Esma Mulla,një nga balerinat e para shqiptare të Baletit të Kosovës, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur shoqja e saj më e mirë, aktorja Kumrije Hoxha.

“U nda nga jeta Esma Mulla nga balerinat e para të Kosovës. Pusho në paqe mikja ime, gjithmonë do të jesh në zemrën dhe kujtimet e mija”, ka shkruar Hoxha.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë me anë të një postimi të publikuar në Facebook shkruan se populli shqiptar ka humbur një artiste të madhe që kontribuoi shumë në art e kulturë.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës. Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si “Legjenda mbi ngadhënjimin“,“Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“. Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi. Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik! , njofton Ministria e Kulturës së Kosovës.

E lindur, më 22. 09. 1952, në Pejë, Esma Mulla ishte njëra nga artistet e Dukagjinit që ka krijuar kulturën e hapit skenik të gjinisë femërore. Ajo ishte brezi i artit gjinor, e para e kualifikuar në shkollën e baletit, në Shkup./Xh.M