PROF. DR. KLARA KODRA
Proza është – historikisht dhe individualisht – një gjini që shpreh pjekuri. Të gjithë popujt, duke përfshirë edhe popullin shqiptar, ecën nga poezia te proza, pothuajse të gjitha individualitetet krijuese ecin në të njëjtin kah, nga poezia te proza, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e avangardave tona deri te ajo e fundit.
Nasho Jorgaqi që prej vitesh është njohur si prozator eci në drejtimin e kundërt, nga proza te poezia. Pra, eci kundër rryme dhe jo për të habitur lexuesit dhe kritikën.
Poezia e tij kishte formuar prej kohe një nënshtresë nën koren e prozës që shpërtheu papritur si pus artezian.
Duke pasur parasysh moshën e poetit, mund të prisnim një poezi mendimi të ftohtë, një eksperiment intelektual prodhim të një zanatçiu të mirë, përkundrazi është fjala për një poezi të njëmendtë, të frymëzuar. Gjithashtu poeti Jorgaqi nuk zgjodhi një poezi tradicionale, po çuditërisht një poezi që ecte me hapin e kohës, pra, një poezi moderne në llojin e vet, një poezi meditative që vinte në qendër një problematikë ekzistenciale dhe në të cilën kishte vendin e vet edhe tema erotike në kuptimin e ngushtë të fjalës.
Një poezi moderne, pra jo një poezi moderniste, as pasmoderniste, as një poezi realiste të mirëfilltë, po një poezi që përmbante në vetvete realizëm dhe romantikë. Dhe për të arritur këtë poezi Jorgaqi zgjodhi një formë të vetën, të huazuar nga poezia orientale, më saktë jo nga poetikat orientale që kanë ndikuar tradicionalisht mbi poezinë shqipe, as një poetikë turke, as persiane, as arabe, nga poetikat kineze. Zgjodhi një formë metrike që nuk njihej nga poezia shqiptare, po praktikohet nga disa poetë bashkëkohorë, haiku. E zgjodhi dhe për më tepër i qëndroi besnik në gjashtë vëllimet që shpërthyen nga frymëzimi i tij i vonë, po i vrullshëm dhe shkumëzues si një verë shijeplotë të vjetër. Kjo formë metrike po lëvrohet nga poetë të tjerë bashkëkohorë, po Jorgaqi i vuri vulën e vet, ashtu si bëri Naimi me gjashtëmbëdhjetërrokëshin, Lasgushi me nëntërrokëshin dhe Noli me trembëdhjetërrokëshin.
Mund të flasim për një haiku, karakteristik vetëm për të, për Jorgaqin poet.
Ishte e vetmja formë që i përshtatej një poezie të lindur të pjekur.
Një poezie mendimi dhe në këtë kuptim moderne. Poezia që vuri themelet e letërsisë sonë shqiptare ka qenë romantike, e një romantizmi tepër të veçantë edhe ajo, një romantizmi që nuk iu desh të përleshej me një prind klasicist apo iluminist, me rregullat e tij. Një romantizëm që do të ishte vetë atë dhe bir, madje mund të shtojmë këtu edhe Frymën e Shenjtë të frymëzimit hyjnor për të dy bashkëthemeluesit e tij, Naimin në Shqipëri dhe De Radën përtej Adriatikut, me vëllezërit tanë arbëreshë dhe degën e lashtë të shartuar të gjuhës sonë shqipe.
Në romantizmin tonë shqiptar u ndërthurën elementë të drejtimeve që nuk arritën të zhvillohen, sentimentalizmi dhe klasicizmi dhe të drejtimeve që s’ishin ende si realizmi dhe simbolizmi.
Në poetikën e Jorgaqit ka diçka nga romantika, një romantikë e re që nuk vuan nga të metat foshnjore të romantizmit të Rilindjes si retorika dhe patetizmi. Ka gjithashtu diçka nga realizmi; nga detajet e jetës së përditshme. Për të nuk janë të huaja simbolet. Poezia e Jorgaqit ka finesën e taseve prej porcelani, finesën dhe brishtësinë e tyre, ka fluiditetin e ujit dhe letërsinë e ajrit. A është poezi e madhe? Është poezi e vërtetë dhe kjo mjafton. Nuk është e përzier me jopoezinë si poezia e shumë autorëve bashkëkohës.
Në gjashtë vëllimet që nxori në dritë ky autor – në moshën kur zakonisht poezia që ka buruar në rini shteron apo merr ngjyrë tjetër po qe se vazhdon të jetojë, përjeton një metamorfozë – ka edhe vazhdimësi, edhe përtëritje. Ka një fill të kuq udhëheqës, një fill të kuq ku pulson një gjak çuditërisht rinor, fillin e dashurisë siç e shpreh titulli i vëllimit të fundit Në udhën e dashurisë, e dashurisë që është edhe Eros edhe agape, edhe dashuri për gruan edhe për fëmijët, bashkatdhetarët, njerëzit në botë. Jo për Perëndinë në të cilën poeti nuk beson, po sidoqoftë për njeriun, për Njeriun me germë të madhe, jo vetëm pjellë e natyrës, po që mediton për këtë natyrë dhe e transformon, një poezi që nuk është vetëm lojë fjalësh, nuk lind thjesht nga letërsia, pavarësisht se kemi të bëjmë me një poet erudit, me një bagazh jo të vogël kulture. Një poezi që ka mesazhin e vet, që beson në të Mirën, në Të Bukurën, në progresin njerëzor. Një poezi që përshkohet nga malli, herë – herë nga dhimbja njerëzore, por jo nga pesimizmi. Një poezi, jo e angazhuar në kuptimin e zakonshëm të fjalës, po që ka megjithatë një qëndrim të vetin, të guximshëm ndaj jetës.
