Princi Harry i Britanisë së Madhe, bashkëshortja e tij Meghan dhe nëna e saj u përfshinë në një ndjekje pothuajse katastrofike me makinë, nga paparacët në qytetin e Nju Jorkut dje në mbrëmje, sipas CBC News.

Kjo ndodhi pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në sallën Ziegfeld Ballroom në Midtown.

Çifti sapo kishte marrë pjesë në aktiviteti gala i Fondacionit për 50 vjetorin e grave, që nderoi Meghan, dukeshën e Sussex.

Kjo ndodhi pasi çifti dhe nëna e Meghan, Doria Ragland, u larguan nga ceremonia.

“Mbrëmë, duka dhe dukesha e Sussex-it dhe zonja Ragland u përfshinë në një ndjekje pothuajse katastrofike me makinë nga paparacë shumë agresivë.

Kjo ndjekje e pamëshirshme, që zgjati mbi dy orë, rezultoi në përplasje të shumta që përfshinin drejtues të tjerë në rrugë, këmbësorë dhe dy oficerë të Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut, NYPD.

Ndonëse të qenit personazh publik shoqërohet me një nivel interesimi nga publiku, kjo nuk duhet të arrihet kurrë në dëm të sigurisë së dikujt tjetër.

Përhapja e këtyre imazheve, duke pasur parasysh mënyrat se si ato janë marrë, nxit një praktikë që është e rrezikshme për të gjithë të përfshirët”, thuhet në një deklaratë.

Burimet e NYPD-së thanë se disa makina ndoqën mbrëmë makinën në të cilën ishin Harry dhe Meghan, pasi ata u larguan nga një ngjarje në Ziegfeld Ballroom.

NYPD tha se zyrtarisht ngjarja është nën hetim dhe se ende nuk është thënë gjë në lidhje me deklaratën ku përmendet një përplasje me oficerët.

Kryebashkiaku, Eric Adams kritikoi personat që ndoqën Harry dhe Meghan duke i quajtur të pamatur dhe të papërgjegjshëm.