PROFIL

“Unë e përbuz artin që kërkoni të bëni, arti është i popullit se ata e shpikën, dhe atë kërkojnë. Ju s’do ngeleni tjetër përveç imitues të ulët të zhargoneve të huaja. Unë e dua popullin tim dhe deri sa jam “Artist i Popullit”, do jem pranë tyre deri në frymën e fundit.”
(Nga ditari i Naim Frashërit)

Naim Frashëri u lind në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923 dhe vdiq më 18 shkurt të vitit 1975. Ai ishte një aktor i njohur shqiptar. Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në vitin 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme. Valerin te “Tartufi”, Smithi te “Çështja ruse”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi “Familja e peshkatarit”, gjeneralin te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka “Përkolgjinajt”, Nikolla “Armiqtë”, Sasha Ribakov “Orët e Kremlinit”, Lubeni “Proçesi i Lajpcigut”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hauardi “Rrënjët e thella”, Hamleti, tek “Hamleti”, Jonuz Bruga, tek “Familja e Peshkatarit”. Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80-ti dhe i fundit i tij. Ka interpretuar 8 role në filmin artistik. Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme. Mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar. Është dekoruar edhe me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, si dhe mban titullin “Artist i Popullit”.

Naim Frashëri për herë të parë ka interpretuar në Priskë të Tiranës, ku teatri partizan shoqëronte çdo pasdite batalionet luftarake. Aty, Naimi spikati me rolet e tij për gjetje të detajeve aktoreske dhe seriozitet në punën e përditshme. Ndërkaq në Teatrin Kombëtar, që filloi në 1945, ai ishte ndër pionierët e parë themelues të tij. Rolin e parë në filma e luan tek “Skënderbeu” më 1953, ndërsa të dytin tek “Tana” më 1958. Pastaj rolet e tij vijnë me radhë: “Fëmijët e saj”, “Gjurma, “Plagë të vjetra” etj. Por ndarja e parakohshme nga jeta, kur ishte vetëm 53 vjeç, u dha fund ëndrrave të Naim Frashërit, pikërisht atëherë kur pritej që ai të shërbente si fanar në horizontin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Ky artist i talentuar bëri që me rolet e tij të mbetej një shembull i përsosmërisë për brezat e mëvonshëm të aktorëve, duke u kthyer në një shkollë për ta. Diksioni i zërit të tij u krahasua në atë kohë me atë të Aleksandër Moisiut.

 

 

Filmografia:
Gjurmët – (1970)
Plagë të vjetra – (1968)
Ngadhënjim mbi vdekjen (1967)
Furtuna (1959)
Tana – (1958)
Fëmijët e saj – (1957)
Skënderbeu – (1953)