Në 100-vjetorin e Lindjes së shkrimtarit Jakov Xoxa

Agron Xoxa: “Dhurata Xoxa, shkrimtarja që mbeti ëndërr…”

Intervistë mbi librin me kujtime të Dhurata Xoxës: “UNË DHE JAKOVI”

 Ju pyesni nëse ka patur armiq Jakovi…Po, sigurisht që ka patur, dhe në nivel emrash të mëdhenj, apo edhe vocërrakë, burracakë, që bëheshin masha e ujkut të madh, dhe atë që e thoshin sot e bënin hasha, nesër!

 Si mund ta përmblidhni jetën e mamasë suaj, pas kaq shumë vitesh, të cilën e perifrazuat: shkrimtarja që mbeti ëndërr…? Pse, e quajtët kështu?

 Po i përgjigjem fare drejt pyetjes suaj! E quajta kështu, sepse, në të vërtetë ëndrra e mamasë sime, Dhurata Xoxa, ishte të bëhej shkrimtare! Dhe ajo e kish profilin për t’u bërë e tillë! Ajo kish të dhënat, prirjen e fortë e të pandalshme për letërsinë, kish ndjeshmërinë artistike të duhur, vullnetin për punë, forcën, disiplinën dhe dituritë e plota mbi letërsinë! Por, se çfarë shkrimtare do ishte bërë, në çfarë niveli, sa do mund të konkurronte, e sa do mund të dallohej në tregun artistik të letërsisë, etj., etj., këtë askush nuk mund ta dijë e as t’i përgjigjet kësaj pyetjeje!

Nga niseni që e përkufizoni kështu personalitetin e saj? Dhe çfarë e shtyu të mbetej “në hije”, apo çfarë e pengoi që të mos e realizonte këtë ëndërr! 

 Dhurata Xoxa, mëma ime, është gati e panjohur në nivel mediatik, sot, përveçse si gruaja e përkushtuar e babait tim, Jakov Xoxa. Them e përkushtuar, se, nëse fjala do përputhej me atë çfare bën në jetën e tij njeriu, fjala “përkushtim” do ishte ajo e duhur, per të! Por, kthyer pyetjes suaj, se nga nisem të them se ëndra e rinisë së herëshme për t’u bërë bëhej shkrimtare, Dhuratës, mund të tregoj me plot gojë disa nga elementët që më shtyjnë ta them! Po e nis me prirjen e saj! Nuk është e njohur, se Dhurata Tako (Xoxa), në moshë të njomë, lexonte me një pasion të pandalshëm çdo libër letrar që dilte në qarkullim, çfarë të ish; roman, novelë, poezi, etj. Në fillim, krejt e lirë dhe pa përzgjedhje e seleksionim, duke ndjekur pasionin e brendshëm drejt leximit; më pas, si nxënëse e shkollës Pedagogjike, ajo e ndjente leximin si pjesë të sajën, si një shqisë të shtuar, pa të cilën nuk mund as të gdhihej e as të ngrysej dhe kjo e shtyu atë drejt një “plan leximi” me një qëllim të përcaktuar. Pra, ajo kish filluar të kuptonte mirë prirjen për letërsinë, si tërheqje e papërballueshme drejt një bote, të cilën ajo do dëshironte me gjithë shpirt, të bëhej pjesë e saj! Leximet e saj dhanë frytet që dihen! Hartimet e saj në orët e letërsisë në shkollën Pedagogjike, lexoheshin përpara klasës, dhe shumë e shumë herë përpara shkollës, apo në stendën e letërsisë në korridorin e gjatë të shkollës. Një mundësi e madhe në këtë drejtim, ishte se familja e saj, e transferuar në Tiranë, diku nga vitet e para të viteve tridhjetë, shekulli i kaluar, ishte në gjendje ekonomike mjaft të mirë. Rasti solli, që babai i saj, nga mësues në Përmet (vitet ‘30-‘35), u shndërrua në një tregtar të mirënjohur në Tiranë. Kjo, në bazë të një dekreti të Mbretit Zog, i cili liroi “në pension” (duke u akorduar rrogat e munguara deri në pension), një pjese të madhe mësuesish në të gjithë vendin. Ekonomia që ngriti i ati në Tiranë, ia lejonte atij, që t’i plotësonte vajzës më të vogël, këtë “tekë” e pasion disi të çuditshëm, por jo dhe aq! Ai vetë si arsimtar, kish kryer shkollë në Janinë e Stamboll, dhe ia njihte mjaft mirë vlerën diturisë dhe librit! Kështu që, ai madje dhe e shtynte Dhuratën e vogël, që të lexonte sa më tepër, duke u bërë një nga blerësit më të zellshëm të librarisë së Tiranës. Në krijimet e kohës së shkollës, u dallua prirja e saj drejt letërsisë dhe gjuhës, që përveçse i dhanë asaj kulturë e disiplinë, e bënë që të kuptonte më mirë, edhe prirjen e saj të vërtetë, të cilës, më pas iu dedikua tërësisht deri në fund të jetës. Prirjen e saj drejt dashurisë së pamatë, letërsisë, e vunë re edhe mësuesit e asaj kohe, të cilët e nxitnin që të thellohej në lexim dhe të shkruante. Një nga të cilët, ishte edhe prof. Zijaudin Kodra, mësues i shkëlqyer letërsisë në Shkollën Pedagogjike të atyre viteve e deri në vitin 1952, kur ai kaloi profesor i leërsisë në Fakultetin Histori-Filologji, dhe vetë Dhurata, u emërua mësuese e letërsisë në vend të tij, duke plotësuar një pjesë të ëndrrës, por jo të plotën. Për të kuptuar nivelin e mësimdhënies tek kjo shkollë, mësues letërsie kanë qenë emra mjaft të shquar, si, përveç prof. Kodrës, edhe prof. Llazar Eftimiadhi, prof. Arshi Pipa, etj.

