Teksa Sali Berisha zhvillonte mbledhjen me deputetët, Gazment Bardhi mblodhi për herë të parë grupin parlamentar si kryetar i tij, jo në selinë e re, por në kryesinë e Kuvendit.

Të pranishëm ishin 18 deputetë, ndërsa 10 prej tyre munguan.

Munguan në mbledhjen e grupit:

1. Lulzim Basha

2. Ervin Salianji

3. Agron Gjekmarkaj

4. Flamur Hoxha

5. Helidon Bushati

6. Isuf Çela

7. Kreshnik Çollaku

8. Ramadan Likaj

9. Saimir Korreshi

10. Xhelal Mziu

Disa prej deputetëve kishin një iniciativë të përbashkët, atë të bashkimit të PD.

“I gjithë grupi parlamentar është një dhe unik i PD pavarësisht problemeve që ka.”

“Unë mendoj që kjo mbledhje si temë kryesore duhet të ketë thirrjet për bashkimin e demokratëve.”

“Opozita shqiptare duhet të rikthehet në alternativë.”

Grupi parlamentar paralajmëron një tur dëgjesash në Shqipëri. Sipas nënkryetares Jorida Tabaku kjo vendimarrje vjen si rezultat i garës së 14 Majit.

“Kemi nevojë që të nisim një tur reflektimi me të gjithë demokratët, por njëkohësisht me gjithë qytetarët për të kuptuar se si mund të ringrihemi.”

Teksa PD është ende pa kryetar, Lulzim Basha duket se mbetet ende një opsion. Për rikthimin e tij, lë një derë të hapur Enkelejd Alibeaj.

“Çdokush ka të drejtë të kandidojë në një parti që është vërtetë demokratike, këtë e vlerëson vetëm anëtarësia.”

Por a po e shqyrton si mundësi Jorida Tabaku, si e vetmja nënkryetare e mbetur?

“Unë besoj që çdo gjë sot do të bëhet në konsultim me deputetët, çdo vendim që do të merret do të jetë bashkarisht për rrugën më të mirë.”

Në fokus të mbledhjes ishte dhe çështja e pagave, për të cilën ligjvënësit do duhet të japin votën ditën e Enjte.