Është shuar aktori i njohur shqiptar, Guljelm Radoja. Aktori i famshëm shqiptar, Guljelm Radoja ka vdekur në moshën 76-vjeçare.

Radoja ishte i infektuar me COVID-19 prej rreth një muaj, ndërsa vdiq në spitalin e Tiranës, ku po mbahej i intubuar.

Ai fillimisht ishte shtruar në spitalin e Durrësit, por më pas, për shkak tv gjendjes së rënduar u dërgua në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Aktori humbi betejën me COVID-19 mëngjesin e sotëm.

Guljelm Radoja lindi në vitin 1945 në Shkodër. Ai ka luajtur në të gjitha skenat teatrore në  vend.
Në kinematografi është angazhuar në më shumë se 30 role, ku ndër më të rëndësishmit është ai i Petro Nini Luarasit te filmi “Kush vdes në këmbë” apo te filmat “Gjurma”, “Mësonjëtorja”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Kolonel Bunker” etj. Radoja ishte  nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Ngushëllime kanë shprehur sot kryeministri Edi Rama, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi, presidenti Ilir Meta etj.
“Lamtumirë i dashur mik”, shkruan Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.
“Me trishtim mora lajmin mbi ndarjen nga jeta të artistit Gulielm Radoja. Aktori i mirënjohur dhe njeriu i mirë Radoja nuk e humbi betejën me sëmundjen. Familja humbi njeriun e dashur dhe Shqipëria një artist të shquar. Por emri, vepra dhe rolet e tij nuk do të humbasin asnjëherë nga kujtesa e shqiptarëve.  Do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të spikatur si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të Fierit dhe si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” të Durrësit, si edhe për mbi tridhjetë rolet në filmat shqiptarë nga më të dashurit për publikun”, shkruan Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi.
“Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada.”, shkruan presidenti në postimin e tij.