“Infermiere Eva”, është monodramë kushtuar figurës së gruas që u soll këtë herë për publikun në teatrin “Bylis” në Fier. Shkruar nga poetja Valentina Dafa, shfaqja sjell mesazhin sensibilizues për fenomenin e dhunës ndaj gruas në shoqëri dhe sfidat me të cilat asaj i duhet të përballet çdo ditë.
Jetë e mohuar sociale e profesionale nga ego maskiliste, nxjerrin në pah karakterin fisnik të femrave shqiptare të cilat guxojnë të jetojnë dhe dinë të ruajnë dinjitetin në çfarëdo rrethane a situate qofshin.
Një monodramë plot pathos që sjell tablo tipike të familjeve shqiptare.
Me regji të Klajdi Markut, nën interpretimin rrënqethës të aktores Miola Sitaj, vjen infermiere Eva, një karakter fisnik i përmbajtur, që zbërthen dhimbjen e dramën e mijra Evave, që luftojnë me vetmohim për të qenë gra,bija, nëna.
Pikërisht, Evës, i është veshur profesioni më human, profesioni i infermieres që vetmohimin e ka në thelb, në betimin që njehsohet një me shpirtin e vjen si lajtmotiv në këtë monodramë.
Si himn i profesionit të infermiereve kjo monodramë, vjen si këmbanë për të ndërgjegjësuar dhe për të sensibilizuar shoqërinë, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njeriut, për të ndikuar sado pak në barazinë gjinore dhe në përkujdesjen e shëndetit tek qeniet më të brishta,e më humane, tek femra që mundohet të sfidojë me dinjitet e të thyej barrierat mentale të mbartura në vetvete dhe në shoqërinë në të cilën jeton./Xh.M