Mëhallën e Grave apo Mëhallën e Kurvave, siç e quajnë të pacipët, e që i bie të jenë shumica e shkupianëve, të gjithë e kanë heshtur, ashtu siç i hesht njeriu të metat e veta, siç i fsheh gjërat e turpshme për vetveten, zbulimi i të cilave e trishton, e lë pa gjumë, apo e çon të rrëqethet nga vetë paramendimi se po morën dhe ato, do shihet i vërteti në të, që duket krejt ndryshe nga ai që është treguar dhe paraqitur para të tjerëve, me çka do tjetërsohet  para të tjerëve, madje edhe do shpërfytyrohej i tëri, pra nuk do jetë më ai i dikurshmi, kështu që të gjithë pa përjashtim, familjarë e miq, të njohur e të panjohur, do ndërronin mendim për të dhe përnjëherë do e harronin atë që me vite ishte shtirur dhe munduar të jetë, e do e shihnin atë që është. Jo vetëm se për të nuk është thënë asnjë fjalë nëpër monografitë dhe librat për Shkupin, por nuk kanë munguar as propozime që ajo të rrënohet, me çka edhe do fillonte shlyerja e ngadaltë dhe e plotë e saj nga vëmendja e banorëve të këtij qyteti, i cili si gjithë vendbanimet e kësaj bote, është pasqyrë ku shihet portreti kolektiv i atyre që jetojnë në të, e, të cilët, thuajse gjithmonë, e shpalosin fytyrën e tyre të rrejshme, atë që duan t’ua shohim, e jo atë që e kanë, pra në njëfarë mënyre, edhe Shkupi, njësoj sikurse edhe banorët e tij që zbukurohen për t’u dukur më ndryshe e më të bukur seç janë, gjatë dekadave të shkuara, e ka shpërfaqur maskën e vet, kështu që sot, as vetë shkupianët nuk dinë të dallojnë se cila është pamja e tij e vërtetë, e cila e rrejshmja. Banorët e atij qyteti, me në krye drejtuesit e tij dhe policinë, i fshehin nga sytë e të huajve, duke fshehur kështu një faqe të fytyrës së vet kolektive. Padyshim që Shkupi u rikujtohet të huajve porsa të shohin në ndonjë panoramë Urën e Gurit, e lëre më,  Kalanë madhështore të këtij qyteti, por pa u shkuar ndërmend se, në atë qytet, jo larg Çarshisë Osmane, aq të fotografuar nga ardhacakët e shumtë, ndodhet lagjja mjerane e romëve të varfër, si dhe Mëhalla e Grave. Siç nuk i kujtohen asnjë vizitori të këtij qyteti shenjat e dikurshme njohëse në fytyrën e tij, e që nuk i ka tani, ato ngrehina që i ka pasur dikur, e që sunduesit e mëvonshëm ngutshëm i kanë shlyer, duke i rrënuar, duke dashur kështu të harrohet, për shembull, e shkuara dardane e Shkupit, apo pesëshekullori shkupjan i Perandorisë Osmane, duke ndërtuar mbi to ndërtesa e monumente që do e bënin të dukshme vetëm pamjen ortodokse-sllave të qytetit. Po pra, për dallim nga njerëzit, që ia zgjedhin maskën vetvetes dhe me aq sa munden e zbukurojnë pamjen, nëpërmjet të së cilës do i kujtojnë dhe do i njohin të tjerët, fytyrën e vendbanimeve e përcaktojnë drejtuesit e shteteve, perandorët, pasanikët dhe të fortët që jetojnë në të. Dhe njësoj si individi i pasur e i pushtetshëm, që e ka më të lehtë t’i mbulojë e t’i bëjë të padukshme vragat dhe njollat e fytyrës së vet, po ashtu edhe vendbanimet e perandorive dhe sunduesve të fuqishëm, më lehtë mbulohen me ngrehina madhështore, nga drejtojnë shikimin të gjithë vizitorët, duke pamundësuar kështu të shihet mjerimi i lagjeve ku jetojnë të mallkuarit e qytetit. Andaj, nëse përpara emrit të pushtetshmit e të fortit