PROF. DR. KLARA KODRA

Kadareja,  ky përfaqësues i shquar  i avangardës së  viteve 60-të, ka meritën e madhe ta  ketë  rinovuar  i pari  romanin shqiptar,  duke vënë në  jetë synimin që s’u  realizua  dot nga Migjeni, Koliqi,  Kuteli  që u ndalën në lloje më të vogla.

Lloji i romanit, tepër i vonuar në krahasim  me romanin evropian (u shfaq  vetëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kohë kur ky lloj do të arrinte  kulmin e zhvillimit).

Ky lloj  më vonë  do t’i digjte  furishëm etapat  për ta rifituar kohën e humbur.

Romani shqiptar nuk e njohu  as realizmin  e Rinashimentos, as të  ashtuquajturin “realizëm  iluminist”, do  ta njihte  vetëm  sentimentalizmin si pararomantizëm dhe për një kohë të  gjatë s’do të  çlirohej nga shpërgënjtë e patetizmit dhe skematizmit të tij.

Romanet e para të njohura, ato të  Nikajt  i përkisnin sentimentalizmit  dhe dalloheshin  për një “vizion të botës” bardhë e zi. Niveli  i tyre qe  ai i “romanit të masës”.

Arbëreshi Santori, në  fakt  edhe para Nikajt, kishte  arritur t’i çonte romanet e veta në romantizëm dhe realizëm, madje  në to  shfaqeshin embrione vlerash  estetike, disa personazhe të realizuar, disa tablo  të gjalla, po  për fat të keq këto romane  nuk i arritën  dot as  lexuesit  arbëresh  dhe aq  më pak lexuesit  shqiptarë.

Në vitet 30 romani  shqiptar pati disa arritje  sasiore, madje  në të  u shfaqën elementët e para të realizmit kritik dhe, për çudi, edhe të  modernizmit në romanet “Pse?” dhe “Afërdita” të Sterjo Spasses dhe te “Sikur t’isha djalë” i Haki Stërmillit. Po ato mbetën romane  eksperimentale, forma e të cilëve  nuk ishte  në lartësinë e risive që synonin të arrinin autorët.

Talentet  më të fuqishëm të kësaj etape iu kushtuan  kryesisht  llojeve  më të vogla, tregimit, novelës ku patën  arritje  të ndjeshme.

Po të lihej në rrugën e vet të natyrshme romani shqiptar do të ecte drejt realizmit kritik, duke arritur  mbase  bashkëkohësit  evropianë, ata që u quajtën  “realistë të  viteve 30-të”, mbase  edhe drejt  modernizimit që po fillonte  të jepte  frytet e para në romanin evropian.

Po kjo rrugë iu ndërpre në mënyrë brutale  në kohën e pasluftës. Romanit  iu imponua  nga burime  jashtëletrare një djegie etapash, një model që s’ishte, as realist, as  modernist, modeli  i një drejtimi  që pretendonte  se qëndronte më lart se realizmi dhe romantizmi, duke i shkrirë ato, realizmi socialist, një model që po ndiqej në Rusi dhe në disa  vende ballkanike.

Në të vërtetë  ishte fjala për një  klasicizëm të një lloji të ri, më i ngurtë se klasicizmi historik, me një program krijues të formuluar jo nga shkrimtarë, po nga  ideologë, me rregulla  në thelb  jashtëletrare. Ky drejtim letrar artificial do ta mbërthente  romanin  e ri shqiptar ende të paformuar plotësisht në rregulla të ngurta që rrezikonin t’ia merrnin frymën.

Ishin vitet 50-të kur determinizmi sociologjik do ta  shtërngonte këtë roman  në përqafimin  e vet  të hekurt që kishte  rrezik t’i jepte  në vend  të një jete të  re,  vdekjen.

Do të lindnin  romane  racionale që pretendonin  për historizëm apo karakter aktual si “Çlirimtarët” e Shuteriqit, “Përmbysja”, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Një vjeshtë  me stuhi” e Ali Abdihoxhës etj., fëmijë “të lindur të vdekur” apo fëmijë rakitikë  që mezi  mbaheshin në këmbë.

Motivimi  sociologjik, i trashëguar nga realizmi  kritik, një lloj  që ende s’kishte  arritur të afirmohej në letërsinë shqiptare, mbizotëronte  në romanet e kësaj kohe, duke u  mbështetur  në patericat e të ashtuquajturave “rregulla të reja”, të frymës  revolucionare, të  heroit pozitiv, të orientimit  drejt  romantikës së një  të ardhmeje ideale dhe faktikisht të pamundur.

