Një djalosh rom ka ndërruar jetë ketë të martë në mëngjes, një javë pasi një oficer policie në Greqi, e qëlloi në kokë.
Policia po ndiqte 16 vjeçarin, për një faturë të dyshuar të papaguar të karburantit.
Të shtënat çuan në disa ditë protestash shpesh të dhunshme në Selanik, Athinë dhe pjesë të tjera të Greqisë nga anëtarët e komunitetit rom, pavarësisht lutjeve të zyrtarëve të komunitetit dhe disa anëtarëve të familjes së djalit për të ruajtur qetësinë.
“Të gjithë këtu qajnë. Është e padrejtë që një fëmijë të largohet kështu”, tha Antonis Tasios, sekretari i komunitetit rom ku jetonte adoleshenti, duke konfirmuar vdekjen e tij. “Kemi dhimbje të mëdha”.
Spitali që e kuroi djalin, i cili nuk është identifikuar zyrtarisht, tha se ai ishte shtruar në gjendje kritike në njësinë e kujdesit intensiv pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent, por se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të stafit mjekësor, ai vdiq të martën në mëngjes.
Oficeri 34-vjeçar i policisë i akuzuar se e qëlloi me armë zjarri, është pezulluar dhe në arrest shtëpiak që nga e premtja në pritje të një vendimi gjyqësor nëse do ta caktojnë në paraburgim përpara gjykimit për një akuzë të rëndë për vrasje të mbetur në tentativë me dashje dhe një akuzë për kundërvajtje duke qëlluar ilegalisht me armë.
Policia ka thënë se adoleshenti u përpoq të përplaste motoçikletat e policisë të përfshira në ndjekje me kamionçinën e tij. Oficeri tha gjatë një paraqitje fillestare në gjykatë javën e kaluar tha se ai kishte qëlluar me armë sepse kishte frikë për jetën e kolegëve të tij.
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos, i cili ka juridiksion mbi policinë greke, shkroi në Twitter “dhimbjen e thellë për vdekjen e djalit 16-vjeçar” dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjen e adoleshentit.
“E përsëris se ky rast është duke u hetuar nga sistemi gjyqësor, i cili është i vetmi kompetent për të vlerësuar faktet dhe për të gjykuar përgjegjësitë”, ka shkruar ministri. “Le ta respektojmë të gjithë këtë.”/Revista Time