë pronarët e tyre, ishte hera e vetme që kanë qarë. Nuk kishte të njëjtin nivel të rritjes së prodhimit të lotëve kur qentë u ribashkuan me njerëzit me të cilët njiheshin, por nuk ishin pronarët e tyre.

Për të parë nëse lotët ishin të lidhur me emocionet e tyre, studiuesit aplikuan një zgjidhje që përmban oksitocinë, një hormon kyç i përfshirë në lidhjen, te qentë.

Pasi përdorën hormonin, ata zbuluan se lotët e qenit u rritën ndjeshëm.

Ndërsa qentë dihet se qajnë për të mbajtur të pastër kanalet e tyre të lotit, kjo nuk ka qenë e lidhur me reagimin e tyre emocional më parë.

“Ne kurrë nuk kishim dëgjuar për zbulimin që kafshët qajnë në situata të gëzueshme, të tilla si ribashkimi me pronarët e tyre”, tha Takefumi Kikusui, një nga autorët e studimit në revistën Current Biology.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se pronarët ndjenin më shumë dëshirë për t’u kujdesur për kafshët e tyre kur i shohin me sy të përlotur./xh.m