Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt nga pozicioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike që ushtron detyrën e kryetarit të grupit parlamentar, një grup deputetësh kanë thirrur një mbledhje urgjente të grupit për të plotësuar vakancën e krijuar.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur dhe ka propozuar zgjedhjen e deputetit Gazment Bardhi si kryetar të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe nisjen e procedurës së njoftimit të Kuvendit mbi emërimin e kryetarit të ri të grupit, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike regjistron 33 anëtarë, nga të cilët kanë votuar pro të gjithë deputetët e pranishëm dhe asnjë kundër.

Deputetët që kanë votuar pro kryesimit të grupit nga Gazment Bardhi janë: Jorida Tabaku, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Saimir Korreshi, Lulzim Basha, Dashnor Sula, Gazment Bardhi, Lefter Gështenja, Zheni Gjergji, Qani Xhafa, Helidon Bushati, Orjela Nebiaj, Ramadan Likaj, Xhelal Mziut, Flamur Hoxha, Eralda Bano dhe Bledion Nallbati.

Gjithashtu, kanë shprehur mbështetjen për kryesimin e grupit nga Gazment Bardhi deputetët e Partisë Demokratike që janë të regjistruar në grupet parlamentare të aleatëve të PD-së: Merita Bakiu, Selaudin Jakupllari, Andia Ulliri, Emilja Koliqi.

Kanë munguar në mbledhje deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferaj, deputetët e “grupit Berisha” Greta Bardeli, Lindita Metaliaj, Edi Paloka, Ervin Salianji, Tomor Alizoti, Sorina Koti, Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, Ina Zhupa dhe Kastriot Piroli, si dhe deputetët Enkelejd Alibeaj, i dorëhequr nga pozicioni i kryetarit dhe Flutura Açka që ndodhet jashtë Shqipërisë.