Shkatërrimet e tilla nuk vijnë si rrufe të qiell të hapur, janë të ngadalta dhe policentrike. Sot, për fatin e keq, kemi autorë spekulantë, media që manipulojnë shijet, gazetarë kulture me dije të pamjaftueshme për atë që promovojnë, njerëz me formim të paqartë që promovojnë letërsinë. Pra, përballë kësaj ngarkese negative, dinamike dhe dramatike, libri humb fuqinë. Për të mos përmendur pastaj komercialitetin me librat shkollorë që janë alfa e shkatërrimit… Shqetësim për mua është kur, rrethe të veçanta apo institucione kulturore e të librit, ente që merren promovimin e vlerave shpirtërore e krijuese, denigrojnë, përçudnojnë, zvetënojnë letërsinë e vërtetë, duke iu referuar klaneve e tarafeve dhe duke i dhënë zë asaj që nuk bën. Ky është krim. Njësoj krim është edhe kur heshtet për vepra të mëdha letrare. Kjo e dëmton librin dhe letërsinë. Se, që të jemi të sinqertë, pjesa më e madhe e entuziastëve që shpesh s’dinë ç’shkruajnë, janë marifetçinj profesionistë në interferime të tilla dhe kjo gjë patjetër që ndikon në prishjen shpirtërore e morale të letërsisë.

Intervistoi: Mark Simoni

A mendoni se akoma libri është autoriteti dhe mediumi më i rëndësishëm i dijeve?

Patjetër që libri është autoriteti absolut dhe i përhershëm i dijes. Libri është forma përfundimtare e materializimit të një produkti mendor e shpirtëror dhe, në çfarëdo forme komunikimi të shkojë te lexuesi, ai mbetet padyshim pika nistore e të nxënit. Idetë, mendimet, filozofia e një libri janë domosdoshmëri në formimin e secilit. Mendoj se, dija e librit, enciklopeditë apo fjalorët leksikorë janë një rrugë e pandërprerë, që nga civilizimet antike, kur nuk njihej letra e vazhdon edhe sot në një botë të hapur, ku teknologjia po thyen rekorde në kuptimin e arritjeve. Pra, besoj se nuk mund të ketë një teori tjetër mbi librin, porse mund të jenë vetëm interpretime alternative.

Çfarë e ka tronditur katedrën autoritare të librit?

Gjykoj se është fenomen tranzicional i vendeve që kanë hyrë vonë në liri dhe ende s’e kanë fituar përvojën e nevojshme të hapjes/zgjerimit. Kam parasysh hapjen në kuptimin e ruajtjes dhe kultivimit të qytetarisë mbi librin e letërsinë, apo edhe artet e tjera, që konsiderohen pikat më të larta të mirëqënies shpirtërore në një shoqëri dhe vënien e një standardi të përafërt apo të ngjashëm me vende të tjera të zhvilluara. Në aktualitetin tonë, libri “sulmohet” nga të gjitha anët. Janë prishur lidhjet e vjetra (tradita e librit) dhe ende nuk është gjetur mënyra për përshtatjen me ndryshimin apo vendosjen e rregullave të reja. Është prodhuar, si të thuash, një margjinalizim që çon në konflikt krijuesin me shoqërinë. Dhe, besoj se janë disa shkaqe që favorizojnë këtë tronditje, meqë e quajtët kështu. Që të jem më konkrete, katedra e librit, padyshim që tronditet në një vend ku prioriteti më i lartë i njeriut janë nevojat fiziologjike, sigurimi i jetesës apo siguria rreth vetes. Kjo është njëra arsye (e justifikueshme), por në përgjithësi, shkatërrimet e tilla nuk vijnë si rrufe të qiell të hapur, ato janë të ngadalta dhe policentrike. Për shembull, sot, për fatin e keq, kemi autorë spekulantë, media që manipulojnë shijet, gazetarë kulture me dije të pamjaftueshme për atë që promovojnë, njerëz  me formim të paqartë që promovojnë letërsi. Pra, përballë kësaj ngarkese negative, sa dinamike aq edhe dramatike, libri humb fuqinë. Për të mos përmendur pastaj komercialitetin me librat shkollorë që janë alfa e shkatërrimit.

Në botimet shqiptare, cili është raporti i librave të dijeve të fushave me librin e letërsisë artistike? Nga shkojnë tendencat?

Botimet që konsiderohen si dritare të shkencës e studimeve nuk stimulohen si dhe sa duhet, nuk kërkohen dhe janë në tërheqje. Natyrisht, kur nuk ka interes, nuk ka as produkt nga botuesit. Pra, botuesi nuk e sheh si mekanizëm që lëviz, apo gjeneron të ardhura dhe nuk investohet në të. Ky sektor nuk shihet si letërsi dhe, në njëfarë mënyre, të refuzon. Por, unë këtë e shoh edhe si shkak që buron prej mungesës së një institucioni të kritikës letrare dhe studimit. E gjithë kjo është minuese dhe e ka tkurrur librin studimor gjithmonë e më tepër. Edhe ata pak studiues që japin kontribut vetjak, nuk lexohen. Ndërsa letërsia artistike, letërsia e imagjinatës, është më unitare në tërheqjen e vëmendjes së lexuesit. Kjo pastaj, siç e përmenda më lart, ka edhe lidhje me filozofinë e botuesve, pjesa më e madhe e tyre preferojnë të shkojnë andej nga janë kërkesat, pra tek letërsia artistike, dhe nuk u vë askush faj, sepse botuesit e kanë sipërmarrje private dhe nuk i subvencionon kush për të botuar libra që s’do t’u shiten edhe në paçin dëshirën e madhe.

Popullimi i vazhdueshëm i të shkruarit letërsi, nga emra të rastësishëm dhe krijime të dobta, çfarë shenjash dhe sinjalesh i jep librit dhe letërsisë?

Mendoj se, nëse mbetemi deri të shkrimi, ku secili shkruan ç’të dojë dhe tek vetëpromovimi, ku secili ndërton mediume vetëpromovuese rreth vetes, nuk duhet të shqetësohemi si shoqëri, sepse në fund, do mbetet çfarë vlen. Shqetësim për mua është kur, rrethe të veçanta apo institucione kulturore e të librit, ente që merren promovimin e vlerave shpirtërore e krijuese, denigrojnë, përcudnojnë, zvetënojnë letërsinë e vërtetë, duke iu referuar klaneve e tarafeve dhe duke i dhënë zë asaj që nuk bën. Ky është krim. Njësoj krim është edhe kur heshtet për vepra të mëdha letrare. Kjo e dëmton librin dhe letërsinë. Se, që të jemi të sinqertë, pjesa më e madhe e entuziastëve që s’dinë ç’shkruajnë, janë marifetçinj profesionistë në interferime të tilla dhe kjo gjë ndikon patjetër në prishjen shpirtërore e morale të letërsisë.

Çfarë titujsh pritet t’i jepni lexuesit?

Këto ditë, Shtëpia Botuese “Onufri”, nxori nga botimi librin me poezi “Lirikë me dhimbje”. Janë poezi të dy – tri viteve të fundit, të cilat shpresoj që lexuesi t’i mirëpresë/Gazeta Mapo.