Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja Margariti sot risolli në vëmendje filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Filmi i vitit 1967, ka regjinë e Gëzim Erebarës e Piro Milkanit. Ministrja e Kulturës në postimin e saj në rrjetet sociale, veçon aktorët e nderuar Edi Luarasi e Rikard Ljarja, të ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” është xhiruar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Skenaristi i tij është Peçi Dado, ndërsa muzika është e Feim Ibrahimit.

Ngjarjet zhvillohen në kohën e Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin nazist. Gjermanët arrestojnë 2 vajza dhe i torturojnë, në përpjekje për të zbuluar lidhjet e tyre me elementë komunistë.

Vajzat interpretohen nga Edi Luarasi dhe Eglantina Kume, ndërsa komunisti që strehohet në shtëpinë e njërës prej tyre, interpretohet nga Rikard Ljarja. Në rolin e oficerit gjerman, interpreton i mirënjohuri Naim Frashëri.

Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima./atsh/xh.m