Sfidat e një qyteti janë proceset që shtyjnë përpara zhvillimin e tij. Sfidat japin produkte. Produktet janë institucionet, janë ligji dhe zbatimi, edukimi dhe kultura. Fieri ka një privilegj të madh jetik, i cili do ta çojë, ndoshta përherë, në progresion zhvillimi, sepse ky qytet ka një trashëgimi unike, gati të pashoqe, kulturore, sociale, edukuese, që i rrjedh si ujëvarë qysh nga antikiteti. Nëse ky qytet diti të ruajë dhe kultivojë edukim dhe kulturë, nga lindja e deri më sot, është pikërisht arsyeja se zhvillimi i tij qëndron mbi një themel të shëndoshë dhe me vlera të patjetërsueshme.

Në ndryshim nga shumë qytete të vendit, Fieri ka një fizionomi e veçori të rrallë, bazuar në atë vlerë të çmuar të bashkëjetesës multikulturore, etnike, shpirtërore e religjionare. Ky është treguesi më i mirë, që dëshmon se Fieri, me zhvillimin e tij institucional, brenda ritmeve dhe ulje-ngritjeve, ka mundur të prodhojë kulturë dhe art. Tek e fundit, ka arritur të ndërtojë histori!

Kjo vatër qytetërimi, midis shumë shpërthimesh kulturore dhe organizimit të formacioneve të ndryshme artistike, si: Ngritja e korit, orkestra simfonike dhe ajo frymore, grupi i valleve, grupet e njëpasnjëshme të këngës, për të ardhur tek institucionet Teatri, Biblioteka, Muzeu, Galeria e Artit, Shtëpia e Kulturës, etj, pati edhe një tjetër prezante, që do ta fisnikëronte si qytet, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Myzeqeja”.

Ndonëse nuk ka një informacion të qartë se si nisi dhe u pagëzua ky Ansambël, disa nga të dhënat tregojnë se fillimet e tij përkojnë me themelimin e Shtëpisë së Kulturës në vitin 1947. Në ato vite, të vendit sapoçliruar, kënga dhe vallja ishin përpjekjet më të dëlirta njerëzore për rinisjen e një stine të bekuar, që do të lulëzonte pranverën artistike të mëvonshme. Pjesëmarrësit e parë në grupin e valleve popullore (1947) ishin Urani Haxho (Verria), Llambrini Gëro, këngëtari i njohur Timo Lule, muzikanti Met Muka, etj.

Në fillim të viteve ’50, do të dëshmonin sukses dy vëllezërit Hamza dhe Syrja Minarolli, i pari koreograf dhe i dyti violinist, të cilët me përkushtim dhe pasion të veçantë, nisën të mblidhnin grupet amatore, duke synuar të rinjtë e talentuar. Grupi i valleve nisi të merrte formë shumë shpejt dhe festat nuk munguan. Në salla modeste, në sheshe, në data të shënuara historike, në takime brenda dhe jashtë Fierit, ndonëse formacion amator, grupi i Fierit shkëlqente. Kulmi i fillimeve të grupit të valleve popullore u arrit me pjesëmarrjen në Festivalin e dytë Kombëtar të Tiranës, në maj të vitit 1949, ku edhe u vlerësuan me çmimin e tretë. Në këtë festival, pjesë e grupit ishin Llazar Panajoti, Fana Spaho, Kujtim Jorgaqi, Mustafa Derveni, Sokrat Gallani, Urani Verria, Marika Kallamata, Piro Gjerazi, Llambi Gevo, Dhori Spiro, Llazar Vertopi.

Kjo qe dëshmi se edhe grupet amatore prodhonin art cilësor, falë dashurisë së madhe për vallen.

Në vitet 1967 – 1968, grupi i valles njohu një tjetër rritje. Koha ndihmonte që vallëtarët të rriteshin artistikisht, duke shënuar sukses pas suksesi dhe duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve. Ata ishin aty në çdo festë, në çdo dalje publike, në çdo përfaqësim.

