Finalja e madhe Conference League e cila do zhvillohet në “Air Albania”, ka marrë vëmendjen maksimale. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një postim të klubit italian që shkruan: “Andiamo a Tiranaaa”, bashkangjitur së cilës është edhe një foto e eksodit të shqiptarëve në Itali.

Në foton e ripostuar nga Twitteri i skuadrës së Romës e cila shkruan “Andiamo a Tirana (Le të shkojmë në Tiranë)”, Rama shkruan “Hajdeni, hajdeni”, pasi qindra tifozë priten të mbërrijnë nesër.

Ashtu si në 1990 në Bari u shpall gjendja e emergjencës, edhe Tirana ditën e nesërme do të “pushtohet” nga tifozët. Kryeqyteti nesër do të jetë në “dispozicion” të tyre pasi nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve dhe është shpallur ditë pushimi.

Roma dhe Feyenoord do të përballen të mërkurën në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane./Xh.M