Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikëve lidhur me masat e marra për të ndihmuar qytetarët që u përfshinë nga përmbytjet por gjithashtu dhe për energjinë elektrike. Kreu i qeverisë hedh poshtë akuzat se KESH ka shitur 4 herë më lirë energjinë se bursa.

 “Gënjehet pa të keq fare, sikur këndohet, bjeri t’i biem, një orkestër e tërë e injorancës dhe ligësisë, kanal më kanal portal më portal, shifra futja kot, fjalë rromapërtoma për të helmuar popullin e nxitur urrejtjen ndaj qeverisë! Deri në pikën që s’ka më asnjë logjikë”, ka thënë Rama.

Në një tjetër postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i del në mbrojtje kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako pas akuzave të opozitës se nuk po bën asgjë për qytetarët.

 “Mjerë kush hyn në këto kanale, lexon e kujton se informohet, po veç helmohet me gënjeshtra të trasha, jashtënxjerrje e neveritshme e helmit që verbon e nxit urrejtjen… Kryetarja e bashkisë Durrësit në krye të detyrës, pranë njerëzve me tërë punonjësit”, ka thënë Rama.

Rama vë në dukje se në vitin 2010 në Shkodër pati një dëm të 14.280 hektarëve tokë ndërsa sot janë 1685 hektarë. Teksa bën këtë krahasim, shkruan  se kamerat me objektiv të ngushtë nxisin urrejtjen për të përmbysur të vërtetën.

 “Ja se ç’i bëjnë opinionit kamerat me objektiv të ngushtë e gjuhët me llapje të gjerë, gjithnjë për të njëjtin qëllim, nxitjen e urrejtjes, teksa faktet nga i njëjti burim, bashkia Shkodër(!), flasin më qartë se s’ka për të vërtetën e përmbysur prej korit të injorancës e ligësisë”, është shprehur Rama.

Këto reagime të kryeministrit vijnë dhe pas shumë akuzave të opozitës se qeveria nuk po bën asgjë për të mbrojtur qytetarët./Klan News