Në qytetin e Përmetit nis sot festivali i gjysheve “Nona”, i cili do të zhvillohet deri më datën 7 gusht.

Festivali do të sjellë panaire, art, gatime nga duart e gjysheve, jo vetëm përmetare, muzikë dhe energji të mirë. Të gjitha këto pritet të mbledhin në Përmet një numër të madh vizitorësh, përgjatë festës që do të vazhdojë për tri ditë e netë rresht.

Ky është viti i tretë radhazi që organizohet kjo festë e veçantë, dedikuar gjysheve.

Në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e bashkisë Përmet, Alma Hoxha, shprehet se është e lumtur që do te jetë këtë vit, pranë emrave të artit e muzikës.

Festa do të ketë sazet e famshme të Përmetit, këngëtarin Vaskë Curri, Irini Qirjakon, Kozma Dushin, Myfarete Lazen, Devis Xherahun e Fifin, si edhe emra të tjerë të botës së artit.

“Festivali i gjysheve” ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Përmet./atsh/xh.m