Megjithatë, për këtë prirje e dhunti të saj, nuk ka shumë dëshmi, sepse edhe jeta erdhi e tillë, që Dhurata, megjithë pasionin dhe endrrën e saj përveçse të ishte e letërsisë dhe të bëhej shkrimtare e pedagoge letërsie, për fat të keq të saj, shkrimtaren ajo u detyrua ta linte mënjanë në sirtar hë për hë, sepse duhej t’i përkushtohej familjes, kushteve të vështira të strehimit, si dhe krijimtarisë së të shoqit.

Këtu më duhet të ndaj edhe opinionin tim, përsa i përket mungesës së veprave letrare të Dhurata Xoxës, e cila, pikërisht në fazën e parë të kthimit nga studimet, fillimin e punës për të dy, dhe lindjes së djalit të parë, Arben, vëllai im, si dhe kushteve tejet të pamundura të strehimit në Tiranë, bëri që Dhurata Xoxa, duke edhe menduar gjatë dhe krahasuar me talentin e Jakovit dhe qetësisë së tij për krijimtari, me keqardhje e them, se kjo ka qenë dhe ndoshta arsyeja kryesore e heqjes dorë nga krijimtaria, e mamasë sime, Dhurata Xoxa! E them këtë, sepse e di nga kujtimet e mia, se sa keqardhje, vuajtje e dhimbje i ka kushtuar asaj, mamasë sime, lënia mënjanë hë për hë (e që u kthye më pas, në përgjithnjë), e etjes për t’u bërë shkrimtare! Nga ana tjetër, se çfarë nivel shkrimi e zhdërvjelltësie stili letrar mund të kish arritur ajo, për një të fushës, ky libër me kujtime mund të shërbejë edhe si tregues i një shkalle të talentit të saj të paushtruar, të paçelur, të pashpërthyer nga gjendja e “dëshirës tek realizimi si ëndërr”! Megjithatë, marrë parasysh, stilin e drejtpërdrejtë dhe shumë të sinqertë në këtë libër, kushdo mund ta dallojë gjatë shtjellimit të librit, ashtu siç dhe e kanë shprehur në forma të ndryshme, ata, që e kanë njohur shumë herët, si p.sh., të nderuarat Elena Kadare, Valentina Leskaj, Munever Shuteriqi, Diana Çuli, etj.

E kam thënë, se me këtë qëndrim të saj të detyruar, ajo, një letrare me personalitet, e la mënjanë “gruan shkrimtare”, dhe “në hije”, e jo “nën hije” të askujt, ndoqi të paktë rrugën e përkushtimit ndaj letërsisë, në forma të ndryshme, nga mësuese dhe profesore letërsie e gjuhe në Fakultet apo shkolla në Tiranë, në shefe e redaksisë së letërsisë shqipe e të huaj, në ish-ndërmarjen e vetme të Botimit “Naim Frashëri, dhe si, konsulentja dhe këshilltarja më e vyer e të shoqit, Jakov Xoxa, në krijimtarinë e tij!

Rasti më ka sjellë të takoj shpesh ish-nxënës të saj, të cilët përherë e kujtojnë atë me një respekt, jo të zakonshëm; jo vetëm për elokuencën dhe diturinë mbi letërsinë, por dhe për mënyrën e tregimit të saj, i cili kalonte kufijtë e një ore të zakonshme letërsie! Ajo ishte modeste dhe koshiente për hapësirën e pamatë të letersisë, hapësirë që ajo e respektoi me seriozitetin më të madh dhe me këmbëngulje deri në fund të jetës dhe kërkonte të bënte më të mirën e saj për të transmetuar gjithë pasionin, tek të gjithë nxënësit apo kolegët, e sidomos, tek ata më të talentuarit, për të cilët ndihma dhe mbështetja e saj ka qenë e përhershme në të gjitha format! Dhe këtë e bënte shumë thjesht; me durim të habitshëm; pa fjalë, pa u lëvduar dhe pa ditirambe të vetvetes, siç bëjnë sot rëndomë, të gjithë!

