Gjykata e Apelit Tiranë ka rrëzuar kërkesën për lirim të 56-vjeçarit Shefqet Lika, i cili nuk ka kallëzuar në Polici vetëvrasjen e bashkëshortes së tij në Kamzë, 55-vjeçares Shahe Lika.

Pasi ka konstatuar vdekjen e bashkëshortes, ai më pas ka njoftuar familjarët e viktimës, të cilëve u ka pohuar se 55-vjeçarja ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit.

Nga hetimet e bëra, ka rezultuar që 55-vjeçarja Shahe Lika dyshohet të jetë vetëvarur në datën 4 Shtator rreth orës 15:00.

Policia e Tiranës ka sqaruar se ato u vunë në lëvizje për këtë ngjarje pas kallëzimit të bërë nga familjarët e viktimës.

56-vjeçari dyshohet për kryerjen e veprave penale “shkaktim i vetëvrasjes” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Njoftimi i Gjykatës së Apelit:

Në datën 05.09.2022, rreth orës 07:30, në Komisariatin e Policisë nr. 5 Tiranë, është paraqitur shtetasi me iniciale S.B, i cili ka kallëzuar se ka dyshime në lidhje me vdekjen e motrës së tij, ndaj bashkëshortit të saj me iniciale SH.L, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shkaktimi i vetëvrasjes” si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim SH.L, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 99 dhe 301 të Kodit Penal.

Me vendimin nr. 1862 Regj.Them, datë 08.09.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
• Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim L.
• Caktimin si mase sigurimi personal ndaj shtetasit SH.L, ate të “arrestit ne burg”, te parashikuar nga Neni 238 I K. Pr. Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim SH.L, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro, me vendimin nr, 856 datë 04.10.2022 vendosi:
-Miratimin e vendimit 1862 Akti, datë 08.09.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.