Policia e Shtetit informoi sot se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord-it, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, më datë 25 maj.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit publikoi hartën në shqip e në anglisht, që tregon zonën pa trafik, të dedikuar për këmbësorët e tifozët, si dhe zonat ku mund të qarkullohet me mjete, në këtë datë.

“Policia e Shtetit vlerëson shumë mirëkuptimin e qytetarëve dhe u kërkon drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjen në zonat përreth ku zhvillohet aktiviteti sportiv, si një ndihmë e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë”, thuhet në njoftim./Xh.M