Kam një kujtim edhe unë, biri i saj, njëkohësisht dhe një ndër ish-nxënësit e saj të orës së letërsisë në Shkollën e mesme (Liceu Artistik) “J. Misja”, në Tiranë, në vitin e tretë të mesme e në maturë, kur pa asnjë dallim me këdo nxënës tjetër, ajo ishte po aq e rreptë kur duhej (si me të gjithë të tjerët) dhe krejt e përkorë (vetëm me mua), kur më ngrinte në dërrasë të zezë për të thënë mësimin apo të bëja analizë e koment mbi një vepër letrare shqipe apo të huaj! Ende më kujtohet fare mirë, se asnjëherë nuk jam thirrur në mësim apo për analizë vepre, duke më paralajmëruar! Askurrë nuk ndodhi kjo, siç nuk ndodhi kurrë, që kur më ngrinte në dërrasë, të më vinte “dhjetën”, pa më bërë për “ujë të ftohtë”!

 

Si u njohën dhe u afruan Jakovi me Dhuraten, prindërit tuaj?

Ishte rastësia. Por, ajo lloj rastësie, kur në të takohen disa elementë të rëndësishëm; kur prirjet dhe objektivat tek dy njerëz veç e veç, janë të njëjta dhe rasti e sjell dhe i afron këta dy njerëz, pa iu shmangur ligjit të tij; kurrë pa patur përbrenda, edhe këto elementë! Siç ndodhi…!

Në fragmentin e përzgjedhur nga libri saj, sillet tek lexuesi, sesi rastësia bën të jashtëzakonshmen të zakontë, në njohjen e dy njerëzve! Ashtu ndodhi njohja e tyre! Ata të dy, u takuan në një funddhjetori të vitit 1947 në kuvertën e një anije mallrash, e cila, ngjitej në një ditë me mot të trazuar, nga Durrësi drejt ish-Jugosllavise, përmes Adriatikut, për të cuar një grup të madh studentësh shqiptarë nëpër Universitetet e vendeve ish-komuniste, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore! Pra, një objektiv i përbashkët, si “letërsia” dhe studimet e larta, bëri që ata të njiheshin, rastësisht! Dhe rastësia e kësaj dëshire për letërsinë, i ndoqi ata këmba-këmbës, por se si ndodhi, do t’ja lija lexuesit që ta zbulonte gjatë leximit të këtij Libri! Kështu, rastësitë që përmenda, krijuan për ata të dy, rastin “e arte” e njohjes, e afrimit, e dashurisë që lindi dhe u kurorëzua me krijimin e një familje, jetën e përbashkët më pas, etj., etj;

 

Ju po thoni, se rastësia e artë solli që ata të fillonin studimet jashtë vendit, për letërsi, e cila…

Jo, në fakt, këtu kemi një detaj tjetër të rastësishëm, që ndoshta i afroi edhe më tepër ata, se momenti i parë i njohjes në traget, e që nuk njihet, përveçse në rrethet e miqve dhe të farefisit të tyre! E vërteta është se, edhe Jakovi (Xoxa) edhe Dhurata (Tako), hipën në atë traget për të shkuar për studimet e larta, por secili, me një brengë; sepse askush prej tyre (e ndoshta edhe të shumë të tjerësh, atë vit), nuk do fillonte Universitetin në degën e dëshiruar e të kërkuar: Letërsinë! Jo, sepse në fakt, Jakovit i kish dalë e drejtë studimi (dhe bursë) për Drejtesi (!), ndërsa Dhuratës, për Arkitekturë, një degë të cilën ajo e kish frikë dhe nuk e afroi kurrë tek vetja, për arsye që lexuesi, do t’i njohë kur të shfletojë Librin dhe kujtimet e saj!

Pra, siç thashë, të dy ata “u detyruan” të fillonin studimet në vitin e parë dhe ta perfundonin në kohë rekord dhe me rezultate shumë të mira (viti i parë në Beograd, filloi në funddhjetori të vitit 1947, pra në përfundim të semestrit të parë, ndërkohë që atyre, përveçse mësimit të jugosllavishtes dhe leksioneve të semestrit të dytë, u duhej të asimilonin edhe leksionet e semestrit të parë, ndërkohë që studentët jugosllavë, në gjuhën e tyre amtare, i kishin filluar që më 1 shtator! Jakovi disi mbahej në degën e tij, porse Dhurata e kish tepër të vështirë dhe ankohej deri momente depresive, siç ndodhi në vitin e dytë (në Sofje), për pamundësinë e adaptimit të saj, për të vijuar në atë degë, e për t’u bërë arkitekte!

Megjithatë, ata arritën të kryenin me sukses atë vit, bashkë me shumë shokë e shoqe të tyre, e që më pas i patën të tillë, për gjithë jetën. Porse kthimi i tyre atë vit në atdhe, qëlloi jo i mbarë, për arsye jashtë tyre, sepse ndërkohë marrëdhëniet me ish-Jugosllavine ishin ndërprerë (prill 1948), sa të gjithë studentëve që mbaruan atë vit, iu komunikua se nuk do ktheheshin dhe nuk do vijonin studimet në Beograd. Siç u erdhi njoftimi atë verë, ata do t’i vijonin në Sofje (Bullgari), ku tashmë shkuan të martuar!

