Specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kombëtare dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Post-Bizantine kanë filluar zbatimin e projektit “Punime restauruese në kishën e Manastirit të Shën Kollit, Mesopotam”.

Ky projekt realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Post-Bizantine.

Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë bën të ditur se “ky projekt ka në fokusin e tij: përdorimin e metodës analitike jo-destruktive (FTIR) për analizën e pigmenteve, e cila nuk është një metodë analitike shkatërruese. Përdoren pajisje in situ për të marrë një diagram dixhital të pigmenteve në kompjuter. Pas kësaj, do të dërgohet në një laborator të specializuar në Greqi për të identifikuar diagramin duke përdorur një bazë të dhënash të veçantë”.

Projekti ka në fokus edhe marrjen e mostrave të suvasë për analizën e vëzhgimit të stratigrafisë.

“Nga një zonë e dëmtuar e pikturave murale merret, një mostër rreth 2 cm. Numri i mostrave varet nga fazat e ndryshme të suvatimeve të evidentuara. Parashikohet se do të pesë deri në gjashtë mostra. Kryerjen e provave in situ në pjesë të përzgjedhura të pikturave murale me qëllim përcaktimin e metodologjisë dhe materialeve të konservimit. Për të përcaktuar se çfarë materialesh dhe procedurash do të propozohen për realizimin e projektit, nevojitet kryerja e disa sondazheve në pikturën murale që në këtë fazë fillestare të projektit. Këto sondazhe do të shërbejnë në fazën e përcaktimit të metodologjisë ekzakte për ndërhyrje në sit”, nënvizon Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë.

Manastiri i Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetin antik të Finiqit konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për ta vizituar atë.

Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku./atsh/Xh.M