Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të kryedemokratit Sali Berisha për lidhjet e dyshimta të Ramës me ish-zyrtarin e FBI, Charls McGonigal, të arrestuar në SHBA.

Në një reagim në Twitter, Rama shkruan se akuzat ndaj McGonigal në SHBA nuk kanë lidhje me të, ndërsa në Shqipëri, sipas Kryeministrit, ka filluar gjyqi politik ndaj tij.

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!

Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur.

Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për të zbardhur lidhjet e dyshimta mes Kryeministrit Rama dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit të FBI, Charls McGonigal, i arrestuar të hënën dhe i liruar me kusht nga gjykata e Nju Jorkut, për shkak të lidhjeve me oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Berisha tha se lidhjet e Kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së i ka vendosur përmes dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Sipas Berishës, përmes Duçkës e Nezës, Kryeministri ka bërë dy pagesa, njëra për lobim rus dhe tjetra për të hetuar lobuesit e Partisë Demokratike në Nju Jork./tvklan/Revista Time