Balada e Hankos, një nga perlat e rralla, krejt e veçantë e folklorit tonë, sa herë që e përsëris me vete më emocionon dhe më shtie në mendime për madhështinë e saj njerëzore. Ndaj, kur më ra në dorë eseja e shkrimtares së talentuar Majlinda Rama, e cila e percepton baladën aq poetikisht dhe i zbulon nënshtresat e saj përmes imazheve të historisë e jetës shqiptare, e quajta me vend t’ia përcillja lexuesve të nderuar të “Ditës”.

Kemi të bëjmë me një nga baladat tona më të lashta, që sipas studiuesve i takon shekullit XVI, e lindur në trevat e Labërisë, madje thuhet në zonën e Rrëzomës, pikërisht në fshatin Kamenicë që s’ekziston më fizikisht, po emri i ka mbetur në vargjet e ligjërimit lab, në baladën kushtuar Hankos, bijës së saj legjendare.

Një heroinë që nuk ka një shoqe të dytë, një vajzë e re, e bukur si drita që, duke kaluar nëpër situata sa marramendëse aq dhe jetësore, kthehet në mit.

Në një mit që përmes fatit të saj lidh dy kufijtë e ekzistencës së njeriut: jetën dhe vdekjen. Është ky realitet i përjetshëm që e bën baladën të ketë një profil të dyfishtë: të jetë edhe si elegji, edhe si lirikë. Si elegji ajo bart ceremonialet mortore që kanë në sfond peizazhin e varreve, nën të cilat flenë  trimat e vrarë në beteja, kurse më pas evoluon nga elegji në lirikë, gjithë dufe jetësore. Sepse është jeta që mund vdekjen, është gëzimi i dasmës që triumfon dhe trupëzohet në figurën e Hankos e cila na shfaqet me bukurinë e saj magjike tek ngjall të vdekurit dhe vdes të gjallët. Janë këto hire të perëndishme që i kanë bërë ballë kohërave, luftërave, gjithë rreziqeve dhe i kanë dhënë kuptim botës njerëzore.

 

Majlinda Rama nuk merret me historinë e këngës, por vështron vlerat e saj estetike, bukurinë e papërsëritshme që poeti anonim, më një koncizitet të tejskajshëm, përmes situatash dramatike dhe lirike arrin të përvijojë një tablo shqiptare, që e bën po aq universale  me të vërtetën e amshuar që ngërthen. Është merita e autores së kësaj eseje që jo vetëm i qaset këngës magjike me delikatesë, elegancë dhe ndjeshmëri, por duke u përballur me koncizitetin e lartë të tekstit, ka ditur të depërtojë me sens mase në shtresat e nënshtresat filozofike-jetësore të saj.

Ajo e cilëson trivargëshin e famshëm “Hanko mos kalo nëpër varre”, që të kujton skenat Shekspiriane, “një oqean plot margaritarë” me një harmoni që vështirë t’i gjesh një të dytë. Një bukuri e tillë që flet vetë, s’ka nevojë për shpjegime e komente, ashtu siç del vetvetiu dhe kuptimi i baladës që buron nga vetë shpirti i popullit.

Hankoja vetëm shfaqet si një monument madhështor e heshtur. Është kjo pamje që përbën komunikimin e Hankos me kohët që vinë, le të kuptohet autorja e esesë.

 

Për ese të tilla ka nevojë lexuesi ynë për të evidentuar e shpjeguar përmes fjalës së mençur vlerat e çmuara të thesareve të folklorit tonë. Një shembull që duhet përshëndetur e përgëzuar, kur këtë nevojë me këtë rast ia plotëson një shkrimtare e re, gjë që tregon për interesin e brezit të ri ndaj traditave kombëtare.