 

Interesante, kjo e afrimit të tyre! Por si pastaj, vijuan studimet në letërsi?

 Jakovi po, ai filloi vitin e dytë të studimeve në Sofje për letërsi e gjuhë frënge. Ndryshimin e degës, e ai kërkoi në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, po atë verë (1948), dhe ia arriti, por jo pa kokëçarje! Ndërsa Dhuratës, iu desh edhe një semestër tjetër torturë, e që, në fund të durimit, rreth përfundimit të semestrit të parë, ajo shkoi (pa e folur më parë me Jakovin) dhe takoi ambasadorin shqiptar ne Bullgari, i cili si njeri human e dashamirës ndaj studentëve, e dëgjoi me kujdes në ankesën e saj dhe kërkesën e prerë: ose të ndërronte degë (për letërsi), ose t’i ndërpriste studimet e do të kthehej në shtëpi! Dhe ashtu u bë, dmth, ambasadori, me këmbënguljen e madhe dhe vendosmërinë e Dhuratës, arriti t’u imponohej autoriteteve bullgare të arsimit, që t’i jepej e drejtë studimi për letërsi e gjuhë ruse! Po, sigurisht që kjo nuk ish e tëra që dëshironte ajo, por ish më e mira, mjaft që të studionte letersinë që adhuronte, së bashku me Jakovin e saj!

 

Interesante dhe fare të panjohura pothuaj, këto detaje të jetës bashkëshortore të shkrimtarit Jakov Xoxa dhe bashkëshortes së tij, Dhurata! Dhe ata erdhën të Laureuar për letërsi, apo…?

 Jakovi mbaroi studimet në nivel të shkëlqyer për letërsi klasike e moderne frënge, ndërsa Dhurata, siç e përmenda, për letërsi e gjuhë ruse!

U kthyen në Tiranë, të dy laureuar, por jo pa peripeci, sidomos për Dhuraten, e cila, e mbylli diplomën vërtet me rezultate shumë të mira, por në një periudhë të vështirë dhe rekord provimesh, në pritje të djalit të tyre të parë, Arbenit, i cili lindi, me të ardhur nga Sofia, në maj të vitit 1952!

Vitet e para të punësimit për të dy, nuk kanë qenë aspak të lehta! Vështirësitë ekonomike të vendit e rëndonin së tepërmi gjendjen dhe mbarëvajtjen e jetës mbas luftës, dhe, megjithë energjitë e mëdha dhe vullnetit këmbëngulës popullor të atyre viteve, shpesh ajo ishte në kufijtë e të pamundurës! Shkollat e larta në vend ende nuk ishin hapur! Institucionet e arsimit ishin në reformim të kërkuar nga sistemi dhe haste në vështirësi të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe kuadrosh të aftë dhe profesionistë të mirë!

Jakovi, filloi te punonte në Institutin e Studimeve të Gjuhësisë, i sapokrijuar, ndërsa Dhurata, siç e përmenda më sipër, me një ndërprerje disamujore të paslindjes, filloi si mësuese letërsie në shkollën e mesme Pedagogjike, aty dhe ku kish qënë nxënëse e adhuruar e kësaj shkolle!

 

Ndërkohë, Jakovi kish filluar të shkruante, apo jo, që në vitet e Universitetit! Po Dhurata?

 Shikoni, se nëse flasim për atë kontekst, për ato vite, duhet të kemi parasysh siç thashë, mungesat dhe vështirësitë shpesh të pabesueshme të pasluftës! P.sh., po, vërtet Jakovi kish filluar që student të shkruante; kish dalë ndërkohë ende student në Sofje, me vëllimin e parë “Tregime e Novela” (1948), i cili nuk u prit shumë mirë nga kritika e kohës, i ndarë në dy pjesë! Dhe në një artikull kritik, në fillim të vitit 1949 (kur ishin në Sofje), nga një kritik i njohur asokohe, gati-gati kërkonte rrëzimin e plotë të atij vëllimi dhe kjo e dëshpëroi kaq shumë Jakovin, saqë, gati sa s’e shtyu, të linte përfare krijimtarinë letrare!!! Por, ai çast (disa muaj) kaloi dhe nuk e pengoi më pas, të rifitonte edhe më me pasion krijimtarinë e lënë përkohësisht!

