Pasi mbaruan dhe shërbimet e fundit, Andrea, bëri disa hapa prapa dhe qëndroi drejt. Hodhi edhe një herë vështrimin, duke filluar nga afër-larg në realitetin që u krijua si pas shkreptimës, në një qiell të hirtë. Para tij ishte një bredh i bukur. Rreth trungut të tij nuk kishte ferra e shkurre. Djathtas ishte një dëllinje me një kurorë të dendur, ndërsa majtas, në drejtim të fshatit, në distancë, ishte një shkëmb, ku hurdhja, një pjesë e tharë, i ishte ngjitur fort me rrënjët e saj të holla e të dendura, duke bërë lidhjen e saj të pandashme.

Në kontrast me këtë pamje gjelbërimi të përhershëm, prapa tij ishte një rrëpirë, që të tremb. Aty-këtu kishte ndonjë ferrë që të plekset nëpër këmbë e ca cërma të prera për ndonjë gardhthurje. Rrëpira përfundonte në  një përrua me gurë të vegjël e të mëdhenj, i cili i dukej Andreas si një hon i thellë, nga ku vinin zhurma therëse. Gurët në fund të këtij peizazhi të trishtë ishin bardhë e zi.

Psherëtiu thellë dhe gjeti forcë të hedhë vështrimin më larg drejt pyjeve të dendura, honeve të vërteta, përrenjve e faqeve të rrafshëta masive të shkëmbinjve, ku çdo zhurmë përplasej, përthyhej, përsëritej e riprodhohej me tonalitet më të fuqishëm e timbër të ndryshuar, duke krijuar jehonë ulëritëse.

Kështu është dëgjuar mendoi Ai edhe zëri im, i dalë nga mugëtira e shpirtit. Nën efektin e këtij përjetimi të trazuar, Kristoja, po e shikonte me një pamje të çuditshme midis keqardhjes dhe gjykimit, ose të dyjave së bashku. Ai ishte i fundit që e takonte si përfaqësues i të shkuarës së tij në këtë ndarje. Jemi të dënuar, tha ai, që dhimbjen ta mbajmë me vete, pa pasur të drejtën ta ndajmë me të tjerë. Unë do ta vuaj më shumë.

Andrea, po i vinte një mur të madh, të pakapërcyeshëm të shkuarës, me shpresën se do të ndërtonte të ardhmen. Në vend të fjalëve shpresë ndjellëse, Kristoja i dha këshillën: “Andrea është koha të ikësh. Ajo që ndodhi është një arsye më shumë, për të mos u ndalur në rrugën që nise. Mos u kthe më. Zoti qoftë me ty”. Andrea edhe pse kishte qarë shumë, pati ende lot për këtë moment. Kristo! Ti je përfaqësuesi i të shkuarës time. Ruaje dhe mos e humb atë! Mos e harro! Ai u nis me hap të ngadaltë, me kokën ulur.

U kthye edhe njëherë mbrapa për të fiksuar si në një fotografi zymtësinë e pamjes që po linte pas. Tashmë, ajo, me siluetën e rraskapitur të Kristos, dukej edhe më e trishtuar. Eci mbrapsht disa hapa, si për të shfrytëzuar çdo moment ndarjeje. Dielli në këtë majë kodre sapo doli, duke ngrohur kurrizin e tij. Andrea u kthye me fytyrë nga ai, duke ndjerë më shumë dritën rrezatuese të tij. Ai mbylli sytë për ti mbrojtur nga drita e diellit, por qëndroi ashtu për një çast. Ishte hera e parë që diellin e shikonte me përçmim. U drejtua nga ai, sikur po drejtohej nga Zoti dhe tha: – Ohh! Pse nuk erdhe më shpejt të kishe ndriçuar shpirtin tim të pushtuar nga djalli?

PJESA E PARE “E ARDHMJA”

Parku Arkeologjik

Nesti dhe Aneta së bashku me dy djemtë e tyre, Eri dhe Ardi, kishin planifikuar një ditë pushimi, në parkun arkeologjik. Prenë biletat, të cilat mund t’i mbanin edhe si souvenir dhe u bashkuan me vizitorët e tjerë. Ciceroni, për të sinjalizuar fillimin e guidës, ngriti flamurin lart, duke e lëvizur disa herë për të tërhequr vëmendjen. Filluan lëvizjen. Fëmijët, me kërshërinë e tyre qëndronin sa më pranë tij. Hapi ngadalësohej herë pas here për të kompaktësuar grupin. Shpjegimi i tij bëhej në pika të ndryshme, të cilat ishin si gurë kilometrik të periudhave dhe ngjarjeve historike. Ai fliste me pasion.

Sipas, Barbara Kirshenblatt-Gimblett – thotë ai: “trashëgimia kulturore përfaqëson një burim nga e kaluara, që është “e vjetër”, dhe që merr një “jetë të dytë” si “trashëgimi”. Klasifikimi i vlerës së posaçme mund të jetë “e çmuar”, “e rrallë” apo “në zhdukje”. Parku të jepte mundësinë e krijimit të ndërveprimit ndërmjet ligjërimit pasionant dhe ilustrimit objektor. Muret rrethues, amfiteatri, mbetjet e një ujësjellësi, rrënojat e monumenteve antike, monedhat prej bronzi, baptisteri dhe bazilika, ishin dëshmitë, të cilat krijonin mbresën. Fëmijët bënin fotografi në zonat apo pavionet e periudhave të ndryshme, si për të dëshmuar një prani virtuale me to. Historia, tha shoqëruesi, është pjesë e jona. Ajo na ndihmon për të njohur më mirë veten. Eri dhe Ardi u kënaqën.