Talentet e dobëta  u shtrinë  me kënaqësi në këtë “shtrat Prokusti” që u jepte mundësinë të  gjallonin, talentet në shpërthim e sipër  po asfiksoheshin.

Erdhën  vitet 60-të. Erdhi  një talent i ri, vital dhje i fuqishëm që do t’i  brente  nga brenda  rregullat asfiksuese. Ai pranoi  në dukje të  fshihej  nën  pelerinën e  drejtimit letrar të ngurtë  që mbizotëronte.

Po që në romanin e parë shkrimtari  do të  kryente  një mrekulli, do t’i falte  a më mirë do t’i rikthente llojit të romanit atë tipar  që romani evropian e kishte  fituar  prej disa  shekujve qysh me Servantesin, siç do të  pohonte  me mprehtësi Kundera në “Artin e romanit”, relativizmin, ambivalencën, pranimin e disa të vërtetave relative, në vend të një të vërtete absolute.

Romani i “realizmit socialist” që pretendonte se zotëronte përgjigjet e të gjitha pyetjeve nuk mund ta pranonte  një dukuri të tillë, po Kadareja me  largpamësinë e një talenti të madh, e pranoi.

Po lindte  një lloj romani që do të  karakterizohej nga “kodi i dyfishtë”, një lloj  romani  që nuk vinte  në qendër  “heroin pozitiv” artificial, po një  antihero, një personazh me thelb  negativ  apo kompleks.

Motivimi sociologjik po plotësohej  apo spostohej  nga motivimi  psikologjik, personazhet  fillonin të shiheshin  në një optikë, tashmë  jo aq  sociale  sa ekzistenciale.

Kjo do të ndodhte qysh  në romanin e parë të Kadaresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.

Do të pasonin “Kështjella”, “Kronikë në gur”, kryevepra estetike  të letërsisë  shqiptare dhe njëkohësisht  perla të  krijimtarisë së Kadaresë që vetëm formalisht i përkisnin drejtimit zyrtar të “realizmit socialist”, po në të  vërtetë ndërthurnin  një lloj të ri  realizmi  me modernizmin.

Këto  vepra shfaqin  një “vizion të  jetës”, dramatik në caqet e tragjizmit, ato çmitizonin të ashtuquajturën përmasë “heroike” të fituar nga jeta nën diktaturën komuniste, i bënin vend gjithnjë e më tepër  nënvetëdijes, pasqyronin  krizën e individit dhe të vlerave  në shekullin e njëzetë, tashmë jo  në kushtet e shoqërisë borgjeze si Kafka dhe Musili, po në kushtet e një diktature totalitare të majtë që nuk mbetej pas nga  diktaturat e djathta.

Këto romane, pra, jepnin  një  mesazh çmitizues, një  mesazh mohimi  të realitetit socialo-politik që jepej përmes “gjuhës së Ezopit” dhe pohonte si të vetmet vlera të mundshme  disa  vlera pannjerëzore si dashuria  erotike  dhe dhëmshuria njerëzore. Këto vepra  ishin gjithashtu novatore  nga ana e  formës  meqenëse  në to mbizotëronin  risi  si sinteza, simbolet e fuqishme, rryma  e brendshme e lirizmit e trashëguar nga poezia, relativizimi  i kohës  i shprehur  përmes  retrospektivës, monologu i brendshëm që luan  rol të  veçantë, dramatizmi  i dialogëve  që afron romanin  me dramaturgjinë.

Gjithnjë  e më tepër  në këto romane  që e çorodisnin  kritikën zyrtare  dhe linin të  mahnitur  deri në ekstazë publikun  e lexuesve, sidomos atë të të rinjve, disidenca estetike shndërrohej  në disidencë ideologjike.

Kjo disidencë do të arrinte  kulmin  te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Koncert  në fund të dimrit” ku Perandoria Osmane dhe Kina simbolizojnë në fakt diktaturën shqiptare, shtypjen  dhe përgjimin policor oruellian të  individit dhe varfërimin  gjithnjë e më të madh shpirtëror të tij.

S’mund  të pranojmë tezën e atyre  studiuesve të cilët  edhe sot  pretendojnë t’i vendosin këto romane në kornizën e “realizmit socialist”. Rregullat formale të drejtimit, të  brejtura gjithnjë e më tepër  nga brenda  po shndërroheshin  përherë e më tepër  në një guackë  bosh.

Pamë që shkrimtari do t’i mohonte ato që  në fillim  duke mohuar  heroin pozitiv  dhe frymën  artificialisht  heroike. “Gjuha e Ezopit” do ta ndihmonte shkrimtarin  gjithnjë e më tepër  për t’i komunikuar lexuesit mesazhin e tij të fshehtë.

