Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla do të mbledhë nesër Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pas kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj.

Mbledhja do të zhvillohet në 11 korrik, ora 16:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit, Arben Ahmetaj.

Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, sipas kërkesës së SPAK, do të zhvillohet me dyer të mbyllura, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedural penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor.

Në njoftimin e Kuvendit thuhet se ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin e deputetit Ahmetaj dhe SPAK për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.

Po ashtu ngarkohen Shërbimet e Kuvendit për shpërndarjen me anë të postës elektronike zyrtare të urdhrit dhe kërkesës së SPAK për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit.