Rreth 300 punonjës socialë u licencuan sot, si një garanci më shumë për shërbime më cilësore në çdo komunitet.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me përfaqësuesin e UNICEF në Shqipëri, dr. Roberto Bernardi, kryetarin e Urdhrit të Punonjësit Social, Mirgit Vataj dhe shefen e departamentit të Punës Sociale, Eliona Kulluri, kanë shpërndarë certifikatat e para të licencimit për punonjësit socialë në vend.
“Sot jam e lumtur që së bashku me ata që për herë të parë kanë bërë të mundur ngritjen e Urdhrit të Punonjësit Social, jemi këtu për të dhënë licencat e para të punonjësve socialë”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu nënvizoi fuqizimin e rolit të punonjësit social në protokollet e shërbimit spitalor, por edhe në shërbimin parësor me krijimin e qendrave socio-shëndetësore.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “vëmendja jonë do të ketë tashmë në zgjerimin e bazës së shërbimeve ku punonjësit socialë të jetë pjesë integrale e këtyre shërbimeve. 50 punonjësit socialë e psikologët e parë janë të atashuar në qendrat socio-shëndetësore dhe brenda këtij viti ne do të kemi edhe 50 punonjës të tjerë, të cilët do ta atashohen në strukturat e kujdesit parësor në të gjithë vendin. Jo vetëm hapen vende të reja pune, por mbi të gjitha krijojmë një filozofi të re brenda shërbimeve shëndetësore duke i integruar me ato sociale”.
Punonjësit Social janë përfshirë edhe në reformën për vlerësimin e individëve më aftësi të kufizuara, si anëtarë në komisionet bio-psiko-sociale dhe pjesë e vlerësimit multidisiplinar. Aktualisht, janë 21 punonjës social pjesë e këtyre Komisioneve të ngritura në 12 qarqet e vendit. Gjithashtu punonjësit socialë janë pjesë e strukturave shëndetësore, sociale, arsimore, të drejtësisë, etj.
Një vit pas ngritjes së Urdhrit të Punonjësve Social, në Ditën Botërore të Punës Sociale dhe në Muajin e Punës Sociale u akorduan 300 licencat e para për punonjësit socialë në Republikën e Shqipërisë, pas një procesi të gjatë pune të organeve të Urdhrit të Punonjësit Social.