Nga Prof. Dr. Sadik Bejko

… Majlinda Rama është një krijuese me disa dimensione. Është poete lirike me një zë të veçantë, të fortë e të mençur në poezinë shqipe, por është edhe romanciere/prozatore dhe studiuese/eseiste. Të bësh bashkë këto tre fusha kërkon angazhim, kërkon sigurisht, një energji mendore dhe shpirtërore dhe kërkon, po ashtu, që të jesh e angazhuar me artin e fjalës, për të thënë diçka dhe për të zënë aty një vend.

Mendoj se ky (Majlinda, pra) është tashmë një profil i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm, dhe që duhet marrë parasysh nga shkenca jonë letrare, edhe nga opinioni ynë, nga klima krijuese që kemi në Shqipëri që është një zë, me të vërtetë për t’u përshëndetur.

Po të marrim poezinë e saj, edhe nga ky libër i fundit, “Lirikë me dhimbje”, gjejmë tek Majlinda, poezinë e fortë dhe të ëmbël të dashurisë që e zotëron librin, por temat, motivet, situatat dashurore, vijnë në këtë libër në mënyrë të plotë, të ngjeshur dhe të larmishme… dhe flasim këtu për një poete që e sjellë dashurinë si zgjidhje të problemeve, të streseve dhe zbut shpirtin njerëzor, zbut në kuptimin e qytetërimit, fisnikërimit të njeriut.

Një nga porositë që jepte Faik Konica ishte që, po nuk e zbutëm shqiptarin, keq do t’i kemi punët. Sigurisht, letërsia e sjell këtë përmasë, këtë fisnikërim dhe ky libër nuk është thjesht me lirika dashurie, por është një vlerë, është një filozofi mbi jetën.

Më bën përshtypje se libri ka brenda atë që thotë profesor Ali Aliu, distancimin. Kjo duket në disa tema ku ka kontrast bardhë e zi, realizime të tilla, si: këtej xhepi me lekë, andej xhepi bosh, këtej njerëz që dëfrehen, andej njerëz që vuajnë, një lloj aktualiteti ose një lloj kontradikte që ka jeta; ndihen edhe motive të tjera, pra, ka brenda përbrenda një përplasje tragjike, dramatike, që i sheh të dyja palët, të dyja anët e problemit dhe kjo është një cilësi e mirë e poezisë, plus që ndonjëherë në poezinë e saj nuk mungon edhe sarkazma, duke na sjell një poete me ndjesi të fuqishme, por dhe e mençur…

*(Shkëputur nga fjala e mbajtur gjatë promovimit të  “Lirikë me dhimbje” në QKLL, Tiranë, 14.10.2021)