Beteja me flakët në ishullin e Sazanit vijon prej 3 ditësh. Situata mbetet kritike, pasi bimësia e dendur dhe era e fortë e vështirësojnë ndërhyrjen e trupave të ushtrisë, të angazhuara për shuarjen e vatrave të zjarrit. Rreziku më i madh janë municionet e pashpërthyera, që kanë mbetur aty prej kohës kur ishulli shërbente si një kamp ushtarak.

Me dhjetëra pisha shekullore janë shkrumbuar e vijojnë të digjen edhe këtë të hënë.

Një reagim ka pasur edhe nga kreu i Emergjencave Civile mbi luftën që po kryhet momentalisht në Sazan. Haki Çako theksoi se është kryer një plan i detajuar dhe se të gjitha strukturat e posaçme janë në terren për shuarjen e flakëve.

Jemi në monitorim nga ajri”, nënvizoi Çako. “Situata është e njëjtë. Zjarri vijon, por është bërë një plan për izolimin e tij në pjesën jugore. Të gjitha forcat zjarrfikëse, të agjencisë së zonave të mbrojtura dhe të Forcave të Armatosura janë në terren”.

Kreu i Emergjencave Civile siguroi gjithsesi se situata po ndiqet hap pas hapi dhe se ajo do të vihet nën kontroll.

Vatra kryesore ka qenë aktive prej pasdites së 5 qershorit, kur 61 efektivë të Forcave Detare dhe Tokësore shkuan drejt ishullit të Sazanit për të luftuar me flakët./Xh.M