Çmimet e Panairit të Librit në Fier dhe Çmimet Kombëtare ‘Harpa’, si çdo vit tjetër kanë mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Këto ngjarje të rëndësishme kulturore, të kthyera tanimë në një traditë, kanë sjellë në vëmendjen e publikut, emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.
Drejtuesja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama u shpreh se çmimet “Harpa” edhe këtë vit, shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë. Për këto dy ngjarje janë ngritur njëkohësisht dy juri të pavarura njëra nga tjetra, të cilat kanë vendosur të veçojnë disa nga emrat më përfaqësues.
Përshëndetën të ftuarit nënkryetarja e Bashkisë Fier, Enkelejda Peshkëpia dhe prefekti I qarkut Fier, Lefter Shehaj.
Çmimet e panairit i ndau kryetarja e jurisë së këtij viti, Natasha Lako, e cila u shpreh se janë disa çmime për librat më të mirë të vitit.
Kështu, shkrimtari dhe studiuesi, Mehmet Kraja u vlerësua për romanin më të mirë të vitit me librin “Sëmundja e ëndrrave”, me motivacion: “Për kërkimet e tij në të kaluarën historike të shqiptarëve në përgjithësi, frymëzimin nga ajo e kaluar, por, gjithnjë parë nga perspektiva e një distance dhe optikës bashkëkohore. Për raportet dhe mpleksjet mes mitit dhe realitetit, të ëndrrës dhe zhgjëndrrës që është bosht tematik i romanit”. Ndërkohë për librin poetik më të mirë u vlerësua poeti i njohur Bardhyl Londo, me motivacionin: “Për nivel të lartë artistik dhe estetik në vëllimin ‘Prill i hidhur’. Krijime që e kanë çuar poetin në përsosmëri majash në poezinë bashkëkohore shqiptare”. Për librin studimor më të mirë, u vlerësua Fatmir Toçi, për librin “Arbëreshët – midis mitit dhe relalitetit”, me motivacion: “Për hulumtimin pasionant të golgotës migruese të arbëreshëve dhe paraqitjen me emocion të lidhjes shpirtërore të tyre me vendlindjen gjatë pesë shekujve”. Mihal Krimçe, shkrimtar fierak mori një çmim special.

Ndërkohë, kjo mbrëmje e mbushur me emocione e surpriza, në pjesën e dytë të saj ngjiti në skenë emra të mëdhenj të kulturës e letërsisë, si Birce Hasko, Helena Kadare, Kastriot Caushi, Gazmend Leka, Kujtim Cashku, Xhuljeta Kulla, Bujar Hudhri, Natasha Lako, Haig Zacharian etj.

Më poshtë po japim motivacionet për secilin çmim të dorëzuar në këtë mbrëmje:

ÇMIMI I KARRIERËS –  Z. BIRÇE HASKO- ME MOTIVACION: “Personalitet i shquar. Emër i madh i plejadës së artit shqiptar dhe mjeshtër i aktrimit. Artist i dashur për publikun”.
ÇMIMI I KARRIERËS –  ZNJ. HELENA KADARE – ME MOTIVACION:  “Për vlera të larta krijuese. Ka ndërtuar kode unike ligjërimi, duke e pasuruar prozën romanore shqipe. Shkrimtare me ndikim në letërsinë tonë kombëtare”.

ÇMIM I KARRIERËS – ZNJ. XHULJETA KULLA – ME MOTIVACION: “Aktore me përvojë të gjatë në skenë. Shquhet për dinamizmin, emocionet dhe interpretimin plot energji”.

ÇMIMI I MADH “HARPA” – ZNJ. NATASHA LAKO – ME MOTIVACION: “Poete që karakterizohet nga origjinaliteti, mendimi i thellë dhe mesazhet e fuqishme. Gjeografia e saj krijuese e ka kthyer në një personalitet të letrave shqipe”.
REGJISORI MË I MIRË – Z. KUJTIM ÇASHKU -ME MOTIVACION: “Për kontribut të çmuar në sjelljen e formave të reja në kinemanë shqiptare. Lëvrues i provokimit të mendimit të lirë dhe promovues i artit të avangardës”.
AKTORI MË I MIRË – Z. KASTRIOT CAUSHI – ME MOTIVACION: “Personalitet i shquar i kinemasë. Aktor me individualitet të lartë interpretues. Me kontribut të vyer në kulturën kombëtare shqiptare”.
KOMPOZITORI MË I MIRË – Z. HAIG ZACHARIAN – ME MOTIVACION: “Kompozitori i muzikës së civilizuar, që me ngrohtësi ka krijuar vepra origjinale në disa zhanre. Muzika e tij çmohet për intelektualizëm dhe emocion artistik”.
PIKTORI MË I MIRË – Z. GAZMEND LEKA – ME MOTIVACION: “Artist shumëdimensional, mjeshtër i artit pamor. Shquhet për imagjinatë të çliruar, i pandalshëm dhe i suksesshëm në trajtimet filozofike të jetës”.
ÇMIMI I PUBLIKUT – GAZETËS “EXLIBRIS” – ME MOTIVACION: “Për pasqyrimin me profesionalizëm të ngjarjeve kulturore e letrare, si dhe shpalosjen dhe promovimin e vlerave më të mira në fusha të ndryshme”.

ÇMIM SPECIAL – Z. YLLI MOLLAME MOTIVACION:  “Autor dhe botues me vlera dhe kontribut të çmuar në letërsi”.

Ky është i nënti vit që në këtë qytet të jepen çmime në fundvit, duke u vlerësuar një sërë emrash të personaliteteve që kanë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre.