Shqipëroi: Agron Xoxa

Nuk jam…

Nuk jam
ai tip njeriu që zhytet e mendon,
shkoj pas asaj që ndiej fort,
ndjenjat e mia
shkojnë përherë me ata, mund të jenë
të mangët, handikapatë të çfarëdolloji,
apo mbetur thatë.
Me ata, përherë
të torturuarit pa mëshirë,
të dhunuar e të humbur,
Jo për simpati,
por jam vëlla i tyre, ashtu ndjehem
kështu kam qenë,
i humbur, një prej tyre
konfuz
i pafajshëm
meskin,
i tmerruar kokëfortë, i padrejtë,
bujar, vetëm në pauza të shkurtëra
dhe, edhe nëse isha mashtruar,
e dija se vlerë nuk kisha
askush nuk isha
nuk i duhesha askujt,
përkundrazi,
përforcohesh pa dashur, brenda
e në duart e mia,
shumëfishohej në pafundësi
ajo që unë jam…

 

Ditën e mirë!

Me fytyrë nga muri,
skuadra ekzekutimit, gati!…
Por,
e lanë të lirë, pas pak
ia falën jetën.
E nëse Dostojevski, do ish pushkatuar vërtet,
përpara se të kish hedhur në letër
gjithçka të vetën…?
Do them, se
asgjë nuk do kish ndryshuar
asgjë, të paktën në të tashmen.
Ka miliarda njerëz
që nuk e lexuan e as do kenë rast
ta lexojnë pas sot!
A e dini,
se kur isha i ri, ai më çoi të shkoj në fabrika
të duroja kur shkoja me kurva, të vuaja
lakuriq, e këmbë ngërthyer…?
Më bëri të fluturoj lart, ai, nëpër natë,
më vendosi thatë, në një vend të njomë…
Edhe kur isha në Bar e pija verë
shok i të gjithëve
mik i braktisur,
ndjehesha mirë që Dostojevskit
i ish falur jeta.
Kjo bëri
të më falej edhe imja,
bëri, t’i shoh drejt e përballë ato fytyra
prej acidi, neverie.
Ata, që popullojnë botën
që shumojnë vdekjen pa luajtur as gishtin,
Ndënja kështu, kokëmushkë,
unë, i ndezuri për pije
duke ndarë, pa çarë kokë
errësirën që shtrihej, përreth
me ta,
me sivëllezërit e mi.

 

Çfarë do bëjmë?…

Atëherë, çfarë do bëjmë?
Dashuri.
Vërtet?
Po.
Bukur, Atëherë po zhvishem.
E pse të zhvishesh?
Për të bërë dashuri.
E kush ka thënë
Se të bësh dashuri duhet të jesh lakuriq?
Sa di unë, kështu bëhet…
Jo, ajo nuk është dashuri, është
pushtet, dhunë me dashje mbi tjetrin.
Atëherë, si bëhet, nuk po kuptoj?
Lëri veshjet në trup e flasim,
deri sa të lodhemi e rrëzohemi përtokë,
deri sa të deshifrohemi,
sa të mbajmë përmëndsh njëri-tjetrin,
sa të zbulojmë çdo sekret, tonin.
Afrimi, seksi, nuk është shaka,
të vështron gjatë, deri sa shuhemi e humbasim,
deri sa këta sy të na lodhen
aq sa të na mbyllen.
Atëherë, flemë, bashkë…
Mirë! Do provosh, ti mbash ti, hapur?
Po, por vetëm për të të parë
ty nga afër…

 

Bukuria

Bukuria është diçka relative,
shumë mendojnë
se e ke gruan më të bukur kur
të gjithë kthejnë kokën për ta vështruar.
Ndërsa,
unë them
se e ke vërtet,
atëherë, kur ti vetë nuk kthen kokën
të vështrosh a jargavitesh
për gratë e të tjerëve…

 

I dashuruar…

Isha i dehur,
e vërteta është, se ulërrita
sa të urreja, rrugëve,
kur qaja në lot, gjithë qytetin, rrugët,
Arrita, si pa dukur, poshtë dritares
poshtë portës, e i rashë ziles tënde
aq, sa m’u ngjit dhe dora,
Doja të të thoja, në sy
sa shumë të mëshiroja, por,
dera m’u hap, e ti më pe nën qiri,
Dreqin, mendova, sa jam i dehur,
aq sa mos kuptoj, se, unë isha bisha
e ti e ëmbëla, bukuria,
Doja në atë çast
veç të të thoja, sa të dashuroja,
E kur më the, ç’bën ti, këtu,
në vënd të të thoja, ik, dreq
sa të urreja
bëlbëzova vetëm, ik dreq
sa të doja…

 

Ta dish

Dua ta dish
që të të zgjedh ty,
do ta bëja lehtë e mes qindrash
mijëra herë,
Të ish për mua
do isha veç atje
ku ti je,
të të shtrëngoja e përqafoja
fort e fort,
për gjithë natën
apo dhe për tërë jetën.