Të gjitha këto sa po rrëfej, janë shkruar me mjaft çiltërsi e vërtetësi në librin me kujtime të Dhuratës, për të cilin po flasim! Në ato momente të vështira, Dhurata dëshmoi se ishte një grua me përkushtim dhe kujdes të veçantë, ndaj jetës dhe krijimtarisë së Jakovit! Ajo diti të ishte edhe këshilluesja më e mirë dhe e aftë, dhe siç diti ajo të bënte në Sofje, për studime, ashtu dhe mbeti, gjatë gjithë jetës të shkurtër të tij! Dhurata, gruaja e tij, diti të ulë peshën e plagës nga shpirti i tij, duke i gjetur dhe arsyet e duhura për një ngushëllim, i cili (për këdo që e ka provuar), nuk është i ngjashëm me asnjë tjetër të tillë, si dhe gjeti fjalët dhe mënyrën e duhur, për ta shtyrë në ato çaste atë, që të vijonte të shkruante më pas; edhe në ato konditat më absurde që u krijuan në Tiranë, me kthimin e tyre, në vështirësitë e mëdha të strehimit të tyre, në një hapësirë familjare jashtëzakonisht të ngushtë, e që nuk mund të flitej kurrësesi, për një qoshe pune ku ai të vinte makinën e shkrimit! Ata jetonin në një dhomë të madhe (të përbashkët), me dy prindërit e Jakovit, Nasin dhe Marien, si dhe me vëllanë e vetëm më të madh të Jakovit, Alekon, të ndarë në disa “dhomëza” me perde, hanin, pinin, flinin të gjithë, bashkë me Benin e porsalindur.

Dhurata, përveçse një gruaje të përkushtuar në familje, ishte edhe kolege shumë e vullnetshme dhe e aftë! Është lënë krejt jashtë vëmendjes, ndihma e vyer që i dha ajo Jakovit, në Sofje në fillim e më pas në Tiranë, për sa ai bëri në shkencën e letërsisë, në hartimin e dispencës si libër më vete: “Hyrje në shkencën e letersisë”, i vetmi tekst i atyre viteve e më pas, më të cilin kanë studiuar breza të tërë letraresh të rinj në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës! E, jo vetëm këtu, por edhe në Universitetin e Prishtinës (Kosovë), apo atij të Tetovës, në Maqedoninë e veriut.

Në ato kondita tejet të vështira, edhe për Jakovin u bë gati e pamundur grumbullimi dhe shkrimi i krijimtarisë së re. Sepse për më tepër, pas një viti (1955), në po ato kondita tejet të veshtira edhe ashtu, linda unë (në korrik), dhe kështu u shtua edhe nje tjetër pjesëtar në familje, e cila, mund të konsiderohej tepër e madhe, për hapësirën e banimit që dispononte!

 

Po! Por, pas siç dhe dihet, pas disa vitesh, Jakovi do fillonte të shkonte në Apolloni, ku do nxitej të shkruante romanin e parë “Lumi i Vdekur” e të tjerët më pas…

E vërteta që njihet, mbi këto vite e më pas, mbi qëndrimin e Jakovit në Apolloni, për shkrimin e romaneve të tij është e pjesshme! Ajo që ende nuk dihet, për vitet e para të kthimit nga Sofja, është se Jakovi nuk e gjeti veten e tij tek puna që bënte në Institut, ku puna ishte eskluzivisht punë zyre, studimore, shkencore, etj! Një punë të tillë, sigurisht që e vlerësonte, porse Jakovi, që e njihte natyrën e tij, karakterin e punës, e dinte mirë se thellë-thellë, ai nuk ishte njeri i zyrës; njeri që ulej dhe merrej me shkrimet dhe studimet e të tjerëve! Atij “i hante” pena dhe duart, që të lëvizte aty ku i duhej të gjente burimin e krijimtarisë së tij! E tillë ishte dëshira dhe ashtu fatmirësisht vijoi, të paktën për sa i përket vijueshmërisë normale, me rreziqet e zakonshme të mundshme!

 

Të cilës natyrë kanë qenë këto rreziqe, që përmendni?

 Po le t’ja lemë lexuesit t’i zbulojë, duke shfletuar faqet e librit me kujtime “Unë dhe Jakovi”, e Dhurata Xoxës, libër që duhet të dalë brenda vitit, që është dhe viti i 100-vjetorit të lindjes së Jakovit! Por, për të thënë diçka mbi pyetjen tuaj, psh, unë do sillja në vëmendje, se në vitin 1955, Jakovi po kalonte një vështirësi, jo të vogël të natyrës karakteriale të Institutit ku ai punonte, aq sa në dëshpërim e sipër, dhe veçan për krijimtarinë e tij që flinte, se nuk kishte asnjë kusht minimal që ta ushtronte, e që i dukej sikur po i vdiste, ai desh kreu një “marrësi”, që mund t’i kish kushtuar krijimtarisë dhe familjes! Askush nuk e di këtë ”marrëzi” të atij viti, kur ai hoqi dorë nga Instituti dhe bëri kërkesë të punonte mësues letërsie në Fier… Po, po, është e vërtetë, si dhe fakti, që kërkesa tij u plotësua! Dhe ashtu do ishte bërë, nëse s’do lajmërohej atyre ditëve (vera e vitit 1955), se e kërkonte në takim pune vetë ministri i arsimit i asaj kohe, Stefanaq Pollo, i cili e priti shumë ngrohtë, me dashamirësi e kujdes, duke i propozuar gojarisht, se nga ajo ditë, ai mund të fillonte punë si pedagog, në Fakulteti Histori-Gjuhësi, i cili sapo ishte hapur e do fillonte nga funksionimi atë shtator! Fjalët e ministrit Pollo, “se ai Universitet, kishte shumë nevojë për njerëz me bagazh profesional dhe personalitet letrar, si ai…”, thënë në përfundim të takimit, ne djemtë e tij, i kemi ruajtur gjatë jetës, si një ditë e mirë, si ditë e bekuar.

