Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndalimit nga policia të kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë”, për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama, thekson se ndalimi i Belerit me urdhër të prokurorisë, përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve.

Ai thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.

Kryeministri nënvizon se “beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë”.

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F. Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, deklaron Rama në një postim në Twitter.