shtohet ndonjë parashtesë, që të bënë të jesh i kujdesshëm kur flet për ta, apo kur i përshkruan, edhe për vendbanimet, si për shembull Shkupin, thuhet rëndom i Justinianit, ai i kohës së osmanllinjëve, Shkupi i mbretërisë serbe, ai i kohëve bullgare, Shkupi i dekadave të socializmit, me çka famën e sunduesve, e bënë maskë të qytetit. Por qyteteve dhe fshatrave, kurrë nuk u vihet si parashtesë shumica e lypsarëve që i vërshojnë rrugët e tyre, apo i grupeve që nuk kanë mundur të jenë sundues të hapësirave ku ndodhen ato, e, që, shpeshherë janë themeluesit e vërtetë të vendbanimeve, si për shembull, thuajse asnjëherë nuk thuhet Shkupi shqiptar, edhe pse në themelet e tij janë me mijëra ëndrra të derdhura të banorëve të kësaj etnie. Kështu pra, posa dëgjon të thuhet Shkupi i Justinianit, të fanitet vendbanimi i vendosur mes mureve të kalasë, apo posa dëgjon dikë të përmend Shkupin e osmanllinjve, në imagjinatë përnjëherë të ringjallen ndërtuesit e ardhur nga Anadolli, që e zgjeruan Kalanë dhe ngritën shumë hamame e xhami, si dhe Urën e Gurit, duke e lidhur kështu bregun verior të lumit Vardar me atë jugor, pra pjesën e banuar të qytetit me baltovinën përtej, ku vite me radhë nuk do banojë askush përpos vashave që themeluan Katundin e Grave. Po pra, kushdo që do jua përmend Shkupin e kohëve, kur këto hapësira i kishin sunduar serbët, ju do i paramendoni kolonat e shqiptarëve dhe myslimanëve që e braktisën qytetin, të dëbuar nga ushtarët serb, edhe atë vetëm pse, prijësit e kësaj mbretërie besonin se gjithë banorët e këtyre trevave që kishin pranuar fenë islame, ishin pasardhës të osmanllinjve, andaj edhe duhej të paguanin për të gjitha betejat e humbura të serbëve kundër jeniçerëve.

E ndërkohë, kurrë, për shembull, nuk thuhet Shkupi i zanatçinjve, i gënjeshtarëve, i varfanjakëve, i plaçkitësve, i kurvave…, edhe pse jo rrallë herë, ata e kanë mbisunduar qytetin dhe e kanë shpërfaqur dhe përcaktuar jetën e vërtetë në atë vendbanim. Po pra, përderisa njeriu vetë e zgjedh fytyrën e vet të rrejshme apo të zbukuruar, nëpërmjet së cilës do ta njohin e kujtojnë të tjerët, me të cilën maskë pra, e kalon thuajse tërë jetën dhe e cila rëndom i bie nga fytyra disa vite para vdekjes, kur fillon të ngulfatet nga shtrëngimi i saj dhe, kur nis të vuaj për lirinë fëmijënore, qytetet i kujtojmë nëpërmjet shenjave njohëse që ua kanë përcaktuar njerëzit, nëpërmjet ngrehinave e rrëfimeve shpeshherë të rrejshme për ta, që kanë për qëllim ta fshehin atë që ekziston përtej pamjes së rrejshme dhe gënjeshtare që duket. Prandaj, në gjitha panoramat e Shkupit, ju mund të shihni Kalanë, Urën e Gurit të këtij qyteti, si dhe ndërtesa, përmendore e ngrehina, që i kanë ndërtuar sundimtarë të shkuar e të sotëm, por askund nuk do i shihni papastërtitë e nënurave dhe as që do e dini se qyteti ka edhe botën e nëndheshme, nga rrjedhin pisllëqet e tij dhe ku shpesh fshihen të pastrehët, të pambrojturit e rrezikuar nga vrasës, apo nga policë të papërgjegjshëm. Apo, siç ju thash, askund, në asnjë panoramë, e lëre më, në ndonjë monografi për këtë qytet, nuk do gjeni, çkadoqoftë, të shënuar për Mëhallën e Grave, e cila, jo vetëm që është lagjja më e vjetër e