Poezi nga Juan Rodolfo Wilcock

Ki besim tek jeta
dhe jo tek ideologjitë;
mos i dëgjo misionarët
e një iluzioni a një tjetri.
Mos harro se ka veç një
gjë pohore, shpikja;
ndërsa sistemi karakterizohet
nga mungesa e imagjinatës.
Mos harro se gjithçka ndodh
rastësisht dhe asgjë nuk zgjat përjetësisht,
çka s’të ndalon të bësh
një vizatim mbi xhamin e avullt,
as të këndosh një melodi
të thjeshtë kur je i lumtur;
mund të jetë një vizatim i bukur,
dhe që kënga të jetë e bukur:
por kjo sigurisht s’ka rëndësi,
mjafton që ty të pëlqejnë.
Një ditë do të vdesësh; punë e madhe,
sepse do jenë të tjerët ata që do ta kuptojnë.

Përktheu: Beti Njuma