Majlinda Rama vjen para lexuesve me një libër të ri në fushën e poezisë. Rreth 100 poezi të përfshira në këtë përmbledhje, shquhen nga emocionalja, ndjeshmëria, ndjenja e lirisë, elementi lirik dhe hapësirat pa kufij të mendimit. Ashtu si edhe në librat e mëhershëm, Rama mëton të evokojë botën e vet nga perspektiva e një bote gjithëkohore. Vepra “Lirikë me dhimbje” sjell një spektër të gjerë variacionesh e formash si në strukturë dhe llojshmëri, ashtu edhe në formatin dhe frymëmarrjen e vargut e tekstit në tërësi. Ajo hapet me poezinë emblematike “Skulpturë”, një poezi që bart në vetvete një dhimbje të madhe që lidhet me fatin e përhershëm të gruas shqiptare, e cila përballet ende sot e kësaj dite me luftën e të drejtës së lirisë së mendimit, fjalës e veprimit. Poezia e Ramës vjen si shpërthim i shqetësimeve të brendshme në kërkim të njeriut të mirë, të një bote të përsosur. Vargu i saj vjen po ashtu si artikulim diskursi poetik, refleksi figurativ, rrjedh me pasuri dhe harmoni estetike, eufori dhe ritëm, herë dinamik e të rrëmbyer, herë me shtrirje horizontale të shtruar e herë si aliteracion. Në këtë libër gjendet një shumëllojshmëri artikuluese e lëndës si gjuhë dhe stil, si formë dhe përmbajtje, si prurje dhe cilësi, pranishëm me dendësi në këtë vëllim. Libri është botuar nga shtëpia e njohur botuese “Onufri”. Në paskopertinë, botuesi ka shkëputur një vlerësim të kritikut të njohur Ali Aliu, i cili shprehet për Ramën: “… Shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Rama mbetet, padyshim, zëri më përfaqësues në letrat shqipe të kësaj gjenerate, e cila po na dëshmon penë të mprehtë, talent dhe kulturë letrare e krijuese… Një romanciere shumë e mirë dhe më së tepërmi e guximshme… Kam lexuar krijime të Majlindës, në poezi dhe prozë dhe të gjitha këto lexime më sollën të qartë Majlindën si krijuese, shumë e re në moshë, por me një talent të rrallë… Një krijuese që gjendet mirë në të gjitha gjinitë. Për këta krijues ka nevojë letërsia shqipe…”.

Ndërkohe studiuesja Klara Kodra ështe shprehur se poezia e Majlindës është bashkëkohore shqiptare dhe evropiane. “Poezia e Majlindës është bashkëkohore shqiptare dhe evropiane, është dëshmi e gjallë se një letërsi si ajo shqiptare, mbeti periferike për arsye historike, gjeografike dhe gjuhësore, por është në gjendje të zbulojë talente poetike të tilla, mëdha, të denja për t’u futur në imagjinatën e ndërgjegjes estetike evropiane siç është ka ndodhur tashmë me Kadarenë. Majlinda kthehet në një veçori të veçantë të poezisë shqiptare. Ajo shquhet për përdorimin e kodit të poezisë popullore, krahas kodit elitist…Kjo autore është një poete e lindur, një poete e vërtetë, një “lule e egër”, siç sugjeron titulli i një libri të saj, në mesin e shumë luleve artificiale të lindura në dritën artificiale të modave të ndryshme, që nuk kanë rrënjë të vërteta poetike. Pra, poezia e Ramës është një lirikë e mendimit, një poezi me një vullkanizëm të brendshëm. Në poezinë e saj gjejmë lirikë me freski dhe spontanitet të imazheve të folklorit dhe teksteve të rafinuara dhe të thella. Majlinda mediton mbi problemet ekzistenciale dhe përjeton intensivisht problemet shoqërore dhe etike të realitetit të kohës së saj dhe atdheut të saj” shprehet ndër të tjera studiuesja Kodra.

Ndërkohë studiuesi Nasho Jorgaqi është shprehur për krijimtarinë e saj se rasti Majlinda e con të vështrojë kontributi e femrës krijuese në letërsinë shqipe. “Si historian i letërsisë që jam, rasti Majlinda më con të kujtoj kontributin e femrave në letërsinë shqipe. Poeteshat e para që kanë dalë në shtyp në letërsinë tonë janë katër femra në vitet ’30; Musine Kokalari, Selfixhe (Ciu) Broja, Jolanda Kodra dhe një shkodrane me pseudonimin Lux Secreta që kishte emrin Luçie Sereqi…Këto inauguruan, në letërsinë shqipe, hyrjen e vargut të femrës shqiptare, vargjet sigurisht për kohën e tyre ishin të lexueshme por vargëzime… Tani, pas gati një shekulli, del një vajzë nga Krahësi i Tepelenës me një poezi, përkatësisht me një vëllim poetik, që hyn në radhët e poetëve më të mirë shqiptarë të kohës së sotme…Sot, sic dihet, jemi para faktit që debutojnë në letërsi qindra vajza, janë më shumë vajza se meshkuj dhe, pikërisht në këto qindra vajza që vrapojnë se kanë ardhur në fushën e letërsisë, shquhet kontributi i Majlindës, një kontribut shumë cilësor, i vecantë, një zë krejt i vecantë dhe një shpresë e madhe për letërsinë shqipe dhe vecanërisht për poezinë shqipe” është shprehur ai.

“Lirikë me dhimbje” është libri i shtatëmbëdhjetë i Ramës. Ajo është autore e librave me poezi, novela, romane, si dhe disa librave studimorë dhe monografikë. Majlinda Rama është shkrimtare dhe studiuese shqiptare. Ajo konsiderohet si përfaqësuesja më e shquar e brezit të saj letrar dhe një nga emrat e nderuar të letërsisë së sotme shqiptare. Si shkrimtare, Majlinda Rama u bë e njohur me romanin “Perandorët”, në 2014, i cili bëri jehonë të madhe për shkak të tematikës së mprehtë, trajtimit dhe mpleksjes fabulare të shumë elementëve. Ky roman, që i hapi rrugën në letërsi, në pak kohë do të bëhej edhe film në Zvicër. Stili i veçantë i Majlinda Ramës ra menjëherë në sy të kritikëve e studiuesve më të njohur të kohës, si: Ali Aliu, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca e shumë të tjerë, të cilët panë te shkrimtarja e re një talent të spikatur”. “Në Shqipëri, Kadare s’ka për të mbetur i vetëm”, do të shpreheshin për të. Talenti i saj i gjithëanshëm, vjen përmes ngjyrash, situatash, personazhesh, problematikash, në gjini nga më të ndryshmet, nga lirika te epika, nga dashuria te drama, nga drama te tragjedia, të gjitha këto me një kulturë krijuese të adhurueshme. Në vitin 2019, Majlinda Rama u përfshi në kolanën studimore të akademikut Ali Aliu mbi veprën e autorëve më të mirë bashkëkohorë, në krahë të shkrimtarëve të njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Zija Çela dhe Kim Mehmeti. Krijimtaria e Majlindës është pritur mirë dhe vlerësuar nga kritika letrare brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e saj është promovuar dhe përkthyer në disa shtete, si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Poloni, Holandë, Hungari, Spanjë etj. Shtypi i huaj e ka krahasuar me Dostojevskin, A. Çehov e Aleksandër Gribojedov./SH.D.