“Vetë kontributi apo vepra e shkrimtarit është aset i fondit kulturor të një shoqërie, pra shkrimtari, edhe pse nuk e ka qëllim në vetvete (pasi letërsia është art i pavarur dhe krejtësisht individual) natyrshëm, vihet në shërbim të pasurimit të kulturës në tërësi dhe letërsisë në veçanti. Shkrimtarët e mëdhenj, jo vetëm në letërsinë shqipe, kanë ndihmuar në diversitetin dhe pasurimin e gjuhës, traditës, kulturës kombëtare, pra u kanë dhënë identitet kombeve prej nga vijnë e në këtë kontekst, i kanë bërë shërbim shoqërisë së vendeve të tyre. Shkrimtari/poeti rreh të zbulojë dhe bëhet ndikues në universalen njerëzore dhe kolektive, atë shpirtërore e morale. Nga ana tjetër, shoqëria e sheh shkrimtarin si të një lënde tjetër. Fjalën e kam këtu për gjenitë shkrimtarë, të cilët konsiderohen ndonjëherë edhe si të jashtëzakonshëm a hyjnorë”.
Intervistoi: Elida DOMI
Sapo është mbyllur Edicioni i 7-të i Panairit Kombëtar i Librit “Fieri 2020”, por i pari online në historinë e tij. Ç’do të thotë të organizosh një panair në kohë pandemie dhe si arritët ta realizonit në plot 4 ditë të suksesshme?
Të zhvillosh panair në kohë pandemie do të thotë të ndërrmarësh një iniciativë me të panjohura, është si një sfidë nga ato që të udhëheqë ajo ty dhe jo ti atë. Fillimisht vendosëm që ta zhvillonim në këto kushte për të mos e ndërprerë zinxhirin e aktivitetit, por, të mësuar me sukses të këtij evenimenti, nuk mund ta lejonin që të bëhej pa lënë gjurmë. Kështu që e morëm seriozisht. U zhvillua në katër ditë. Librat u ekspozuan në platformën online Avatar, ndërsa të gjitha aktivitetet e parashikuara u realizuan sikurse çdo vit tjetër, vetëm se, me një numër të kufizuar vizitorësh dhe që të gjitha transmetoheshin të plota online. Që të jemi seriozë dhe të sinqertë, kuptohet, që kjo nuk është mënyra e duhur se si duhet të zhvillohet një panair libri. Panairet e librave aty e kanë magjinë, tek ekspozimi i librit para lexuesit, tek emocioni i prekjes fizike të kopertinës e fletëve, tek kërshëria për të kërkuar nëpër stenda autorët e titujt e preferuar. Ai është panairi. Ky që bëhet në këtë kohë, krejtësisht i imponuar nga rrethanat është një shteg për të mos e lënë në harresë librin, sepse në gjithë këtë truk që na bëri natyra, duket se stuhia me e egër ra padrejtësisht mbi sektorin e librit, më i pafajshmi në tërë këtë zallamahi pandemie.
Cilat ishin risitë që solli ky edicion?
Vetë fakti që quhet panair online, është risi. E kjo risi na mësoi të përshtatemi me mënyrën e re të konfigurimit të botës, të marrdhënieve, të komunikimit ndryshe, të stilit ndryshe të jetesës, një formë e re që na shtrëngoi të bëjmë zgjedhje të tillë. E në këtë kontekst, si një panair i këtij formati, mund ta quajmë të suksesshëm, por sërish këmbëngul që nuk duhet të jetë kjo mënyra e të bërit panair libri.
Panairi Kombëtar i Fierit u ka dhënë hapësirë të barabartë autorëve nga të gjitha trevat shqipfolëse. Si ka qenë përqasja e tyre në këtë aktivitet?
Qysh në krye të herës, ne e kishim të qartë mendimin që ky panair nuk mund të ishte përjashtues, pasi ne e shohim letërsinë shqipe si një të tërën, të pashkëputur nga letërsia e matanë kufijve gjeografik. Çdo vit kemi patur të pranishëm autorë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, po ashtu edhe autorë të diasporës. Edhe në këtë aktivitet, njësoj si edicionet e mëparshme, u kujdesëm që të kishim të njëjtën përfshirje. U diskutua për librat më të fundit të Abdullah Zenelit, Çun Lajçit, Kim Mehmetit, Dan Ibrahimit, Koço Qorrit, Xhemal Gorës etj. Meqë jemi te aktivitetet, dua të përmend tre tryezat shkencore që u realizuan në tri ditë: “Arshi Pipa në 100 vjetorin e tij”, “Libri, leximi dhe pandemia”, si dhe “Jakov Xoxa, një jetë mes letrash”, ku referuan emra të njohur të botës akademike, studimore e letrare, si Akademik Ali Aliu, studiuesit Agim Vinca, Klara Kodra, Behar Gjoka etj. Duhet thënë se panairi i librit në Fier, njeh çdo vit rritje. Nëpërmjet aktiviteteve të larmishme ky eveniment shpalos vlerat më të mira, evidenton dhe ndihmon në nxitjen e talenteve të reja, si dhe ndihmon në shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes brezave të profesionistëve dhe atyre që hedhin hapat e para në oqeanin e letrave.