 

Sikur iu shmangët përgjigjes, mbi vitet e grumbullimit në Apolloni, të materialit për shkrimin e “Lumit të Vdekur”…

Po ndoshta, por padashje, sepse grumbulli i atyre kujtimeve është kaq i bollshëm, sa mund të shpërqëndrojë gjithëkënd, aq më tepër mua, kur rri e lexoj këtë libër, me kujtime të atyre viteve!

Në fakt, rëndomë njihet që Jakovi e pati të thjeshtë periudhat e “transferimeve” të përkohshme të tij në  Apolloni, ku me të drejtë është thënë, që pjesa dërrmuese e krijimtarisë së tij, u shkrua atje! Është e vërtetë, edhe se pak e dinë, se romani i tretë (dhe i fundit që arriti të shkruhet, “Lulja e Kripes”), u shkrua në Ballsh, ku ai kishte të rezervuar një dhome të thjeshtë tek ish-hoteli i beqareve, siç quhej, dhe ku ai shkroi dhe përfundoi (1975-1978), “Lulen e Kripës” dhe ndërkohë po shkruante dhe grumbullonte materialin, për romanin pasues “Ari Zi”, i cili do përshkruante hapësirën e punës dhe jetës së vështirë për nxjerrjen dhe përpunimit të naftës, një nga pasuritë e mëdha të Shqipërisë!

Ndërkohë, edhe historia e vërtetë e grumbullimit të materialeve për “Lumin e Vdekur”, është paksa ndryshe nga ajo që njihet! Sepse, nuk ka qenë ashtu “lisho”, bulevard, mundi që iu desh Jakovit për të patur një dhomë pune (sot Dhomë Muze) në Apolloni. Kjo për shumë arsye! Megjithë përpjekjet e tij, kjo gjë u realizua në vitet 1960-1961, kur ai nxori fragmentet e para të romanit “Lumi i Vdekur” tek revista “Nëntori” (1961) dhe suksesit të menjëhershëm! Ndërkohë, lindur e rritur ne Sop (afër Pojanit, fshat në këmbët e Apollonisë), kur ai u kthye nga studimet dhe pak kohë më pas (1953-54), kur ai u rikthye në vendlindje me një mendim fiks, për të rimarrë kujtimet e tij mbi ndodhitë e përditshme të   fshatarëve, si dhe ngjarjeve dhe historisë së asaj zone, e vërteta ishte se aty s’kish mbetur më asgjë nga shtëpia tyre (e shitur), por as dhe të afërm të familjes Xoxa, ku ai mund të fuste kokën si fillim e të ulej të grumbullonte material shkrimi, që më pas të të gjente një mënyrë tjetër strehimi ku edhe të punonte, siç dhe ndodhi! Vendi i parë i rikthimit, nuk ka qenë aspak Apollonia, as Sopi, fshati i lindjes dhe rritjes, por i tillë u bë një fshat disi më larg Sopit dhe Apollonisë, Pishporo, e që, zë vend mjaft të rëndësishëm tek “Lumi i Vdekur”, fshat afër rrjedhjes së lumit Vjosa, rreth 15 km më larg nga Apollonia, ku sebep për shtegtimet e para të tij në rivendosjen e kontaktit me vendlindjen, u bë një ish moshatar i tij, hyzmeqar në shtëpitë e tyre të dikurshme në Sop, Koli Llambri, i cili kish dalë dhëndërr nga shtëpia e tyre dhe nga duart e mëmës së tij, Marie!

Në atë shtëpi të thjeshtë myzeqare, filloi shtegtimin e parë krijimtaria e Jakovit, jo vetëm për “Lumin e Vdekur”, por edhe për gjithë krijimtarinë e tij! Ajo shtëpi e thjeshtë, u bë si shtëpia e tij, ku ai mori pjesë në çdo gëzim e hidhërim të kësaj familjeje, që ditën që shkeli në të e deri sa vdiq!

Dhe përsëri këtu, nuk mund të anashkalohet roli “në hije” i Dhuratës, gruas së tij, sepse ndërsa Jakovi, “shtegtonte” në periudha të shkurtra (javore) ose më të gjata (dy-tre javore), në Pishporo si fillim e pastaj në Apolloni, ishte ajo, që mbante në këmbë familjen dhe shtëpinë e tij në Tiranë, duke bërë me konseguencë e përkushtim të jashtëzakonshëm, detyrën e saj si bashkëshorte për të dhe për dy djemtë e tyre!