Ata po konkretizonin disa njohuri fillestare që kishin marrë në shkollë. Turi në parkun arkeologjik përfundoi rreth orës 11.00. Ata kishin edhe një orë kohë deri në kohën e drekës së porositur. Drejtuesit e Parkut, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë së një prej universiteteve më të mira në vend, kishin organizuar, një veprimtari tek amfiteatri i Parkut. Nesti, së bashku me familjen u ulën në shkallët e gurta. Tema e radhës ishte “E Shkuara dhe e Ardhmja”.

Lektori i parë theksoi se këto kategori janë pjesë e  rrugëtimit në jetë. Ajo merr kuptime të ndryshme në raport me të tanishmen. Pra, janë dy koncepte relative që i ngjajnë shiritit të shkarkimit të një dokumenti në kompjuter. Kur ne klikojmë shkarko, hapja e tij është 100% e ardhme, por sapo pika e ndritshme zhvendoset, sado pak djathtas në segmentin shkarko, krijohen tre gjendje: e shkuara majtas, e tanishmja dhe e ardhmja djathtas.

Gjithashtu, kur dokumenti shkarkohet, kemi vetëm të shkuar. Nuk ka më çfarë të hapet. Lektori, për të krijuar bashkëveprim me auditorin drejton pyetjen: Kush nga ju na jep shembuj të tjerë ilustrues për këtë koncept? Një vizitor, rreth të njëzetave, çoi dorën, jo për të marrë leje, por për të sinjalizuar të tjerët “unë”. Jeta jonë është një shembull konkret i të tashmes, të shkuarës dhe të ardhmes. Lektori e mbështeti. Ja ky është koncepti tha ai që unë sapo shpjegova. Ai, ja dha fjalën kolegut të tij. Ishte e njëjta temë, por ata e kishin ndarë atë në tri pjesë, ku secili e fillonte atje ku e linte tjetri, duke dhënë një shembull tjetër të këtij koncepti. Ja, tha ai, prezantimi i kolegu të mëparshëm, nga e tanishme, u bë e shkuar, e kështu do të ndodhi me pjesën time kur të filloi prezantimi i pjesës së tretë dhe të fundit. Folësi i tretë, fokusoi disa përfundime që shërbenin si kurora mbyllëse e temës. Ai e mbylli me thënien se historia nuk është një barrë për kujtesën, por një ndriçim i shpirtit.

Eri, si më i madhi, ishte zhytur tërësisht në thelbin e temës që trajtohej. Ai, ishte ende i vogël për të formuluar një pyetje të natyrës akademike. Megjithatë atij i lindi një pyetje që lidhej me historinë e cunguar të stërgjyshit të tij, Andreas. Me kërshërinë e një nxënësi, me kurajën e një adoleshenti dhe dëshirën e njohjes së zgjidhjes, nuk e mendoi më gjatë, por ngriti dorën.

– Urdhëro! – tha moderatori. Ju thatë, se tre prezantimet tuaja, duke u zhvendosur në segmentin e jetës, ndryshojnë nga i tashëm, në të shkuar dhe ai që ende nuk është prezantuar është i ardhshëm. Moderatori pohoi me kokë.

Pyetja ime është:

– Në rast se unë do kisha dëgjuar pjesën e dytë dhe të tretë të temës, por jo pjesën e parë, a mund ta konsideroja të shkuar atë që nuk dëgjova? Moderatori buzëqeshi.

– A mund të japësh një shembull tjetër tha ai, për ta kuptuar më mirë? Familja ime, për njërin nga gjyshërit, njeh vetëm dy të tretat e fundit të jetës së tij. Nuk dimë asgjë për të shkuarën e parë. Aktualisht ai nuk jeton më. Moderatori e falënderoi dhe ia dha fjalën njërit prej lektorëve.

– Pyetje e bukur, – tha ai. Po e trajtoj në një kuptim të përgjithshëm. E shkuara, si kategori filozofike, është çdo gjë që ka shkuar, që nuk është e tanishme apo e ardhme. Por, jo çdo e shkuar është e dobishme kur e pranojmë apriori pa e njohur. Prandaj arkeologët, historianët, historiografitë, gjuhëtarët bëjnë studime, i referohen dokumenteve arkivore të vendit dhe atyre rajonale e botërore, u referohen objekteve të zbuluara, e çdo gjëje të mundshme për të ndriçuar apo të paktën për të hedhur dritë mbi të. Pa këto fakte çdo formulim, mund të konsiderohet hipotezë, që i nënshtrohet një procesi, i cili është i pamëshirshëm kur nuk ka fakte bindëse. Kjo është e tillë për periudhat historike, për gjuhësinë, për çdo trashëgimi kulturore, po kështu edhe për gjyshin tuaj të dashur. Folësi e ftoi Erin të shkonte tek ai për ta falënderuar për pyetjen e bërë. Me sa duket tha Nesti, djali i madh e ka zgjedhur që tani drejtimin e studimeve kur të bëhet gati për në universitet.