Parathënie nga Ali Aliu

Antologjia Rinore ose për të rinjtë, me titullin
domethënës,“Ajo quhet e nesërme”, është një përmbledhje
me poezi, tregime të shkurtra, esse dhe vepra krijuese të
shkruara nga krijuesit e rinj. Historitë e tyre janë të fuqishme,
shpesh të trazuara. Ndonjëherë, të krijohet përshtypja sikur
këta të rinj artistë, i ka udhëhequr parimi, “Të jesh krejtësisht
i sinqertë, të jesh krejtësisht i veçantë”, gjendje që duket
mëse e përshtatshme për shekullin e ri, një periudhë në të
cilin sinqeriteti dhe të qenit vetvetja është ndoshta sfida më
e madhe e njerëzimit. Të rinjtë tanë, pra të kësaj
përmbledhjeje të përzgjedhur, vrapojnë drejt një bote të
panjohur dhe këtë ata e shprehin hapur, pa droje, flasin për
një botë që çuditërisht e pranon si normalitet pabarazinë,
padrejtësinë racore, ligjore, fetare, dhe sipas tyre, këto
padrejtësi, vetë këta të rinj duhet t’i zhbëjnë, të rregullojnë
çfarë nuk është e mirë dhe t’i lënë vendin asaj çfarë ata
besojnë se është e mirë, e dobishme, e shëndetshme për
mendjen dhe trupin e njeriut të sotëm.
Dhe në fakt, në këtë kontekst, kur i mora në dorë këto
dorëshkrime, gjeta brenda tyre produksione të mbushura
me ide, mendime e perceptime nga më të larmishmet. Duke
qenë se të rinjve u është lënë dorë e lirë të zgjedhin vetë ata,
si temën, ashtu edhe zhanrin, pra llojin e shkrimit,
përmbledhja vjen më e lirë, më e hapur dhe vetë të rinjtë
bëhen orientues dhe determinantë. Pashë që, me çapkënllëk
6
kishin shpërthyer, duke kapërcyer nga njëra formë shkrimi
tek tjetra.
Ecejaket e tyre shkonin sa te eseja, te proza e
shkurtër, te poezia e deri në tentativa për publicistikë. Nuk
desha t’i klasifikoja, madje as të penalizoja ndonjë, për shkak
të ngurtësimit të llojit të shkruar, thjesht, gjykova që këto
krijime, janë interesante dhe duhen klasifikuar si punime të
mira për moshën e tyre. Pra, të gjitha krijimet, janë shkrime
të lira, mendime të pacensuruara, të pandrydhura, siç ato
vijnë nga mendjet e të rinjve krijues.
Duhet thënë se këto krijime, përpos guximit, kanë
brenda të gjitha ngjyrat e jetës, kanë dëshirat e tyre rinore,
kanë kërkesat, të cilat vijnë, herë të bindura e me ngarkesë
konstante e herë me një mbështjellje naiviteti. Gjithsesi, ato
janë dëshira të përflakta të kësaj moshe, ku krijuesit
nëpërmjet këtyre shkrimeve hedhin ide dhe mendime, japin
mesazhe për një jetë më të mirë e më të begatë.
Atyre ua vret syrin e shëmtuara dhe për këtë, japin
alternativa orgjinale, duke zgjedhur linjën e letërsisë si
dritare ndryshimi.
Nga ana tjetër dinë ta njohin dhe evidentojnë të
bukurën, ta shijojnë atë me të gjitha koloritet, duke i thurur
himne jetës së bukur e të begatë, njeriut të mirë, qenies së
sotme dhe asaj të së nesërmes, që e presin të jetë qenie e
përsosur.
Sepse ashtu e duan ata njeriun, të mirë, të përsosur
sikurse duan ajrin e pastër, diellin, lulet dhe gjithçka tjetër
nga më të mahnitshmet që sjellë jeta.
Duket sikur në këtë përmbledhje vijnë rrëfime nga njerëz
nga e gjithë bota, të cilët kanë thënë të vërtetat e tyre dhe
kanë ndarë realitetet e tyre. Dhe kjo është gjë e mirë, shumë
e mirë për një brez që kërkon, që mendon, që propozon dhe
që ndryshon.
Duke i përgëzuar për prurjet të cilat i veçoj, si për
formën, ashtu edhe për përmbajtjen, u uroj të gjithë këtyre
të rinjve suksese nëpër kaltërsitë e pafundme letrare!