Një poezi përtej çdo skeme partiake, një poezi e huaj për urrejtjen, një poezi ku heroi lirik do të mund të thoshte si Antigona “S’linda për urrejtje/ po për dashuri”.
Një poezi jo e përsosur, po që lufton me fjalën për t’u bërë e tillë, sa më sintetike, sa më e pasur në forcë shprehëse e në figuracion. Poeti nuk i qëndron besnik rregullave tradicionale të haikut japonez, po na jep një haiku shqiptar, të ndryshëm nga tercina klasike edhe nga trevargëshi, që nuk pranon mundësitë që do t’i jepte rima, po që është njëkohësisht i disiplinuar dhe i lirë.
Poezia e Jorgaqit është elitare. Po jo e errët si poezia pasmoderniste. Sintetike në maksimum, po e qartë.
Nuk është një poezi aktuale në kuptimin e ngushtë të fjalës, është më tepër një poezi që ka tiparin e tejkohësisë. Aty-këtu ka shkreptima që të sjellin ndërmend realitetin bashkëkohor “Rrallë e tek vjen tani postieri/ Interneti po e nxjerr në pension/ Sa më trishton, sa më zemëron. O motra, o vëllezër mërgimi/ Ju zogj të shpërndarë nëpër botë/ Kur do të ktheheni në çerdhet tuaja?
Poezia e Jorgaqit, e lindur e pjekur, nuk i njohu shpërthimet e papërmbajtura dhe fluturimet e çmendura, është një poezi e ekuilibruar me një farë plotësie që gjallërohet nga metaforat dhe paralelizmat.
Kjo poezi, e lindur pas viteve 90-të lindi e lirë, nuk iu desh të përshtatej drejtimit artificial të “realizmit socialist”. Për vetë rrethanat kur lindi nuk iu desh të përdorte “gjuhën e Ezopit”, madje iu desh t’i bënte ballë sfidës së një lirie tepër të madhe në caqet e anarkisë.
Në lëvrimin e lirikës erotike Jorgaqi i shmang ekstremizmit e një sensualizmi të shfrenuar, të një guximi të tepruar në dhënien e detajeve dhe leksikun. Po megjithatë kjo poezi mbetet konkrete dhe ka madje nota të jë sensualizmi të lehtë, çaste guximi, po heroi lirik mbetet i përmbajtur dhe fin, më tepër sugjeron sesa pasqyron.
Është një poezi konkrete që nuk e idealizon gruan e dashuruar, po pranon rrjedhjen e pamëshirshme të kohës, fishkjen e bukurisë fizike.
Tema e vdekjes qëndron pranë me temën e dashurisë dhe trajtohet nga poeti pa retorikë e pa pesimizëm, me një dhimbje njerëzore, po edhe me stoicizëm.
Tema e brezave është gjithashtu një temë e dashur e poetit. Figurat e babait dhe nënës vizatohen gjatë jetës së tyre, me tipare konkrete, më vonë të mjegulluar përmes mallit të kujtimeve dhe madje në realitetin e vrazhdë fizik të vdekjes, të shndërruar në eshtra. Pranë tyre del figura e bijve të cilëve u përket e ardhmja dhe marrëdhëniet e tyre me prindërit pasqyrohen përmes detajesh tepër delikate.
Në gjashtë vëllimet e Jorgaqit, siç thamë, ka vazhdimësi edhe në formë, mungojnë zigzaget, lëkundjet dhe çuditërisht nuk vihen re as ngjitje, as rënie. Të gjitha vëllimet i karakterizon po ai ekuilibër estetik, ai koncentrimi tej mase i mendimit, gjetjet befasuese, vetëpërmbajtja, finesa, eleganca. Kjo s’do të thotë se vjershat e të gjitha vëllimeve kanë të njëjtin nivel estetik, megjithatë nuk ndeshim vjersha të dobëta që ta zbehin mesazhin, vjersha të pagoditura, ka vjersha të bukura, më pak të bukura dhe thjesht të mira.
Midis vjershave të bukura gjejmë vjersha të shkëlqyera, perla të vërteta.
Edhe titujt janë zgjedhur nga poeti jo rastësisht, po me delikatesë, origjinalitet dhe në përputhje me tematikën dhe mesazhin. Në titullin e vëllimit të parë “Nën hiret e bukurisë” spikat një temë e përhershme e poezisë së tij, bukuria e cila shfaqet në format më të ndryshme, në natyrë, në fytyrën e grave, në shpirtin e grave dhe të burrave, në vëllimin e fundit spikat vatra tjetër tematike e poezisë së këtij autori, dashuria.
Edhe titulli “Momente” shpreh një tipar të poezisë së Jorgaqit, vetvetishmërinë. Dy tituj të tjerë, “Nën zë”, “Pëshpëritje” shprehin karakterin e kësaj poezie, gati si muzikë dhome, e ëmbël, e butë, modeste.
Vargjet e poetit janë, herë meditime, herë aforizma, herë tablo, herë portrete, herë akuarele. Ato dallohen nga një harmonizim midis mendimit, ndjenjës, pasqyrimit të realitetit objektiv.
Mund ta mbyllim këtë shkrim me një thënie të vetë poetit, hero lirik po edhe filozof që mediton edhe mbi poezinë e vet, “haikutë” e Jorgaqit “kërkojnë nëpër lulet e shpirtit/ nektarin e bukurisë njerëzore”. Dhe, shtojmë ne, e gjejnë. Dhe e shndërrojnë në mjaltin – helm të poezisë.