Indeksi i Çmimeve të Konsumit (inflacioni) që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë mallrash të caktuara, arriti në 8.3% në muajin tetor të këtij viti, bëri të ditur INSTAT.

Sipas INSTAT, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin tetor 2022, krahasuar me shtatorin e po këtij viti është 0,4 %, ndërsa ushqimet dhe karburanti janë produktet që kanë shënuar rritjen më të madhe.

INSTAT bëri të ditur se rritja vjetore e çmimeve në muajin tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me rritje 5,09%, pasuar nga grupi “Transporti” me 1,00%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0,70%.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ishin 0,48% më shumë, ndërsa çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën 0,28%. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me plus 0,27% dhe çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,19% më shumë.

Sipas INSTAT rritje shënuan edhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0,12%,  “Argëtim dhe kulturë” me 0,06% më shumë dhe “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,05%./atsh/Revista Time