Shkupit, që daton nga ardhja e asqerëve të parë osmanë në këto hapësira, por është e vetmja që i ka përballur të gjitha luftërat si dhe katastrofat natyrore, që thuajse e kanë rrafshuar Shkupin me tokën. Pra asgjë të shkruar nuk do gjeni për lagjen që në njëfarë mënyre shënon kalendarin e saktë të së shkuarës së Shkupit. Kjo lagje i kujton edhe flakët e fundshekullit të XVII, kur fillon dobësimi i Perandorisë Osmane dhe kur Shkupi ishte përballur me forcën e ushtrisë austriake, e cila duke i dëbuar asqerët osmanë, kishte arritur deri tek ky qytet, e ku gjenerali Pikolomini, i ndihmuar edhe nga banorë e mbetur të Shkupit, ia kishte dalë ta pushtonte qytetin, por kur e kishte kuptuar se, më e lehtë është atë ta zaptosh se sa ta sundosh, kishte sjellë vendimin çmendurak për shkatërrimin e tij, apo që ta linte pas vetvetes të tërin në flakë. Dhe vetëm Mëhallën e Grave nuk e kishin kapluar flakët e vitit 1689, kur posa ishin dëgjuar tri krismat e topave, ushtarët austriakë, që mbanin në duar të gatshme flakadanët, ia kishin vënë zjarrin qytetit që u ishte djegur ditë me radhë, duke u bërë shkrumb e hi çdo gjë që kishin ndërtuar osmanët dhe sunduesit e mëparshëm, por jo edhe shtëpitë e kësaj mëhalle, ku thuhet se i kishte kaluar disa net edhe vetë shkatërrimtari i këtij qyteti, Pikolomini i cili, flakët që edhe natën e bënin ditë dhe që e asgjësonin Shkupin, i kishte shikuar nga lartësitë e Malit të Krojeve, në jug të qytetit, nga edhe do e përshkruante këtë pamje trishtuese në një letër të veten, ku mes tjerash, thotë se “…Shkupin, të madh sa Praga, e gjeta të braktisur… Ata pak njerëz që i gjeta aty, ishin të trishtuar, të zbehtë dhe rrugëve ecnin të trembur… Më vjen keq që këto ndërtesa të bukura, siç nuk i kam parë askund në tjetër vend gjatë luftës, që këto xhami, të cilave njeriu do t’u kushtonte vëmendje njësoj sikur të ndodheshin në Romë, të ndërtuara nga mermeri më i mirë dhe të stolisura me qindra drita dhe me ar, që këtyre kopshteve të bukura, sasive të mëdha ushqimore, t’ua vërë flakën, e t’ia dorëzojë zjarrit…”. Ngaqë e përmenda këtë letër, kalimthi, shtoj se u besoj pohimeve se, asaj i mungon pjesa, ku Pikolomini ka përmendur edhe Lagjen e Grave, e që, asokohe, është quajtur Katundi i Grave, pra pjesa e letrës ku ai e pranonte se i kishte urdhëruar ushtarët, që jo vetëm të mos ua vinin flakën shtëpive të atyshme, por që t’i mbronin banoret nga plaçkitësit dhe dhunuesit e shumtë që ato ditë bridhnin nëpër ato hapësira si dhe, të kujdeseshin që mos dëmtoheshin lulishtet përpara shtëpive të atij vendbanimi të veçuar nga pjesa veriore e Shkupit. “Dua që ajo lagje të mbetet e paprekur dhe banoret e saj të mos i dëmtojë njeri, që të ketë kush të rrëfej për jetën dhe bukuritë e mëpasshme të këtij qyteti,” – u kishte thënë Pikolomini oficerëve të vet, duke i kërcënuar se do e pësonin po t’u ndodhte ndonjë e keqe grave të atyshme. Dhe në asnjë letër, apo në ndonjë libër, për të shkuarën e këtyre hapësirave, nuk përmendet ndodhia e pas djegies së Shkupit, apo ditët e para pasi qytetin e kishte braktisur Pikolomini me ushtarët e vet,  kur qiellin mbi qytet e kishin mbuluar re prej tymit, ndërkaq lumin Vardar, flutura të zeza.

