Hapin gjokset e tyre gratë jugore,
siç hapet dita,
si në valle tundin shamitë e qëndresës,
Kapur fort, fat për fat,
Me kokën lart i drejtohen jetës që u rëndon plumb.
Nëpër bokërrima zvarriten të mbledhin lule,
Që i kanë të tyre deri në tregun më të afërt
Pastaj me qindarkat e shitjes
derdhen të lumtura përmes dritës mjerane.
Në sytë e thelluar fshehin mundimin,
Nga gjunjët u varen ëndrrat e humbura
Vajzëria u valvitet në vellot e kujtimeve,
Janë të detyruara ta shohin përditë diellin si vdes para tyre.
Mbijetesa është e vetmja betejë
Diellin, tokën, ajrin i kanë prej gjaku
Me djersë vadisin arat me fara
Ashtu jetojnë përditë,
Ashtu festojnë përditë,
Ashtu vdesin përditë,
Falënderuese nëse vdekja i zgjedh.