Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në kinematografinë shqiptare, për njërin prej aktorëve më të dashur, Ndriçim Xhepa. Nga moria e filmave ku interpreton Ndriçim Xhepa, ministrja Margariti ka përzgjedhur filmin e regjisorit Vladimir Prifti, “Flutura në kabinën time”, ku ai shfaqet sa rebel, po aq dhe romantik, duke e bërë një ndër rolet më të dashura për publikun.

Filmi është një prodhim i vitit 1988, me bashkëskenaristë Teodor Laçon dhe Vladimir Priftin dhe me muzikë të Hajg Zaharian. Ndriçim Xhepa është aktori protagonist, dhe shoqërohet nga një kast aktorësh po aq të njohur që e mbështetën në rolin e tij, si Luiza Xhuvani, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Guljelm Radoja e Shpresa Bërdëllima.

Ndriçim Xhepa, i lindur në 21 janar 1957, është i biri i aktores Margarita Xhepa. Ai mbaroi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve dhe filloi punë në Teatrin Kombëtar, ku ka realizuar mbi 40 role. Ndërsa në kinematografi, ku dhe njohja nga publiku i thjeshtë është edhe më e madhe, Xhepa ka interpretuar në dhjetëra filma, ndër të cilët kujtojmë “Shokët”, “Kohë e largët”, “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Duaje emrin tënd”, “Hijet që mbetën pas”, “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”, “Unë e dua Erën”, “I dashur Armik”, e shumë të tjerë./ATSH