Panairi si çdo vit shpalli edhe fituesit e vet. Si u procedua për çmimet e këtij viti duke patur parasysh kohën e shkurtër?
Në fakt, pandemia nuk na dha hapësirën e mjaftueshme që ne të hapnim në kohë thirrjet për konkursin që bëhet çdo vit. Nuk i njoftuam në afate botuesit dhe shkrimtarët, sepse vetë organizimi në këtë periudhë na imponoi që të mos planifikonim aktivitete për një afat të gjatë. Brenda dy javëve u vendos që do të bëhej panairi, prandaj ne iu drejtuam botuesve të na propozonin autorë vetëm për dy gjini letrare, sepse ishte e pamundur që të lexoheshin shumë vepra për vetëm dy javë (Kam parasysh këtu që, në një edicion normal të panairit të librit në Fier, vijnë mesatarisht 100 – 130 propozime). U detyruam të anullonim çmimin e letërsisë për fëmijë dhe një çmim për autorët e rinj të cilin e themeluam në fillim të vitit si një risi në panair, pas propozimeve që kishim patur vitin e shkuar, por gjërat erdhën të tilla, pandemia e bëri të vetën dhe ne u ngushtuam në vetëm dy zhanre, për të mos i anulluar fare krejt çmimet.
Meqënëse Panari këtë vit ishte online a ishin pritshmëritë si ato të viteve më parë? Sidomos dhe nga ana e kërkesave të qytetarëve për të bërë pjesë të bibliotekës së tyre botimet e prezantuara.
Kjo është një pikë që duhet diskutuar. Personalisht nuk mendoj se panairi online është shpikja që i mungonte librit për ta çuar tek lexuesi. Unë, që e kam pasion të bëj diçka modeste për librin, gjykoj se kjo është njëra nga format për ta pasuruar bibliotekën e familjes, por jo ajo që e grish lexuesin. Tani, të mos bëjmë sikur s’jetojmë këtu, të gjithë e dimë që po nuk e panë me sy librin, po nuk iu gëzuan festës së librit, disa nga lexuesit tanë kanë plogështi, bëhen indiferentë në të shumtën e rasteve. Nuk po flas për lexuesin e zonës jeshile, të përhershmin, po flas për lexuesin e lëkundur, atë të zonës gri, atë që kërkon një nxitje apo një motiv për ta kërkuar librin. Prandaj dua t’i rikthehem sërish asaj që shpreha më lart, panairet fizike kanë gjithë entuziazmin e nevojshëm që njerëzit ta kthejnë kokën te libri. Madje, për mendimin tim, a ka mundësi që këto panaire të bëhen në çdo qytet, do të ishte një mundësi më shumë si për librin, ashtu edhe për lexuesin.
Ju jeni drejtoresha e Panairit Kombëtar të librit në Fier, por njëkohësisht jeni vetë një shkrimtare e afirmuar në vend dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. A ofroi Majlinda Rama botime të reja për lexuesin në këtë panair dhe nëse jo, a do të kemi këtë vit një libër prej saj?
Një pyetje që ma bëjnë shpesh, jo për libër të ri sesa për ndonjë tryezë diskutimi për librat e mi në tërësi. Realisht, duke qenë se e organizoj unë panairin, kam menduar që letërsinë time ta lë jashtë kësaj sipërmarrjeje… Qëllimi ynë është që ky aktivitet t’i jap hapësira dhe mundësi librit të printuar, të vihet në shërbim të promovimit të letërsisë dhe nxitjes së leximit, të kthejë traditën e librit, të hapë dritare komunikimi multikulturor. Bashkë me grupin organizativ jemi munduar të sjellim shkrimtarë e studiues, brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer Fierin ato katër ditë, në kryeqendrën e librit. Mendojmë se kjo është mënyra më produktive për t’i afruar qytetarët sa më shumë me librin, në një kohë kur teknologjia e informacionit dhe jo vetëm, i ka larguar ata nga letërsia e shkruar, sidomos brezin e ri. Dhe ne ndihemi mirë që ky panair sot ka krijuar traditën e mbarë që bashkon autorë, botues, lexues, përkthyes, përfaqësues të medias, çka ka ndihmuar, krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre.
Që të rikthehem në pyetjen tuaj, shpresoj që pa u mbyllur ky vit të vij për lexuesin me një libër të ri. Do të ishte kënaqësi edhe për mua, sepse komunikimi permanent me lexuesin, nëpërmjet veprës, është sa frymëzues aq edhe domosdoshmëri për një autor.