Si jorgan i rëndë lëvizës, fluturat ishin shtresuar mbi shtratin e lumit, pa e ditur njeri se nga kishin ardhur, e, që, të linin përshtypjen se të ishin ngjizur nga fjollëzat e zjarrit që flatronin çdokund mbi qytetin. Nga lëvizja e fluturave të zeza, nuk kishin mundur të shihen valët e lumit, e lëre më peshqit që notonin në të. Me t’u larguar nga qyteti edhe ushtari i fundit austriak, ishin banoret e Katundit të Grave, (të prira nga më e moshuara mes tyre, që quhej Hatixhe), ato që i ishin drejtuar lumit. Ato i kishin parë edhe banorët e grumbulluar në bregun e përtejmë verior të Vardarit, ku ishin mbledhur kryesisht lypsarë dhe hajdutë, që kishin mbushur thasët me gjësende të plaçkitura dhe, si të dehur, shikonin mbulesën lëvizëse të fluturave të zeza që kishte mbuluar lumin. Disa nga ata, gjuanin me guralecë drejt lumit, por gurët nuk kishin rënë në ujë, ata kishin mbetur mbi shtresën lëvizëse të fluturave.

“Këto janë flutura zjarri dhe do shkretojnë gjithçka të gjelbër nëse nuk i zhdukim me kohë!”, u kishte thënë Hatixheja shoqeve të veta.

Pastaj ajo ishte nisur këmbëzbathur drejt lumit, duke ecur mbi fluturat, si mbi ndonjë jorgan të butë e lëvizës. Shoqet e saj, nga ana jugore, dhe lypsarët e hajdutët, në bregun verior të Vardarit, kishin mbetur të mahnitur nga ajo që shihnin. Madje, disa nga ata që ndodheshin në bregun e përtejmë, pra, në atë përball bregut, ku qëndronin shoqet e Hatixhes, ia kishin dhënë vrapit, duke ikur të trishtuar nga ajo që kishin parë. Dhe ngaqë kemi të bëjmë me Hatixhen, them se ajo, asokohe, respektohej nga të gjitha gratë e tjera, ngaqë ishte përhapur nami se ishte trashëgimtare e Xhemiles, e themelueses së Mëhallës së Grave, gjë që do ia përshkruanin vetes shumë nga banorët e mëvonshëm të kësaj mëhalle, gjë që, madje, do u përshkruhet edhe shumë sunduesve e pushtetarëve të mëvonshëm të shteteve të këtyre hapësirave, e që as mund të mohohej, as të pohohej, sepse për së gjalli, Xhemileja ishte mbyllur në shtëpinë e vet, nëntë herë, nga nëntë muaj, që pas lindjes së foshnjave, ato t’i merrnin burrat që nuk i njihte njeri, që t’i çonin të rriteshin në vende të panjohura, me çka edhe nuk ishte e pamundur që trashëgimtarë të saj të rriteshin e shumoheshin anembanë këtyre trojeve.

Sado që duket dhe tingëllonte e pabesueshme, megjithatë, nuk ishin të paktë as ata që u besonin fjalëve se një nga pasardhësit e largët të Xhemiles, ishte edhe drejtuesi i ish – Federatës Jugosllave, Titoja, duke e argumentuar këtë pohim të tyre edhe me ngjyrën e kuqe të flokëve të tij, të njëjtë si të katragjyshes së largët, që i përshkruhej Xhemiles. Ata që i besonin kësaj lidhjeje të largët të gjakut të tij me Xhemilen, e afronin si dëshmi edhe afërsinë që Titoja tregonte ndaj vendeve të lindjes dhe ato arabe, ku ai çmohej edhe mbahej për burrështetas me përmasa ndërkombëtare.

Sidoqoftë, le të kthehemi aty, ku Hatixheja ecte andej – këtej nëpër shtratin e Vardarit, duke zhytur  këmbët kujdesshëm në ujërat e lumit. Madje, ajo për një çast, ishte zhytur nën mbulesën e zezë lëvizëse të fluturave, nga kishte dalë pas disa çasteve, gjë që i kishte trembur shoqet e saj, të cilat, sa nuk kishin kërcyer që ta shpëtonin nga mbytja edhe pse e dinin se ishte notuese e shkathtë. Pasi kishte dalë nga lumi, ashtu e lagur, shoqeve që e shikonin të trishtuara, u kishte thënë të mblidhnin bajga të thara, e t’i ndiznin, sepse vetëm ashtu do mund ta largonin nga aty atë lloj fluturash që nuk ishin parë ndonjëherë të fluturonin mbi Shkup, apo nëpër malet dhe livadhet e gjelbëruara përreth tij. Shoqet e saj, si dhe lypsarët matanë lumit, ishin shpërndarë nëpër hanet e stallat e djegura, nga kishin dalë me përparëset e mbushura përplot me bajga, të cilat i kishin ndezur përgjatë brigjeve të Vardarit.