 

Me të drejtë sapo thatë, që nuk duhet të shuajmë kureshtjen e lexuesit për këtë libër, por më intrigon ky rast, kur ruhet një marrëdhenie e tillë bashkëshortore, sigurisht me përkushtimin në radhë të parë të mëmës suaj, e cila u ruajt e tillë deri në fund! A ka qenë vërtet e tillë? Apo si në çdo jetë tjetër, ka patur edhe ditë gri!

Për një bir, sigurisht që është e vështirë të kujtonte të tilla ditë dhe momente, që i quajtët “gri”, le pastaj, të fliste për ditë të tilla, të jetës prindërore! Ndoshta do ishte e pamundur, që dikush në këtë rol, të mund të thoshte diçka! Unë e kam pak më të lehtë, “sepse edhe nëse do ketë patur, ato kanë qënë diku larg”, apo shumë të pakta, për të mundur të errësohej sadopak marrëdhënia e tyre! Por, megjithatë, unë nuk do pararend në kujtimet e mamasë sime, duke ia lënë asaj të fliste për “ditë gri”, që ju përmendët! Sepse, si në çdo jetë bashkëshortore, ditë gri ka patur dhe do ketë në çdo çift, për një një milion arsye! Por, unë ia lë elokuencës, elegancës femërore dhe bashkëshortore, jashtëzakonisht edhe të kujdesshme dhe thellësisë së veprimit, kur mamaja ime Dhurata, rrëfen vetë me gojën e saj, për “ndonjë” ditë të tillë gri, nëse ka patur… Janë disa faqe në këtë libër, të përkushtuar me një ndjesi shumë intime e të sinqertë, ku kuptohet karakteri dhe personaliteti aspak i zakonshëm i bashkëshortes së Jakovit, mamasë sime… Më kujtohet një thënie të saj, e thënë ashtu si kalimthi, me qetesinë e saj: “Nje grua dhe nje burrë, për të patur një familje të fortë, të shëndetshme e të qëndrueshme, duhet që, si në ditën e parë dhe të fundit, të ngrysen e të gdhihen në të njëjtin shtrat (bashkëshortor) dhe në të njëjtën barkë (shtëpia); me të gjitha të këqijat dhe me të mirat që të jep kjo jetë, pa kursim! Nëse një ditë ndodh, që njëri nga të dy del jashtë barke, atëherë familja tronditet, e nëse ndodh që del edhe jashtë shtrati, atëherë fati i tyre, është në rrezik!

 

Megjithatë, a mund të na tregoni diçka, si u shkrua ky libër me kujtime?

Shkrimi i kujtimeve të mamasë sime, ka lindur me kohë dhe jam i bindur që “shtysa e parë”, mund t’i ketë ardhur që muajve të parë pas vdekjes së parakohshme të Jakovit! Por “shtytja e duhur” i erdhi mjaft vonë, me kalimin e viteve, atëherë ndoshta, kur Dhurata kuptoi se si ai, burri i saj, kish ikur njëherë e përgjithmonë; kish ikur duke lënë shumë pengje në krijimtari, e cila nga shumë faktorë, mund të quhet si një krijimtari e lenë gati përgjysëm! Ajo filloi të shkruante seriozisht këtë libër, rreth viteve ‘90-‘91, mbas ndryshimeve rrënjësore që po kalonte vendi! E gjithë kjo hapësirë 12-13 vjeçare nga vdekja e të shoqit, për këdo mund të jenë vite të pakuptueshme “pse” ajo, nuk shkroi dot! Por nuk është kështu por mua! Do thoja, se “shtysa e duhur”, asaj i erdhi nga dy-tre faktorë, që e nxitën të ulej më në fund! I pari është elementi kohë, i cili, me kalimin e viteve, edhe se memorja zbehet, kërkesa për shkuljen nga “thesi” i kujtimeve, i ngjarjeve apo gjithçkaje tjetër që njeriu ka në memorie, rritet në çdo ditë e javë që kalon! Ajo, e kuptoi dhe e pranoi me mund të madh, ikjen e pakthim të Jakovit, dhe për këtë mund të dëshmoj unë, që jetova afër saj, sidomos nga vitet ‘83-‘84, me shpërnguljen e Arbenit, për në banesën e tij të re! Ajo kuptoi edhe, se nëse nuk do ishte ajo që të ulej e të shkruante për të dhe për jetën e tyre të përbashkët, askush tjetër nuk do mund ta bënte! Dhe askush s’do mund të njihte sadopak, pjesë jete brënda familjes së Jakovit dhe vetë asaj! Tjetër element është shtytja e ne djemve, por sidomos e shokëve dhe miqve të Jakovit, ata që në të vërtetë, me oshilacione të ndryshme në raport me qëndrimin ndaj tij, i dhanë asaj shtytjen dhs nxitjen vendimtare, që të nxirrte nga “hija në dritë” kujtime, ngjarje, personazhe, të cilat, do plotësonin një boshllëk evident mbi jetën dhe ngjarjet më të rë rëndësishme të jetës së tyre! Në libër ky element, është evidentuar në një “Pasthënie të detyruar” nga ana ime, ku tregoj edhe kujtimet e mia, përsa i përket kësaj nxitje e shtytje vendimtare e miqve të familjes, të cilët vazhduan edhe pas ikjes së tij, të kujtoheshin për ne në ditë feste apo përkujtimore!