Kaq shumë e përkushtuar për letërsinë. Si kanë nisur relacionet e Majlindës me librin? Jeni rritur në shtëpi me libra, me një edukatë mbi leximin; ç’është kjo lidhje me të?
Kjo pyetje më kujton Kadarenë, i cili thotë se, në shtëpinë e tij kishte edhe gjyle topi, por libra jo. Për fatin tim të keq, edhe në shtëpinë time mund të gjeje çdo gjë, por jo libra. Nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë bibliotekë a së paku, ndonjë raft librash. Dikur, isha rreth 9 apo 10 vjeçe, xhaxhai im, s’di nga ku kish gjetur disa libra që i solli në një thes në shtëpi dhe, të parin libër që nxora prej aty ishte romani “Zonja Bovari” i Floberit. Kishte një kapak të verdhë me një siluetë gruaje dhe në sfond dy burra, njëri më dukshëm, tjetri më i sfumuar. E lexova atë roman. Ishte i pari libër që lexoja dhe që më mbushi me një dramë të madhe shpirtërore, të cilën e mbajta me vete për shumë kohë.
Dhe një pyetje të fundit. Letërsia, shkrimtari dhe shoqëria. Si e shihni këtë trinom bashkëveprues?
Një pyetje paksa e vështirë për t’ju përgjigjur. Vetë kontributi apo vepra e shkrimtarit është aset i fondit kulturor të një shoqërie, pra shkrimtari, edhe pse nuk e ka qëllim në vetvete (pasi letërsia është art i pavarur dhe krejtësisht individual) natyrshëm, vihet në shërbim të pasurimit të kulturës në tërësi dhe letërsisë në veçanti. Shkrimtarët e mëdhenj, jo vetëm në letërsinë shqipe, kanë ndihmuar në diversitetin dhe pasurimin e gjuhës, traditës, kulturës kombëtare, pra u kanë dhënë identitet kombeve prej nga vijnë e në këtë kontekst, i kanë bërë shërbim shoqërisë së vendeve të tyre. Shkrimtari/poeti rreh të zbulojë dhe bëhet ndikues në universalen njerëzore dhe kolektive, atë shpirtërore e morale. Nga ana tjetër, shoqëria e sheh shkrimtarin si të një lënde tjetër. Fjalën e kam këtu për gjenitë shkrimtarë, të cilët konsiderohen ndonjëherë edhe si të jashtëzakonshëm a hyjnorë.
Ndërsa, po të kthehemi në letërsinë tonë, letërsi e një vendi ish-komunist, kjo marrëdhënie më duket si Trekëndëshi i Bermudës apo Trekëndëshi i mallkuar, ku as shkrimtari dhe as shoqëria duket se nuk kanë dëshirë ta pranojnë njëri – tjetrin. Mund të jetë përshtypje e gabuar, por kam parasysh, nga njëra anë, mungesën e interesit, kujdesit, ndihmës ndaj shkrimtarit nga ana e shoqërisë dhe instancave shtetërore dhe, nga ana tjetër, vetë shkrimtarët duket se nuk po e kapërcejnë dot vetveten, duke vijuar të mbeten kapur pas hijeve të diktaturës, një letërsi që sjell tema të njohura, të lakuara, të konsumuara, të mësuara përmendsh që, shpesh, nuk ngjallin më interes tek shoqëria. Pra, ende nuk po çlirohet, për të vijuar me një frymëmarrje tjetër.
Gjykoj se letërsia nuk mbahet gjatë me reminishenca të së kaluarës, a më së paku, nuk bën të njëjtin sensacion, që mund të bënte fill pas rënies së komunizmit. Kjo, sepse, fatkeqësisht, tek ne, edhe demokracia e ka diktaturën e vet, po aq të egër. E vërteta edhe sot, të njëjtë e ka emëruesin; ose syrgjynosës, ose kryqëzues… Por, edhe nëse do t’i referoheshim letërsisë post realsoc, megjithëse është shkruar vazhdimisht për atë realitet, ende nuk po lind një kryevepër mbi diktaturën, siç ka ndodhur në letërsitë e tjera, fjala vjen, me “Zoti President” të nobelistit M. Asturias, një kryevepër botërore. Në këto kushte, mendoj se ende nuk po gjendet Filli i Arianës që do t’i çonte këto rrugë bashkëveprimi drejt pikës së qendrës.
Shqipëria është e brishtë dhe mendoj se lexuesi ka nevojë për një letërsi shkëputëse, frymëzuese, motivuese, me ngjyra më të gjelbërta, jo një letërsi gri që vijon të ngjallë pikëllim. Shoqëria jonë edhe ashtu, mjaft është e ndjeshme, “e rrahur”, e përvuajtur, e mbingarkuar. Diktatura na ka mbetur si lak në fyt. Në kombet me shpirtra të trazuar, letërsia duhet të ndriçojë të kaluarën, por edhe të rrezatojë për vazhdimin, të pasurojë historinë, kujtesën, por edhe të motivojë e të bëhet emancipuese.