Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo e cila shtoi se nga ky proces do të forcojë të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Ndërkohë, edhe Daniel Holtgen, zëdhënës i Këshillit të Evropës  ka konfirmuar se kanë pranuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Aplikacioni shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë kjo qe e ben mundësinë e pranimit të Kosovës më reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet./Xh.M