Majlinda Rama është një lirike e ëmbël, fine dhe e thellë. Ajo ka lëvruar me sukses disa fusha, po ajo që e shpreh  më mirë individualitetin e saj krijues  është poezia. Mund të themi se Majlinda është një nga përfaqësueset më të spikatura  të avangardës  së katërt, asaj të viteve 2000 ku modernizmi ndërthuret me posmodernizmin, ku poezia shqipe arrin më në fund një ekuilibër  relativ pas “shkrirjes së akujve” të përjetuar në vitet 90-të, çlirimit nga akujt e rregullave të ngurta të “realizmit socialist”.

Në thelb të poezisë së Majlindës është problematika  ekzistenciale e ndërthurur me problematikën sociale. Temat e përjetshme të dashurisë erotike dhe gjithënjerëzore, problemit të së mirës  dhe së keqes, vdekjes si armike të jetës  dhe si ligj biologjik dialektik ndërthuren  me temat e anarkisë, përmbysjes  së vlerave  tradicionale, po edhe rrezikut të zhdukjes  së vlerave, emigracionit, pandemisë, të tëra këto të tretura  në një dhimbje lirike.

Poezia e saj ndërthur hermetizmin  me pashermetizmin. Vëllimet e saj  më domethënëse janë “Lulet e egra” dhe “Lirikë me dhimbje” që  sikur plotësojnë  njëri-tjetrin, që alternojnë elitarizmin me një frymë thjeshtësie  dhe qartësie e cila i vjen nga poezia popullore.

Majlinda i këndon sipas mënyrës së vet temave  që marrin një ngjyrim të  veçantë në krijimtarinë  e poeteshave, dashurisë erotike  dhe amësisë. Këto dy dashuri për të janë  ambivalente, gëzim-dhimbje, pasion të furishëm, dhëmshuri të butë.

Majlinda lëvron  edhe lirikën e ndjenjës  edhe atë të mendimit. Po edhe kur lëvron këtë lirikë të fundit ajo di të gjejë pikën e duhur të vlimit midis mendimit dhe ndjenjës, ajo nuk bie kurrë në ftohtësi dhe cerebralizëm, siç ndodh me ndonjë tjetër poet  hermetik.

Nga vjershat më të realizuar të Majlindës  mund të përmendim “Më pëlqen të takohemi në mëngjes”, “Më pëlqen të takohemi në mbrëmje”, “Vajzës së palindur”, “Trëndafilat e bardhë”, “Si nuk e vesha  një fustan të bukur”, “Rituali i puthjes”.

Do të ndaleshim edhe te një vjershë  me temë të pazakonshme, “Vjehrrës në agoni” ku dashuria njerëzore  përshkon një dialog  të veçantë  me ngrohtësi e dhimbje, larg nga xhelozia, që jo rrallë dallon marrëdhëniet nuse-vjehrrë, po kur vjehrra shihet si nënë e dytë dhe dashuria për bashkëshortin nuk është barrierë, po urë midis heroinës  lirike  nuse  dhe nënës së të shoqit e cila portretizohet   në çastin e fundit  të jetës, ndërsa nusja e përcjell me një buqetë vargjesh, duke e quajtur  me emrin e shenjtë “nënë”.

Një vjershë  plot tharm jete, jetë që i kundërvihet  vdekjes është  “Eja të duhemi” që i këndon jo vetëm çastit në mënyrë hedonistike, po dashurisë në kuptimin e plotë të fjalës.

Ka edhe poezi me frymë të freskët popullore, të stolisura  me rima dhe nganjëherë me refren  si “Lulet e luftës”, “Mall’ e burrë”, “Lojë të dashuruarish”, “Sy më sy”, “Prit ca, pak!”, “Mos pyet kurrë”, “Pikëllim i vonë”, “Ndizma një qiri”.

Një vjershë konçize, e qartë, e thjeshtë dhe plot  tragjizëm është vjersha  që i kushtohet ngatërrimit të vlerave “Çfarë të jesh në këtë vend?!”

Poemthi pa titull me katër  këngë është poemthi i himnizimit të familjes si ishte dikur dhe vajtimit për shpërbërjen e saj sot që shprehet në vargjet pyetje që e mbyllin çdo këngë.

Figuracioni i poezisë së Majlindës  është  befasues. Vetëm nga shpirti i një gruaje, një nëne mund të buronte  krahasimi  për gruan që lind  “me kurmin e ndarë më dysh si dy gjysma hëne” që sintetizon  bukurinë  dhe  dhimbjen. Po metafora mbresëlënëse “diell i gjinjve”, një metaforë dygjymtyrëshe që shpreh bukuri  dhe zjarr pasioni?

Ka edhe metafora  që pikojnë  dhimbje “Këmishë e grisur  kjo jeta ime”, madje metafora  aq të vrazhda  sa të lenë pa frymë, si “deti kockë e kalbur”.

Detajet  s’janë të huaja për poezinë e Majlindës, ndaj janë shpesh  të ashpra e tokësore, ashtu si janë edhe fine.

Në poezinë e kësaj autoreje  ka një palitër të pasur  ngjyrash, e kuqja, e zeza, roza, e kaltërta, grija, po ngjyra e bardhë është e parapëlqyera e Majlindës, ngjyra e dlirësisë, ngjyra e borës dhe e qumështit, ngjyra që shkrin në vetvete ngjyra të tjera. Mund të kujtojmë “Trëndafilat e bardhë”, “Lulet e bardha”, “Trio bardhë e zi”.

Poezia e Majlindës ndizet nga patosi  lirik,  po edhe nga patosi  dramatik dhe tragjik, nganjëherë nga patosi satirik.

Në këtë poezi mund të vihet re  një nënshtresë mitologjiko-biblike dhe një nënshtresë popullore. Në këtë terren mitesh dhe legjendash që vijnë  nga lashtësia  dhe rinovohen  për të marrë formën moderne, ka çelur poezia  e kësaj autoreje si një  lule e egër./ExLibris

*Fjala e mbajtur në takimin e zhvilluar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra e Librit dhe Leximit më 14.10.2021, Tiranë.