Pas vendimit për ndërprerjen e kontratës me kompaninë private “Aleat” të prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të Identitetit, Ministria e Brendshme është duke vijuar punën për ngritjen e kompanisë shtetërore që do e zëvendësojë.
Kjo kompani është emërtuar “IdentiTek” dhe në krye të këtij institucioni shtetëror do të jetë Loina Prifti. Kjo e fundit ka edhe shtetësi gjermane, dhe aktualisht punon në Katedrën e Informacioneve në Universitetin Teknik të Mynihut, dhe merret me inteligjencën artificiale. Dy shtetësitë Prifti i disponon për shkak të kontributeve të veçanta në shtetin gjerman.
Drejtuesja e re do të marrë detyrën në datën 1 Gusht, datë kur firmës private “Aleat” i përfundon kontrata për prodhimin e dokumenteve biometrike me shtetin shqiptar, marrëveshje e lidhur që në vitin 2008.
Një nga ndryshimet që kompania pritet të realizojë sapo të kthehet nën administrimin shtetëror do të jetë ulja e tarifave si për kartat e identitetit dhe pasaportat. Çështja e tarifave të reja, ende nuk është përcaktuar pasi vijojnë diskutimet.
Sa i takon logjistikës dhe infrastrukturës mësohet se “IdentiTek” do të mbajë të njëjtat që ka aktualisht “Aleat”, si zyra, punonjës, makineri, apo edhe lidhjen me kompanitë e huaja që ka bashkëpunuar deri më tani.
Krijimi i kompanisë shtetërore u miratua në 14 shkurt nga Këshilli i Ministrave, dhe do i kushtojë buxhetit të shtetit 20 milionë lekë. Aktualisht, shqiptarët, për të prodhuar një pasaportë personale duhet të paguajnë 7,500 për një afat 15 ditor.
Për një afat të përshpejtuar në vetëm 2 apo 3 ditë duhet të paguajnë 18,000 lekë, ndërsa për prodhimin e kartës së identitetit duhen 1,500 lekë.
Shërbimet që do ofrojë IdentiTek
Letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike
Dokumentit biometrik, leje qëndrimi për të huajt
Letërnjoftimit elektronik për refugjatët
Dokument udhëtimi për refugjatët
Çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme