Ftesa e Ismail Kadaresë për në Fier është bërë në kuadër të Panairit Kombëtar të Librit, i cili e hapi siparin me këtë aktivitet për t’i mbyllur aktivitetet në shtator, në një tryezë shkencore për Ismail Kadarenë, me të njëjtin titull “Kadare, ky gjeni i pashmangshëm”.
Me ftesë të Fondacionit Harpa dhe mbështetje të Bashkisë Fier, shkrimtari i madh Ismail Kadare është bërë pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në nder të tij, me rastin e 85 – vjetorit të lindjes. Në një ceremoni solemne, të titulluar “Ismail Kadare, ky gjeni i pashmangshëm”, folën personalitete të shquara të letërsisë dhe artit. Takimin e hapi drejtuesja e Fondacionit Harpa, shkrimtarja Majlinda Rama, e cila ndër të tjera u shpreh se ardhja e Kadaresë në Fier është një ngjarje historike për këtë qytet, pasi ai është shkrimtari që i dha identitet letërsisë kombëtare.
“Është në nderin tonë të jemi sot pritës të një mysafiri të veçantë, të ndryshëm nga të tjerët, që me veprën e tij të jashtëzakonshme u bë simboli më i ndritur i vokacionit tonë europian. Ismail Kadare u bë e vërteta jonë e madhe, e patjetërsueshme, pjesa më e mirë e përpjekës sonë shekullore për dinjitet dhe identitet që, me veprën e vet, dëshmoi se edhe letërsitë e vendeve të vogla bëjnë ndryshime të mëdha në historitë e popujve. Korpusi letrar monumental i Ismail Kadaresë, nga një nocion gjeografik, siç shprehej Edit Durham, e bëri Shqipërinë një zë të madh, të barabartë, me ide universale, duke arritur të mposhtë realitetin e izolimit atavist të kohës e duke zhvilluar hapësirat e lirisë së mendimit, me mendjen e shpirtin në Europën e hapur”, vijoi më tej.
Ndërsa Aliu u shpreh se lexuesi shqiptar për herë të parë lexon në gjuhën e tij veprën e një gjeniu si Kadare.
“Me kadarenë ndodhi kthesa e madhe letrare shqiptare, përfshirë edhe statusin e lexuesit, të atijk që admironte; ai për here të pare do admirojë një gjeni që është i familjes, i gjuhës së vet, i histories, i qenies; lexuesi shqiptar, për here të pare, do t’a lexojë i pari në original veprën e gjeniut, të tjerët në gjuhët sekush në të vetën, siç ka bërërë dhe bën ai, lexuesi shqiptar me majat e tjera letrare të njerëzimit… Kështu me radhë; sidomos shkrimtari shqiptar, për here të pare, do të n djehet mire, i barabartë mes familjes të madhe letrare të njerëzimit. Prandaj lexuesi shqiptar, shkrimtari, ne, të pranishëm në këtë solemnitet, në këtë festë kulturore, kemi privilegjin që ta kemi fizikisht pranë Ismail Kadarenë edhe në Fier, në një cep të panjohur të globit, prani dhe ngjarje që do ta lakmonte çdo kryeqytet letrar i globit”.
Sadik Bejko u shpreh se” Kadare është një udhëheq shpirtëror për të gjithë shkrimtarët shqiptarë që erdhen pas tij”.
Me këtë rast, Këshilli bashkiak i Fierit i kish akorduar Kadaresë titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore. Me angazhimin dhe talentin e tij, i ka dhënë vlerë mendimit të spikatur dhe cilësor, duke lartësuar në arenën mbarëkombëtare identitetin shqiptar”.
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi i dorëzoi titullin shkrimtarit të madh, ndërsa u shpreh se “duket sikur ne kemi nderuar të madhin Kadare, por ai na ka nderuar ne me pjesëmarrjen e tij sot këtu, ka nderuar qytetin e Fierit dhe gjithë komunitetin”.
“Jam i lumtur që jam midis jush! Besojeni se për shkrimtarin, dashuria dhe mirëkuptimi i lexuesve është gjithmonë i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë. Ndaj ju falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq të bukur, kaq të ngrohtë dhe kaq njerëzore, dhe kaq shqiptare. Ju lumtë! Ju lumtë të gjithëve!”, tha Kadare në fjalën e tij.
Ftesa e Ismail Kadaresë për në Fier është bërë në kuadër të Panairit Kombëtar të Librit, i cili e hapi siparin me këtë aktivitet për t’i mbyllur aktivitetet në shtator, në një tryezë shkencore për Ismail Kadarenë, me të njëjtin titull “Kadare, ky gjeni i pashmangshëm”.