 

A mund në fund të kësaj bisede, të na tregoni se cilët u treguan veçanërisht të afërm miqësorë, që ndikuan mamanë tuaj të shkruante, si dhe ndodhi vendimtare, të treguara në libër, që përcaktuan në një farë mënyre ecurinë e krijimtarisë së Jakov Xoxës? A pati Jakovi, armiq të tillë, sa të bënin të errësonin suksesin e tij sidomos tek romanet?

 Të afërm miq, mbas ikjes së Jakovit, që e nxitën mamanë të shkruante kujtimet e saj sa herë takoheshim, nuk është se ishin shumë! Kohët e para sigurisht ishin më të shumtë, më pas sigurisht që jeta bën të sajën! Ndër ata që e shtynin mëmën të shkruante, në radhë të parë ishin të afërmit dhe miqtë e vërtetë të Jakovit, si vëllai, Alekoja, i cili kthehej nga ne disa herë në javë; ishte Petraq Xoxa, që ishin rritur dhe studiuar bashkë me ta në Sofje; ishte Skënder dhe Ksanthipi Begeja, miqtë më të mirë që ndoshta Jakovi e Dhurata kanë patur në jetën e tyre; apo Drita Siliqi dhe familja saj, padyshim mikja më e dashur dhe më e afërt e mamasë sime! Ishin sigurisht edhe vëllezërit apo motra e mamasë sime Eleonora, Piro Tako, i letrave edhe ai, kunati Jakovit, Konstandin Trako, kompozitori! Ndër miqtë dhe bashkëpunëtorët e Jakovit të letrave, që në çdo përkujtim të Jakovit e shtynin Dhuratën, ishin Dritëro Agolli, Alfred Uçi, Kudret Velça, Nasho Jorgaqi, Kristaq Shtëmbari, Maku Pone, Aristotel Mici, etj., dhe çuditërisht, edhe Dhimitër Shuteriqi…

 

Po pse e veçuat atë?

Përsenë e kësaj, do kërkoj t’ja lemë përsëri lexuesit ta zbulojë gjatë leximit të librit, që edhe të mos bjerë kureshtja, por dhe interesi, për më tepër se kaq! Ndërsa, për sa i përket, ndodhive apo ngjarjeve tronditëse, që ju i quajtët vendimtare, nuk do zgjatem edhe në këtë, sepse janë përshkruar pa i shtuar dot asgjë nga vetë mamaja ime, për periudhën që përfshin libri, nga viti 1947 (me njohjen e tyre), deri në vitin 1958-1959, kur dhe libri mbyllet, për fat të keq! Them kështu, sepse mosvendosja e mëmës sime të shkruante shumë nga kujtimet me Jakovin për një periudhe gati 13 vjeçare, solli si pasojë, mosplotësimin e kujtimeve të saj për periudhën 1959-1979, në pamundësi, nga rëndimi i shëndetit të saj; në fillim gati me verbimin e plotë të shikimit (që iu përmirësua pak me ndërhyrjen), e më pas sëmundja e vjetër e rënduar e insufiçencës pulmonare që i rëndoi zemrën, kur dhe hoqi dorë nga libri, në pamundësi, rreth fundvitit 1995 e deri sa ndërroi jetë, në Prill të vitit 1996.

Por, periudha 1960-1979, përmbledh pikërisht rritjen dhe kulminacionet e krijimtarisë së Jakovit, me tre romanet: “Lumi i Vdekur”, “Juga e Bardhë” dhe “Lulja e Kripës”. Pra, në rrëfimin e saj, mungojnë shumë nga ngjarjet oshilante të krijimtarisë dhe jetës së Jakovit; sukseset e mëdha, por dhe kritikat dhe goditjet e forta, të cilat sigurisht që ndikuan në shumë anë tek ai dhe tek ne të gjithë, pas tij!

Ju pyesni nëse ka patur armiq Jakovi…Po, sigurisht që ka patur, dhe në nivel emrash të mëdhenj, apo edhe vocërrakë, burracakë, që bëheshin “masha” e ujkut të madh, dhe atë që e thoshin sot e bënin “hasha”, nesër!

Sidoqoftë, ky libër ka një vlerë unike, sepse janë treguar me shumë sinqeritet e dashuri, episode të jetës personale të prindërve të mi, bota e brendshme e saj dhe e Jakovit, thënë nga bashkëshortja e tij, që përveç se diti të njohë e vlerësojë Jakovin në kompleksitet, arriti dhe të sakrifikohet me dëshirën e saj, për të ruajtur me besnikëri të pashoqe “prapavijën” e sigurt të Jakovit: familjen e tij!

Ju faleminderit për bashkëbisedimin!

Ju falenderoj unë!