Drejtimin e grupit të valles do ta merrte koreografi Bajo Toto dhe fill pas tij, në vitet 1971 -1973, kompozitori Simon Gjoni, do t’i jepte një hov të madh zhvillimi për kohën. I frymëzuar nga pjesëmarrja në Festivalin e Këngës dhe Valles së Përpunuar në Vlorë, në vitin 1972, (ku në orkestër ishte edhe pianistja e njohur, Marie Rafaeli), Simon Gjoni do të merrej me përpunimin e valles myzeqare, ku u blatua vargu i njohur, “Nga mal’ i Tomorrit duket Myzeqeja”.

U shqua, po ashtu, puna e muzikantëve të talentuar Meti Muka e Isuf Maloku, por edhe drejtuesit e Shtëpisë së Kulturës, Didin Dizdari, Piro Gjerazi, Vasillaq Zaharia, Tili Koçi, Ilir Dano, Thoma Meço, Fran Ukcama, Fatmir Kapllani, Muhamet Sherri, Shaqir Seci, Vilson Shaho e Gëzim Pëllumbi.

Me ardhjen e koreografit Vlash Kallamata, kompozitorit Nikollaq Bulo dhe skenografit Pandi Lena, nën regjinë e Kujtim Jorgaqit, Ansambli filloi të shfaqej më i organizuar, derisa në vitin 1978, do të shpërthente në premierën e tij. Salla e Teatrit “Bylis” ishte mbushur plot e përplot me spektatorë. Një sukses i paralajmëruar qysh nga fillimet krijimit të grupeve popullore në Shtëpinë e Kulturës.

Këngëtarët Lefteri Sillo, Sofika Hodo e Timo Lule ishin pararoja e suksesit, por edhe kompozimet e reja, të këngëve dhe valleve të përpunuara të Myzeqesë dhe Mallkastrës, nga Bulo, si dhe rimodelimi i kostumeve popullore nga Lena, i shtuan kurorën këtij Ansambli, duke e sjellë atë me autoritetin e një institucioni.

Pas largimit të Kallamatës, Ansamblit i erdhi sërish Bajo Toto, i cili do të vijonte punën si koreograf deri në vitin 1986, kur në krye të Ansamblit “Myzeqeja”, do të vendosej koreografi tjetër i talentuar, Shaqir Seci. I sapodiplomuar, ky i fundit, solli një erë të re. Seci erdhi me një pasion të madh për të ngritur në nivel artistik Ansamblin. Me këmbëngulje, përveç grupit të valleve, Seci do ta fokusonte punën në ndërtimin e grupeve zinxhire të vallëtarëve, duke e kthyer Ansamblin në një shkollë të madhe. Një model që tërhoqi vëmendjen e publikut. Ansamblit do t’i vinin ftesa, jo vetëm nga qytetet brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, duke marrë pjesë në kompeticione të ndryshme.

Ndonëse premierat kanë qenë të pakta, koncertet që Ansambli “Myzeqeja” jepte, ishin të shpeshta dhe cilësore. Leonard Syziu do të merrte stafetën pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Shaqirit dhe pas tij, erdhi Armand Çuni. Aktualisht punon me Ansamblin koreografi i talentuar, Besnik Zaimi. Kontribut në Ansambël dhanë, jo pak, edhe skenografët, Dilaver Muka, Shemedin Ruçi, Astrit Dulaj, etj.

Ajo që duhet theksuar është se Ansambli “Myzeqeja” mblodhi rreth vetes dhjetra artistë të talentuar. Në të, do të shpalosnin devocion, përkushtim dhe profesionalizëm këngëtarë e valltarë, instrumentistë e folkloristë, skenografë dhe regjisorë, drejtues artistikë dhe kompozitorë, të cilët të gjithë së bashku, do t’i jepnin kuptimin më emblematik nocionit “Ansambël”, pasi, bashkëpunuan si një ansambël i vërtetë, ku me interpretimet e tyre do të shpalosnin vlerat më të çmuara të këngës dhe valles së bukur myzeqare.

Majlinda Rama