Edhe në romane  që ngjanin  si lartësim i “realitetit  socialist” si “Dimri i madh” depërtonte fshikullimi i plagëve  kryesore të diktaturës  si “lufta  midis të  aftëve dhe të paaftëve” ku të paaftët dilnin  fitues, atmosfera  e padukshme e frikës, ndërhyrja  brutale e partisë  në jetën e individit, shkëputja gjithnjë  më e madhe  e udhëheqësit diktator  nga populli.

Romanet e Kadaresë të shkruara  në kohën  e diktaturës, ndonëse të  mbështjella me pelerinën  e “realizmit socialist” janë në fakt vepra që ndërthurin  realizmin me modernizmin.

Këto romane dallohen për një  respekt tepër të veçantë për lexuesin  të cilit ia lenë lirinë e interpretimit, deshifrimin e “kodit të  dyfishtë”, presin prej tij që të depërtojë në labirintin e formës tepër të lartë, elitare.

Është e vërtetë që ky  elitarizëm  në disa raste bëhet shkak  që në labirintin e kësaj forme  kritikët/lexues  të humbasin rrugën, duke  mos e gjetur  dot “fillin  e Arianës”.

Më vonë Kadareja do të kalonte nga  modernizmi  në pasmodernizëm në etapën që njohu  krijimtaria e tij pas viteve 90-të, etapë në të cilën  do të shtohej  ironia  çmitizuese, pesimizmi në “vizionin e jetës” dhe “kodi i  dyfishtë” do të ndërlikohej edhe më. Kjo etapë nuk do të jepte  gjithnjë kryevepra, megjithatë në të  mund të dallojmë vepra të realizuara, në vazhdimësi me etapën e parë si “Donfermani”, “Piramida”, “Pasardhësi” dhe dy romanet që shkrimtari i kushtoi vendlindjes së  vet “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar”.

Në rinovimin e  romanit, Kadareja  do të ndiqte  një rrugë të vetën, të ndryshme nga ajo që do të ndiqte bashkëkohësi i tij Jakov Xoxa që edhe ai,  nën pelerinën  e konsumuar të “realizmit socialist” do të fshihte  një realizëm  kritik të një lloji  të ri  dhe do t’i drejtohej “sagës familjare”, karaktereve të  personazheve që dallohen  për pasuri  e shumëllojshmëri duke i pasur  rrënjët  në psikologjinë popullore.

Shkrimtari ndoqi atë rrugë  që i diktonte individualiteti i tij  krijues. Ai nuk e asimiloi  modernizmin apo pasmodernizmin  për modë, pati idealin e vet estetik. Rruga që ndoqi shkrimtari  dha fryt  se Kadareja e ngriti me krijimtarinë e tij romanin shqiptar në nivelin e  romanit  bashkëkohor  evropian.

Për sa i përket “realizmit socialist”, shkrimtari e pranoi, duke bërë një kompromis vetëm në dukje, për ta  tradhtuar më mirë  thelbin e tij. Ky kompromis i ngjante marrëveshjes së Faustit me demonin Mefistofel, marrëveshje nga e  cila Kadareja  do të  shpëtonte  si Fausti në saje të  fuqisë  krijuese. Lidhur me  këtë mund të  thuhet  ajo që  pati thënë  Lunaçarski për Floberin, domethënë se duke qenë  shkrimtar  borgjez, ai ishte armiku  më i madh i borgjezisë. Po kështu Kadareja, në dukje shkrimtar i “realizmit socialist”, ka qenë armiku më i madh i këtij  drejtimi artificial dhe të ngurtë, një shkrimtar  jo vetëm modernist, po edhe modern  në kuptimin  më të lartë  dhe më të plotë të fjalës.

 

 

BIBLIOGRAFI

R.M.Albérès, Histoire du roman moderne, Michel, 1962.

Jean Benoit, Nouveaux problémes du roman, Seuil, Paris, 1978.

Tefik Çaushi, Universi i Kadaresë, “Dajti 2000”, Tiranë 2001.

Tefik Çaushi, Eros – dashuria dhe seksi te Kadareja, Ombra GVG, Tiranë 2004.

Milan Kundera, L’arte  del romanizo, Adelphi edizioni, Milano, 1988.

Littérature et  geures lettéraires, Larousse, 1973.

Georges Lukacs, La theorie du roman, Edition Gonthier, Berlin Spandau, 1963.

Adil Olluri, Romani postmodern shqiptar, UET Press, Tiranë, 2015.

Luan Topçiu, Tradita  moderne  në letrat  shqipe, Zenit Editions, Tiranë 2010.

Prof. Alfred Uçi, Grotesku kadarean, Onufri, Tiranë, 1999.