Sot është ndarë nga jeta regjisorja e njohur nga Kosova, Vjosa Berisha e cila po trajtohej në Angli pas diagnostikimit me kancer.

Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”.

Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër.
Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë.
Familjet Berisha dhe Istrefi.

Vjosa Berisha ishte themeluese e festivalit PriFilmFest, edicioni i 14-të i të cilit është planifikuar për 26-30 korrik, ndërsa për t’i mbështetur filmbërësit e Ukrainës, ky edicion do të jetë nikoqir i edicionit të 13-të të Odesas.

E diplomuar në master të Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë, Vjosa Berisha ka pasur përvojë mbi 20 vjet në industrinë e filmit.

Që nga viti 2013-të, Vjosa Berisha është gjithashtu anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit.

Vjosa ishte një pikë frymëzimi për të gjithë ata persona që vuajnë nga kanceri, duke dhënë shpesh herë mesazhe motivues për të gjitha gratë dhe bashkëshortët e tyre që përballen me këtë sëmundje.

Me ndarjen e saj nga jeta, skena artistike e Kosovës humbi një nga figurat e saj më të shquara ne dy dekadat e fundit./Xh.M